Furnizimi me ujë të pijes është stabilizuar

12:05 | 31 Janar 2023
A. B.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se furnizimi me ujë të pijes është stabilizuar pas situatës që ishte krijuar si pasojë e vërshimeve.

MSH përmes një postimi në “Facebook”, njofton se ekipet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik po vazhdojnë me vigjilencë të shtuar dhe janë në monitorim të pandërprerë të ujit të pijes, shkruan arbresh.info.

Lexoni të plotë njoftimin:

Furnizimi me ujë të pijes është stabilizuar pas situatës së krijuar si pasojë e të reshurave të shumta dhe vërshimeve në pjesën më të madhe të vendit tonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ngritur nivelin e gatishmërisë me të gjitha institucionet përkatëse.

Ekipet e Institutit Kombëtar po vazhdojnë me vigjilencë të shtuar dhe janë në monitorim të pandërprerë të ujit të pijes.

Të gjitha QRSHP në Kosovë janë në gjendje gatishmërie me ekipe kujdestare pa ndërprerë me specialistët e ekologjisë humane dhe epidemiologjisë dhe po monitorojnë situatën epidemiologjike e cila është në kontroll dhe nuk ka raste të dyshimta të sëmundjeve ngjitëse si pasojë e vërshimeve.

KRU “Prishtina”- Rajoni Prishtinë: Fabrika në Shkabaj dhe fabrika Drenas trajtojnë ujin me kapacitet jo të plotë.

Për shkak të uljes së kapacitetit prodhues janë duke u zbatuar restriksione në tërë zonat e shërbimit të KRU-Prishtina.

Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e IKSHPK janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,1mg-0,3mg/L.

KRU “Mitrovica”- Rajoni Mitrovicë: Fabrikat në Shipol- Mitrovicë dhe në Balicë- Vushtrrisë janë në funksion të plotë me trajtimin e ujit.

Në mostrat e grumbulluara, analizat laboratorike fiziko-kimike dhe bakteriologjike rezultojnë brenda standardeve.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3mg/L në tërë zonën e shërbimit.

Për shkak të vërshimeve uji i puseve nuk është i sigurt dhe duhet të vlohet para përdorimit.

KRU “Hidrodrini”- Rajoni i Pejës: Vlerat e turbullirës brenda standardeve.

Në mostrat e grumbulluara, analizat laboratorike fiziko-kimike rezultojnë brenda standardeve.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3mg/L

Për shkak të komunikimit të lumit Klina me resursin e Jarinës, uji ka kontaminim bakteror.

Rekomandojmë KRU “Hidrodrini” të ngrisë nivelin e kontrollit në procesin e trajtimit dhe në rrjetin shpërndarës.

KRU “Gjakovë”- Rajoni i Gjakovës:

Në zonat e furnizimit nga KRU”Gjakova” gjendja e cilësisë së ujit të pijes është e qetë.

Të gjitha mostrat e analizuara janë brenda standardeve të parapara për ujin e pijshëm.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,25mg-0,35mg/L.

KRU “Bifurkacioni”- Rajoni Ferizaj: fabrika në Pleshinë, Kaçanik, Hani Elezit, Shtërpcë të gjitha mostrat e ujit janë brenda standardeve për ujin e pijes.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2-0,3mg/L.

KRU “Hidromorava”- Rajoni Gjilan:

Të gjitha mostrat e ujit të cilat janë marrë në Gjilan janë brenda standardeve për ujin e pijes.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3mg/L.

KRU “Hidroregjioni jugor”- Rajoni Prizren:

Të gjitha mostrat e testuara në laboratorët e QRSHP Prizren janë brenda standardeve për ujë të pijshëm sipas Udhëzimit Administrativ Nr.10/21 për cilësi dhe konsum human.

Klori rezidual në rrjetin shpërndarës është 0,2mg-0,3 mg/L.

IKSHPK / Qendra e Ujit rekomandon të gjitha Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) me qëllim të stabilizimit të furnizimit:

Përcjellja e vlerave të turbullirës dhe kujdes i shtuar në procesin e trajtimit

Kujdes i shtuar në procesin e dezinfektimit

Pastrimi i të gjitha stabilimenteve në procesin e trajtimit

Pastrimi i rezervuarëve dhe rrjetit shpërndarës

iparimi dhe debllokimi i pusetave

Sanimi i dëmtimeve ne rrjetin shpërndarës

Bashkëveprimi i IKShPK/QU dhe KRU-ve me institucionet shtetërore është në kontinuitet.

Ekipet e Institutit Kombëtar vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie dhe me monitorim të rregullt, në dispozicion me të gjitha kapacitetet për të ruajtur situatën stabile dhe për çdo përkeqësim të situatës epidemiologjike do të informoheni në kohë reale. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme