3.8 milionë euro të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të shpenzohen për blerjen e 7 veturave të blinduara të njohura si Humvee.
Ato do të sillen nga SHBA-ja, por blerja e tyre nuk do të bëhet me procedura të rregullta të prokurimit.
Ministria e FSK-së ka vendosur që ato t’i blejë me procedura të negociuara të prokurimit pa publikim të njoftimit për kontratë, raporton KTV.
Ideja e tyre u kundërshtua nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, të cilët kërkuan sqarime dhe arsye se përse është vendosur të shkohet me këtë formë prokurimi.
Ministria e Forcës së Sigurisë ka renditur 10 arsye pse mendon që këto miliona po të shkonin në kompaninë AM General do të ndikonin pozitivisht në krijimin e Forcës.
Ata thonë se kjo do të ndikonte në mirëmbajtjen e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës dhe do të krijohej mundësia që Forca të fitonte Humvee të tjera, donacion nga Ushtria Amerikane, e cila është në procesin e zëvendësimit të këtyre automjeteve.
Tutje Ministria përmend faktin se automjetet janë të përshtatshme për terrenin malor të Kosovës dhe thotë se mundësia e mirëmbajtjes dhe pjesëve rezervë të tyre do të mund të bëhej nga kontingjenti amerikan në Bondsteel. FSK-ja shpreson po ashtu që ushtria amerikane do të mund të trajnonte edhe mekanikët e saj.
Por, këto fakte nuk kanë qenë bindëse për zyrtarët e KRPP-së.
Tutje, Autoriteti Kontraktues i FSK-së thotë se arsyetimin e dhënë e kishte mbështetur edhe në rekomandimin e Komandantit të FSK-së, Rrahman Rama, Drejtorit të Departamentit të Logjistikes, Zijadin Bajçinca, dhe në vendimin e ministrit Haki Demolli, të cilët kanë kërkuar përfshirjen e automjeteve taktike të këtij tipi në kuadër të automjeteve të standardizuara të FSK-së.
Por as kjo nuk ishte bindëse për KRPP-në, që ka kërkuar rishqyrtimin e kësaj blerjeje.
KTV-ja ka pyetur MFSK-në nëse i ka marrë për bazë këto rekomandime, e cila ka thënë se ia ka dhënë arsyetimet plotësuese KRPP-së dhe është ri-proceduar njoftimi për ketë lloj procedure të shpenzimit të këtyre mjeteve për vetura të tilla.
Ministria e Forcës ka bërë të ditur se për këtë prokurim ka planifikuar 3 milionë e 850 mijë euro dhe sasia e planifikuar për blerje është 7 automjete, por që kjo mund të ndryshojë pas negocimit përfundimtar të ofertës financiare.
Automjetet pritet të vijnë në Kosovë brenda këtij viti fiskal.
Zgjedhjet e 11 majit, Rama: Votimi i diasporës proces komple...
Hamza: Gjithçka është shtrenjtuar, unë do t’i rris pagat dhe...
Përfshihet nga zjarri një veturë në Prishtinë, policia jep d...
Mori një goditje të fortë në fytyrë nga kundërshtari, dalin ...
BBVA4 nis të shtunën, mesazhi i Sara Hoxhës: Kemi sakrifikua...
Nesër seanca e përbashkët plenare, deputetët shqiptarë dhe k...