Google ADS

Freedom House: Korrupsioni dhe ndikimi politik në gjyqësor, shqetësime të vazhdueshme në Kosovë

21:53 | 24 Prill 2024
KRG

Organizata Freedom House me seli në Uashington publikoi të mërkurën raportin e saj për Kosovën, duke vlerësuar se ky vend vazhdon të jetë pjesërisht i lirë dhe nuk ka shënuar përparim, në veçanti në çrrënjosjen e korrupsionit dhe ndikimin politik në institucionet e drejtësisë.

Raporti për gjendjen e demokracisë në Kosovë ngre shqetësime edhe për lirinë dhe pavarësinë e mediave, si dhe përdorimin e dhunës, duke marrë për bazë trazirat në pjesën veriore të Kosovës pas zgjedhjeve lokale të prillit 2023 dhe sulmin e grupit të armatosur serb në fshatin Banjskë, në të cilin u vra një polic i Kosovës.

“Shumë institucione publike dëmtohen nga korrupsioni i ngulitur, ndonëse ka shenja se një gjeneratë e re politikanësh po ndërmarrin hapa për të luftuar praktikat korruptive nëpërmjet reformave ligjore dhe administrative”, thuhet në raport. “Gazetarët vazhdojnë të përballen me kërcënime, sidomos në rrjetet sociale. Sundimi i ligjit pengohet nga ndërhyrja dhe mosfunksionimi i institucioneve të drejtësisë”.

Në raport, i cili merr në vlerësim një sërë kriteresh për gjendjen e proceseve demokratike në vend, thuhet se “korrupsioni dhe klientelizmi vazhdojnë të ndikojnë në përzgjedhjen e votuesve gjatë zgjedhjeve, sikurse edhe trysnia nga interesat e fuqishme të interesave të biznesit”. Raporti shton se Serbia vazhdon të ndikojë në platformën e Listës Serbe dhe vendimet politike të serbëve të Kosovës.

“Ndikimi afatgjatë i korrupsionit është ende i dukshëm në institucionet publike, përkundër përpjekjeve të qeverisë për ta luftuar atë. Që nga pavarësia, autoritetet kanë treguar pak përkushtim në hetimin e korrupsionit të lartë”, thuhet në raport.

Në raport thuhet se “disa figura politike në Kosovë kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë”, por se zgjedhjet e vitit 2021 sollën “një ndryshim të madh në skenën politike të Kosovës, duke kaluar në opozitë një numër figurash të rëndësishme që ishin të përfshirë në aktivitete të jashtëligjshme”.

Sipas Freedom House, ndër problemet me të cilat përballet Kosova në betejën me korrupsionin janë kompetencat e paqarta të organeve që duhet ta luftojnë korrupsionin dhe mungesa e koordinimit mes tyre.

Raporti thekson se Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti ka ndërmarrë një mori reformash për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, por se disa prej këtyre masave, siç është ligji për themelimin e agjencisë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurive të pajustifikuara, kanë shkaktuar shqetësime se mund të politizohen dhe se tani po sfidohen në Gjykatën Kushtetuese.

Në raport kritikohet mungesa e transparencës së qeverisë aktuale të Kosovës. “Qeveria e zotit Kurti ka marrë një sërë vendimesh – përfshirë vendime që lidhen me procesin e dialogut Kosovë-Serbi – me transparencë të kufizuar dhe pa u konsultuar me Kuvendin, duke shkaktuar kritika nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile”.

Raporti i Freedom House po ashtu thekson se “ndërhyrja politike në institucionet e drejtësisë vazhdon të jetë problem dhe se korrupsioni gjithëpërfshirës në organet e drejtësisë ka ndikim negativ në pavarësinë” e tyre.

Raporti po ashtu thekson se institucionet qeveritare shpesh refuzojnë kërkesat ligjore për qasje në informacionin publik pa dhënë ndonjë justifikim.

“Prokurorët dhe gjykatat mbeten të ndikuara nga ndërhyrja politike dhe korrupsioni i elitave të fuqishme të politikës dhe biznesit, duke dëmtuar procesin gjyqësor”, shtohet në raport.

Në raport një vlerësim i zymtë i bëhet edhe gjendjes së mediave në Kosovë dhe sigurisë së gazetarëve, për të cilët Freedom House thotë se janë objektiv për keqtrajtime, kërcënime dhe që shpeshherë veprojnë me të vetëçensuruar.

Në trajtimin e gjendjes së pakënaqshme të mediave në Kosovë, raporti shtjellon rastin e televizionit kryesor privat Klan Kosova, të cilit qeveria e Kosovës në qershor të 2023 ia pezulloi certifikatën e biznesit për shkak të parregullsive të pretenduara në regjistrimin e tij, një veprim që u dënua nga gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile si sulm ndaj lirisë së fjalës dhe mediave, sipas raportit.

Raporti hedh dritë edhe mbi praktikat diskriminuese ndaj komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë në arsim, punësim dhe qasje në shërbime. I diskriminuar, sipas Freedom House, mbetet edhe komuniteti LGBT dhe thekson se Kodi Civil i Kosovës nuk e lejon partneritetin mes të njëjtës gjini si të drejtë ligjore. Në po këto rrethana janë edhe gratë, të cilat janë të diskriminuara në postet e larta qeveritare dhe në sektorin privat./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme