Google ADS

Fondi Emergjent për ndihmë nga vërshimet në Skenderaj, ku shkuan parat e mbledhura?

12:25 | 14 Maj 2023
A Z

Reshjet e mëdha të shiut në janarin e këtij viti shkaktuan vërshime të mëdha në disa qytete e fshatra rreth tyre.

Peja, Istogu, Klina, Mitrovica dhe Skenderaj u prekën nga këto vërshime, raporton Arbresh.info.

Por, më së shumti e pësoi komuna e Skenderajt, për të cilën kryetari i saj, Fadil Nura kishte kërkuar ndihmë, duke hapur kështu një Fondacion Emergjent.

Komuna e Skenderajt në një përgjigje për Arbresh.info ka theksuar se janë grumbulluar gjithsej 414,403.00 euro në këtë fond, i cili ka qenë në pronësi të Komunës që nga dita e parë kur është hap e deri në ditën kur është mbyllur.

Sipas zyrtarëve të kësaj Komune nga Fondi Emergjent do përfitojnë 373 familje nga Skenderaj me nga 1,111 euro .

“Ka qenë vlerësim i Ekzekutivit, përkatësisht komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve, që shuma e mjeteve të grumbulluara në fond, të ndahen në mënyrë proporcionale për të gjitha familjet e prekura nga vërshimet. Pra, numri i familjeve të goditura ka qenë 373, dhe secila familje ka përfituar nga 1,111.00 euro. Fondi është shpërndarë vetëm për ekonomitë familjare, meqë ka qenë qëllim i atyre që kanë kontribuar, të ndihmohen familjet e prekura”, thuhet në përgjigjen e Komunës për ‘Arbresh.info’.

Komuna thotë se ka përfunduar të gjitha procedurat sa i takon ekzekutimit të mjeteve financiare tek familjet e prekura nga këto vërshime.

Nga Komuna e Skenderajt thonë se për të qenë sa me korrekt me Fondin Emergjent, Komisioni ka vizituar çdo shtëpi që është prekur nga vërshimet, ku janë mbledhur fotografi dhe dëshmi të dëmit.

“Kryetari i Komunës, Fadil Nura, një ditë pasi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ka themeluar me vendim komisionin komunal për vlerësimin e dëmeve. Secili komision, me procesverbal, ka vizituar çdo shtëpi, përkatësisht familje të prekura nga vërshimet e 19 janarit. Gjatë këtij procesi, janë mbledhur fotografi dhe dëshmi relevante të dëmit të pësuar. Më pas, çdo shënim që ka vërtetuar dëmin e shkaktuar, është futur në sistemin e të dhënave si data bazë e përgjithshme”, thuhet tutje në përgjigjen e Komunës.

Disa familje tentuan të përfitojnë nga Fondi Emergjent pa u prekur fare nga vërshimet

Pas kësaj tragjedie, ka edhe raste kur disa familje kanë tentuar të përfitojnë, duke pretenduar se janë dëmtuar nga vërshimet.

Por, pretendimet e tyre u demantuan, pasi Komisioni vizitoi familjet dëmtuara.

“Komisionet komunale kanë vizituar çdo shtëpi/ekonomi familjare që ka pësuar dëm nga vërshimet. Megjithëkëtë, ka pasur disa ankesa në numër të vogël, që nuk janë trajtuar mjaftueshëm gjatë procesit të vlerësimit të dëmit, dhe komisioni më pas ka rishqyrtuar lëndët në fjalë, dhe ka marrë vendimin përfundimtar në favor të familjeve e tyre. Sa u përket familjeve që ka kanë pretenduar se janë dëmtuar, e që në fakt nuk ka ndodhur në të vërtetë, janë 4 raste të cilat mbase mund të kenë menduar të përfitojnë pa u dëmtuar. Komisioni në këto raste ka verifikuar lëndët dhe ka nxjerr përfundimin se familjet në fjalë nuk kanë qenë të goditura nga vërshimet, duke i larguar më pas nga lista e përfituesve”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Skenderajt.

Flet drenicaku pas dëmit të shkaktuar në shtëpinë e tij

Ani pse Komuna e Skenderajt deklaron se 373 familje të prekura nga vërshimet kanë marrë paratë në mënyrë të barabartë nga Fondi Emergjent, disa qytetarë të kësaj  komune, të cilët ishin prekur nga vërshimet, thonë të kundërtën

Kati i parë i shtëpisë së F.G nga Skenderaj u bë i pabanueshëm.

Kjo sepse, një degë e lumit “Klina” që kalon buzë shtëpisë së tij, doli nga shtrati duke ia shkatërruar çdo gjë që ndodhej brenda.

Përveç dëmit të madh, ai, për ‘Arbresh.info’ deklaroi se ka shumë parregullsi në vërtetimin e dëmit, sepse sipas tij ka familje që për përfitime materiale, kanë manipuluar në lidhje më këtë çështje.

“Ne e kemi nënshkrua një marrëveshjen që me na ndihmu komuna pak për shtëpinë që është prish. Ka qenë komuna me na vizitu, e kanë parë ata vetë dëmin. Ka familje këtu që nuk është dëmtuar shtëpia fare por kanë gënjyer për dëmin, për të fituar paratë”, deklaroi qytetari për Arbresh.info.

Situata në këtë komunë është qetësuar, por dëmet vështirë se do të rimëkëmben shpejtë.

Kujtojmë se nuk ishte vetëm rajoni i Drenicës që u vërshuan. Gjendje Emergjente u shpall edhe në Mitrovicë.

Nga vërshimet ishte prekur edhe Peja, Istogu, Klina, Mitrovica dhe Podujeva./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

 

 

Të ngjashme