Google ADS

Fryma armiqësore në zgjedhjet lokale mund t’i përçajë koalicionet në qendër

16:42 | 31 Gusht 2017
Arbresh.info

Ndonëse kanë lidhur koalicione në nivel qendror, partitë politike do të garojnë të vetme në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor. Por, gjuha e tyre ndaj kundërkandidatëve do të jetë e kujdesshme, duke marrë për bazë bashkëpunimin në nivel qendror. Megjithatë, analistët thotë se mund të ketë edhe përçarje, sidomos në komunat ku rezultati do të jetë i ngushtë.

PDK-AAK-Nisma dhe partitë tjera, i njohur si koalicioni PAN, u bën bashkë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. I fituan zgjedhjet kundrejt koalicionit tjetër LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, i njohur si koalicioni LAA.

Edhe pse janë bërë diku dy muaj nga certifikimi i zgjedhjeve, koalicioni PAN ende nuk ka arritur t’i formojë institucionet, për shkak se nuk ka vota të mjaftueshme për ta bërë këtë.

Derisa vonohet themelimi i institucioneve qendrore, aq më shumë po afrohen zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 22 tetor.

Por sa do të ndikojnë koalicionet në nivel qendror në gjuhën ndaj kundër kandidatëve në nivel lokal?

Partitë kanë vendosur të garojnë të vetme në këto zgjedhje. Por analistët vlerësojnë se koalicionet në nivel qendror pritet të bashkëpunojnë edhe në nivel lokal.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka thënë për Gazetën Insajderi se koalicionet qendrore do të ndikojnë edhe në zgjedhjet lokale.

“Koalicioni qendror do të determinojë edhe fushatën dhe koalicionet lokale. Partitë politike llogaritë po i bëjnë duke pasur parasysh zgjedhjet lokale”, ka thënë Mushkolaj.

Ai pret që koalicionet qendrore të punojnë kundër rivalëve tjerë politikë.

“Partnerët politikë në koalicionin qendror pres që në fushatë të funksionojnë kryesisht bashkë, karshi partive rivale, por qasja e tyre do të varet edhe nga specifikat e komunave dhe relacionet lokale të partive politike”, ka thënë më tej Mushkolaj.

Por, zgjedhjet lokale mund edhe t’i ‘acarojnë’ marrëdhëniet e koalicioneve në nivel qendror, sidomos në ato komuna ku rezultati është i ngushtë.

Isuf Zejna nga ‘Demokraci Plus’ ka thënë se zgjedhjet lokale mund të ndikojnë edhe në qendër.

“Gjuha e përdorur nga partitë politike në zgjedhjet lokale dhe koalicionet që do të bëhen pas raundit të parë do të kenë një ndikim të madh edhe në qendër”, ka thënë Zejna.

Sipas tij, kjo mund të ndodh sidomos në komunat ku rezultati mes partive është i ngushtë.

“Sidomos në komunat e mëdha të Kosovës ku rezultatet mes partive do të jenë të ngushta”, ka shtuar ai.

Fryma e zgjedhjeve lokale, sipas tij, mund të jetë përcaktuese edhe për koalicionin në nivel qendror.

“Do të kenë edhe ndikimin në përcaktimin e koalicionit qeverisës në vend. Për shembull, është e pamundur në rrethanat tona që LDK dhe Vetëvendosje të jenë bashkë në qeverisje në nivel qendrore e kundërshtarë në Prishtinë”, ka thënë tutje Zejna.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme