Google ADS

Ftesa nga Specialja, Haxhi Shala: Hetuesit ndërkombëtarë më kërkuan edhe në fshatin tim, më pas i kontaktova

00:12 | 25 Gusht 2020
Trina Galanxhi

Deputeti i AAK-së, Haxhi Shala, ka dhënë detaje të tjera lidhur me ftesën që së fundi iu bë nga Prokuroria Speciale për intervistim.

Shala përmendi që është ftuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa theksoi për Klan Kosovën që do të intervistohet për periudhën e fillim vitit ’98-të deri në fundvitin e 2000-ës.

”Sot në mesditë pranova një telefonatë ku dhe i kam takuar personalisht hetuesit ndërkombëtarë që gjenden në Kosovë. Ku më 8 shtator do të paraqitem në Hagë”.

”Në ftesën që kam, jam i ftuar si i dyshuar”.

”Detaje nuk ka vetëm do të intervistohem nga janari i ’98-ës deri në dhjetor të 2000-ës”.

”Ne do t’i përgjigjemi sepse kjo Gjykatë tashmë veç është e votuar nga ne deputetët, dhe ne jemi të obliguar t’ju përgjigjemi të gjithë ftesës”.

”Nuk e di dhe çfarë dyshimesh kanë, por sidoqoftë, të gjithë pjesëtarët e UÇK-së, mund të ftohen dhe intervistohen për të gjitha pretendimet e tyre”.

A besoni në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së?

”Jo vetëm unë por të gjithë bashkëluftëtarët tanë, besojnë në pafajësinë tonë sepse kemi bërë një luftë të drejtë dhe të pastër”.

”Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër”.

Ish-komandanti i brigadës 121 të Zonës së Pashtrikut, tha se ftesa e tij nuk ndërlidhet asgjë me adresimin publik të Presidentit Hashim Thaçi.

Kjo meqë me të përfunduar reagimet për mbylljen e Dhomave të Specializuara, u bë publik njoftimi i Haxhi Shalës për ftesë nga Specialja.

”Kjo është rastësi, sepse unë në rrugë isha kur e lëshova këtë njoftim. Isha duke u përgatitur në manifestimin e 22 vjetorit të ditës së Brigadës 121”.

”Ndërsa statusin e Presidentit Thaçi e pashë tani”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme