Google ADS

Fshati pa shkollë

13:44 | 2 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Fëmijët ishin bërë gati për të marrë rrugën e gjatë, siç është rruga e dijes. Kilometrat për të mbërri në objektin e dijes nuk janë pak për moshën që kanë. Duhet të shkojnë në fshatin fqinj, pasi në Merdar nuk ka objekt shkollor. Ky është fshati pa shkollë!

Vendi ku ata jetojnë nuk është i panjohur. Porta 3, siç quhet pika kufitare në Merdar të Podujevës, pret e përcjell qindra mijëra udhëtarë brenda vitit. Edhe mallrat, deri para vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet serbe e boshnjake, ishin më të shumtat që hynin nëpër këtë kufi, shkruan sot “Koha Ditore”. Por, banorët e fshatit Merdar përveçqë nuk kanë shkollë, ambulancë e xhami, ata nuk kanë as dyqan ku mund të blejnë gjërat ushqimore. Ky është fshat i kontrasteve.

Në një ditë nëntori me shi, nxënës të klasës së dytë dhe të tretë nga Lagjja e Bajgorëve, që gjendet në një kodër në anën jugore të fshatit, tashmë po niseshin për në fshatin fqinj, Shtedim, atje ku gjendet shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Sheqë Mirofci”. Florent Abdullahu ndjek mësimin në klasën e dytë. Ai bashkë me kushëri e kushërira bëjnë disa kilometra këmbë nëpër rrugën e asfaltuar të fshatit, për të dalë në magjistrale, skaj së cilës gjendet shkolla. Vështirësitë thonë se janë të mëdha. Frika nga qentë endacakë është njëra nga to. Por, dëshira për dije është më e madhe.

“Po lodhemi…Tutemi nga qentë…Jo (nuk përton të shkojë në shkollë v.j.). Nisëm në 12:00 e në mësim hyjmë në 12:45”, thotë Florenti, që dëshiron të bëhet mësues dhe të ketë shkollë në fshatin e tij.

Në Merdar kurrë s`ka pasur shkollë

Edhe prindin e tij, Ademin, e mundon çështja e mungesës së një shkolle në Merdar. Thotë se vetë e kanë të pamundur t’i bartin fëmijët çdo ditë në shkollë.

Sipas tij, sigurimi i një transporti nga ana e Komunës së Podujevës do t’ua lehtësonte rrugën fëmijëve të tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme