FSK të mos shkojë në veri pa lejen e KFOR-it, Rexhaj: Sa më parë të ndryshohet kjo marrëveshje

10:01 | 7 Tetor 2023
K.B

Marrëveshja e arritur mes kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaci dhe NATO-t që Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), të mos shkojë në veri të vendit pa lejen e KFOR-it, duhet të ndryshohet sa më shpejtë.

Kështu mendon deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, raporton Arbresh.info.

Sipas tij, faktori ndërkombëtarë duhet ta kuptojë një kërkesë të tillë të Kosovës, pasi policia nuk është e thirrur për ta mbrojtur integritetin territorial të Kosovës, por këtë gjë realisht e bënë FSK.

“Për mua, pra është mendimi im krejtësisht personal, mendoj që sa më parë, sepse është vendim i padrejtë. Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës, pavarësia jonë është pranuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare, ajo është e njohur edhe nga mbi 100 shtete, prandaj edhe faktori ndërkombëtarë, sidomos miqtë tanë, miku ynë SHBA, duhet ta kuptojë nëse Kosova e bënë një kërkesë të tillë, sepse realisht, policia nuk është e thirrur për ta mbrojtur integritetin territorial të Kosovës, por këtë gjë realisht e bënë FSK”, tha Rexhaj për Arbresh.info.

Shtimi i forcave të KFOR-it përreth kufirit, por edhe në veri, sipas tij, nënkupton edhe shtimin e sigurisë për vetë qytetarët atje.

“Pra, nuk ka rrezik siç thonin që Kosova po kthehet si më herët, e humb sovranitetin, e të tilla gjëra, sepse edhe pse do shtohet numri i trupave të KFOR-it, Policia e Kosovës do jetë ajo që do të ndërhyjë e para nëse ka gjëra që janë jashtë rendit dhe sundimit të ligjit”, u shpreh Rexhaj.

Ai ka folur edhe për vendimin e gjykatës serbe për ndalimin e hyrjes së terroristit serbë, Milan Radoiçiq në Kosovë.

Rexhaj, pohoi se një terroristi si Radoiçiqi duhet të qëndrojë në burg me vite.

Sipas tij, Vuciq çdo ditë e më shumë po gabon dhe kohëve të fundit as ai vetë s’po u beson më gënjeshtrave të tij.

“Një terroristë i cili arrestohet, ai shkon në burg dhe nuk lëshohet më prej burgu me vite. Unë mendoj që është një farsë të cilën Serbia po mundohet në aspektin politik, sidomos atij ndërkombëtarë të bind të tjerët se kinse po merret me qytetarët e saj, e kësi gjërash. Vuçiqi sa herë po bënë gjera të tilla, realisht po bie edhe më poshtë, po gabon sërish dhe nëse e vëreni në çdo konferencë që del e që gënjen, ai më as vetë nuk u beson gënjeshtrave të tij. Jemi mësuar me gjëra të tilla dhe me Serbinë”, u shpreh ai.

Deputeti i VV-së, theksoi se institucionet kosovare po mundohen që ta shpërfaqin fytyrën e vërtetë të Serbisë, e fytyra e vërtetë e këtij shteti , sipas tij janë ngjarjet e ushtrimit të terrorit në veri të vendit më 24 shtator./Arbresh.info/ Pleurat Salihu/

Të ngjashme