Ndonëse ka humbur shumicën në Kuvend, Qeveria e Kosovës po e vazhdon punën dhe mandatin kushtetues, përderisa nuk ka një mocion mosbesimi ndaj saj.
Mbijetesa e Qeverisë, nuk po shihet problem sa po vlerësohet problematike marrja e vendimeve dhe sigurimi i mbështetjes në Kuvend për zbatimin e tyre.
Pas konfirmimit të largimit të Listës Serbe, Qeveria e Kosovës, e cila ishte zgjedhur me 61 vota në Kuvend, edhe zyrtarisht tani mbetet në kuotën e 51 votave, që nënkupton se e ka humbur shumicën. Megjithatë, Qeveria po vazhdon punën dhe mandatin e saj kushtetues pavarësisht këtij fakti.
Analisti Krenar Gashi, studiues i shkencave politike, tha për Radion Evropa e Lirë, se sistemi politik i Kosovës mundëson që një qeveri, pasi që ta humbë shumicën në Kuvend, të mund të qeverisë si qeveri e pakicës.
“Me komplikimet që janë bërë pas zgjedhjeve të vitit 2014, me vendimet e Gjykatës Kushtetuese sa i përket procesit të formimit të qeverisë, nuk është mundur në njëfarë mënyre, me këtë përçarje politike që e kemi, që opozita ta mbledhë një shumicë dhe ta rrëzojë qeverinë. Kësisoji, Qeveria mund të funksionojë si qeveri e pakicës deri në fund të mandatit ose derisa opozita të mund ta mbledhë një shumicë dhe ta rrëzojë”, tha Gashi.
Analisti Gashi ka shtuar se megjithatë, praktikat në Kosovë kanë treguar se funksionimi i një qeverie të pakicës gati se është i pamundur, për shkak se një qeveri e tillë, fundja edhe shkak të inateve ndërpartiake, nuk mund ta marrë mbështetjen e opozitës madje edhe për miratimin e ligjeve për të cilat opozita do të mund të pajtohej.
Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se vullneti politik i partive opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupit të deputetëve të pavarur, do ta përcaktojë mënyrën e funksionimit të qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, duke pasur parasysh numrat aktual në Kuvend.
“Ajo çfarë mund të pritet nga qeveria Haradinaj, tash në ditët e ardhshme, një bashkëpunim ndoshta shumë më i madh me subjektet opozitare. Jo pse ka dëshirë Qeveria, mirëpo ky bashkëpunim do të jetë në njëfarë mënyre i obligueshëm, nëse dëshiron që t’i kalojë edhe ligjet më të thjeshta, për të cilat duhet shumica e thjeshtë e votave”.
“Të mos flasim për çështje më të komplikuara ku kërkohen edhe metoda tjera të votimit. Prandaj, në masë të madhe funksionimi i Qeverisë Haradinaj do të kushtëzohet me atë se sa do të jenë në gjendje që t’i akomodojnë ndoshta edhe kërkesat e opozitës që mund të vijnë karshi kryeministrit apo kabinetit qeveritar”, theksoi Murati.
Por, bazuar në situatën e krijuar pas tërheqjes së Listës Serbe nga koalicioni qeverisës, a do të mundet qeveria e kryeministrit Haradinaj ta përmbyllë mandatin e saj katërvjeçar në mënyrë të rregullt?
Analisti Gashi thotë se është e vështirë të parashikohet nëse qeveria aktuale do të bie apo do të mund të funksionojë si qeveri e pakicës.
“Megjithatë, ajo që e dimë është që për shkak të Listës Serbe, qeveria nuk do të bie. Për arsye se Lista Serbe, daljen nga qeveria nuk e ka bërë për çështje parimore, por vetëm sa për të marrë një adut më shumë në një negociatë të radhës me shqiptarët, me qeverinë shqiptare në Kosovë”.
“Megjithatë, në rast se njëri nga partnerët aktual të koalicionit qeverisës dhe kemi shumë parti në koalicion apo më shumë prej këtyre partnerëve vendosin që të ketë zgjedhje të parakohshme, atëherë qeveria mund të shkarkohet brenda 24 orëve”, vlerësoi Gashi.
Ndërkaq, analisti Murati konsideron që për çështjet e rëndësisë së veçantë, për të cilat nevojitet unitet më i përgjithshëm, sikurse dialogu me Serbinë ose çështjet që ndërlidhen me agjendën evropiane, përkrahja e partive opozitare nuk do të mungojë për Qeverinë e Kosovës.
“Ndërsa, sa për çështjet tjera të politikave ditore, mendoj që do të vazhdojmë t’i shohim përplasjet e vazhdueshme, të cilat i kemi parë, sidomos ndërmjet LDK-së dhe AAK-së në masë më të madhe”.
“Mendoj që është vetëm çështje e kohës, derisa të pajtohen subjektet politike për t’i dhënë fund kësaj Qeverie, sepse e kam një përshtypje që as subjektet në opozitë, jo të gjitha subjektet, janë të gatshme për të shkuar në zgjedhje tash. Për këtë arsye, ndoshta edhe nuk merren hapa konkret, të cilët do të ndikonin ose do ta rrëzonin këtë qeveri”, tha Murati.
Sidoqoftë, dalja e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës pati nxitur reagimin e një pjese të spektrit opozitar për zgjedhje të parakohshme.
Më e zëshme në kërkesën për zgjedhje është Lidhja Demokratike e Kosovës e cila vlerëson se vendi ka hyrë në krizë të thellë institucionale dhe politike.
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës
“Qeveria nuk e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës dhe në bazë të rregullave të demokracisë, kjo Qeveri konsiderohet e rënë”, thuhet në qëndrimet e LDK-së.
Ndryshe, Lista Serbe, e cila braktisi Qeverinë, në Kuvendin e Kosovës ka nëntë deputetë, të cilëve u është bashkuar edhe një deputet që përfaqëson pakicën gorane.
Në Qeverinë që tashmë ka braktisur, Lista Serbe ka lënë bosh tri poste të ministrave, një të zëvëndëskryeministrit dhe disa poste të zëvendësministrave.
Bazuar në gjendjen aktuale, Qeveria nuk e ka shumicën, por as opozita nuk i ka 61 votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, po që se asaj nuk i bashkohet Lista Serbe.
Marrje ryshfeti/ Arrestohen dy zyrtarë komunalë në Graçanicë...
Abdixhiku: Finalizuam orarin elektoral, agjendën zgjedhore, ...
OJQ-të në Serbi paraqesin kallëzim penal për spiunim
Kurti priti në takim lamtumirës ambasadorin Hovenier: Kosova...
Ndahet nga jeta ish-kryeministri indian Manmohan Singh
Manchester United vazhdon me seri negative, mposhtet edhe ng...