Ftesa e Kryeministrit për takim me opozitën, Sheholli: Kurti ka nevojë për opozitën sikurse ” peshku për ujë”

13:59 | 21 Tetor 2022
L G

Me të përfunduar vizitën me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar në takim liderët opozitarë.

Takimi është mbajtur sot në mesditë.

Mirëpo, ftesës së Kurtit për takim iu përgjigj vetëm lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Por, cili ishte qëllimi i këtij takimi, flasin njohësit e çështjeve politike në vend.

Analisti i njohur i çështjeve politike, Fatmir Seholli për arbresh.info pohon se çështja kryesore e ftesës së Kurtit për liderët opozitar është dialogu Kosovë – Serbi.

“Duket që Kurti është në pozicion jo shumë të favorshëm andaj tani e ka kuptuar që pa unitet të përgjithshëm politik nuk mund që vetëm me Besnik Bislimin të kryej punë”, shprehet Sheholli për arbresh.info.

Tutje Sheholli shprehet se kryeministri Kurti ka nevojë për opozitën, dhe të gjithë së bashku të bëhen pjesë e strategjisë evropiane dhe amerikane.

“Kryeministri Kurti ka nevojë për opozitën sikurse ” peshku për ujë” andaj nevojitet që së bashku të gjithë të bëhen pjesë e strategjisë evropiane dhe amerikane”, pohoi Sheholli.

Nga ana tjetër, edhe analisti Bekim Kabashi mendon se në ftesën që zyra e kryeministrit Kurti ua ka dërguar partive politike opozitare nuk ceket tema e diskutimit.

Ai thotë se ky takim ka të bëjë ekskluzivisht me temën e dialogut.

“Kjo për arsye se është një temë, e cila kërkon konsensus të gjerë politik e shoqëror, ngase kemi të bëjmë me një marrëveshje e cila do të përcaktonte të ardhmen e shtetit”, tha Kabashi.

Ai vlerëson se duke i parë zhvillimet e fundit që po ndodhin në procesin e dialogut, mund të thuhet se brenda një periudhe shumë të shpejtë kohore mund të ndodhë një marrëveshje Kosovë-Serbi.

“Në bazë të zhvillimeve të fundit në procesin e dialogut, po shohim një dinamikë të shtuar e edhe afate kohore, që flasin për një marrëveshje që duhet arritur shumë shpejtë’, shton ai.

Kjo sipas Kabashit e imponon nevojën që Qeveria të provojë të imponojë konsensus të gjerë politik, për ta bërë të mundur fillimisht marrjen e një marrëveshje sa më të favorshme për vendin, dhe pastaj edhe lehtësimin e implementimit të saj, pa u penguar nga faktorë politik e shoqëror.

Ndryshe, pas takimit me Kurtin, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tregoi se çfarë biseduan.

Haradinaj tha se në takim kanë diskutuar për përmbajtjen e një marrëveshje potenciale Kosovë-Serbi.

Ai tha se kanë diskutuar në detaje për këtë marrëveshje potenciale, duke shtuar se marrëveshja duhet të ketë edhe vulën e ShBA-së.

“Diskutuam procesin dhe marrëveshjen vetë, diskutuam sfidat. Ishte një takim me përmbajtje sepse kemi diskutuar përmbajtjen e një marrëveshje potenciale Kosovë-Serbi”. Në diskutim për krejt nenet e marrëveshjes. Preambulën për nenet. Kemi provuar të japim kontributin tonë si AAK që Kosova të arrijë sukses. Besoj se duhet të vazhdojmë më tutje me aleatët tonë, Amerikën dhe evropianët”. “Ajo që besoj që është e rëndësishme, duke ta ketë edhe vulën e Amerikës”, tha Haradinaj. /Kujtesë Berisha/arbresh.info.

LEXO EDHE

Haradinaj pas takimit me Kurtin: Folëm për marrëveshjen potenciale me Serbinë – Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme