Forumi Ekonomik Kosovë-Turqi, Peci flet për eksportin e prodhimeve bujqësore të Kosovës

22:51 | 3 Qershor 2024
E.G

Forumi Ekonomik Kosovë-Turqi është mbajtur sot në Stamboll, ku u prezantua edhe potenciali i Kosovës për investitorët nga Turqia.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, me anë të një postimi në Facebook, njoftoi se ka prezantuar rritjen e eksportit të prodhimeve bujqësore, shkruan Arbresh.info.

“Gjatë vizitës zyrtare në margjinat e Forumit Ekonomik Kosovaro-Turk, në panelin me temën “Mundësitë e Investimeve në Biznes” diskutuam rreth mundësive të shumta që ofron sektori i bujqësisë dhe agrobiznesit. Njoftova pjesëmarrësit në forum si dhe në takimet G2G mbi hapat e ndërmarrë karshi avancimit të legjislacionit si dhe krijimit të klimës së favorshme për investitorë potencial duke theksuar kështu sektorin e prodhimtarisë perimtare dhe atë të përpunimit të ushqimit”, ka shkruar ai.

Ministri Peci ka shkruar se falë politikave të qëndrueshme zhvillimore, përgjatë takimeve G2G, ka prezantuar rritjen e eksportit të prodhimeve bujqësore, investimet e qëndrueshme në ngritje të kapaciteteve të fermave, rritjen e sipërfaqeve me sera; gjë që ka ndikuar edhe në fuqizimin ekonomik të sektorit të bujqësisë./Arbresh.info/

Të ngjashme