Google ADS

Fungo: KFOR-i është i gatshëm të ofrojë mbështetje për Kosovën

19:16 | 4 Nëntor 2017
Arbresh.info

Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Giovanni Fungo, tha sot se nëpërmjet bashkëpunimit dhe përpjekjeve në nivele të shumta të shoqërisë, të gjithë do të jenë në gjendje të kapërcejnë dallimet dhe inkurajoi të rinjtë që të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë popullin e Kosovës.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite të fëmijëve të moshë 10-12 vjeç, organizuar nga KFOR-i në bashkëpunim me “Parkun e Arinjve në Prishtinë”, në parkun e njohur, i cili gjendet në afërsi të Liqenit të Graçanicës.

“Të rinjtë e sotëm janë e ardhmja e Kosovës. Të rinjtë janë plot forcë, vendosmëri dhe energji, të etur për të ndërtuar ura që do të lidhin brezat e ardhshëm. KFOR-i në është i gatshëm në çdo kohë të ofrojë mbështetje dhe ndihmë për të një të ardhme të sigurt për të gjithë popullatën e Kosovës”, tha kreu i KFOR-it.

Ndërsa, Afrim Mahmuti, drejtor në Parkun e arinjve në Prishtinë, nikoqir i këtij evenimenti, tha se janë të fokusuar në krijimin e një vendi për të gjithë, duke përdorur dialogun dhe edukimin për paqe.

“Fëmijët janë pjesë e jona, ne duhet të jemi një shembull për ta, se si duhet të trajtohen njerëzit dhe se si duhet të trajtohen kafshët, pasi kjo është përgjegjësia e jona për jetën tonë të përbashkët në këtë planet. Fëmijët e të rinjtë janë e ardhmja dhe ne duam që ardhmëria jonë të jetë e ndritshme,” u shpreh ai.

Ndryshe, përveç përvojës unike për t’i parë nga afër arinjtë, fëmijët patën mundësinë të diskutojnë për natyrën, mjedisin, kafshët dhe edukimin, e cila u pasua nga lojëra të shumta dhe muzikë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme