FMN rekomandon rishqyrtim të mëtutjeshëm të projektligjit për punëtorët e Arsimit të viteve 90-ta

10:06 | 18 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Komisioni për Integrime Evropiane , Komisioni për Buxhet dhe Financa si dhe Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, tashmë i kanë dhënë dritën e gjelbër për në Kuvendin e Kosovës projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990-të.
Përkundër vërejtjeve të shumta, projektligji për mësimdhënësit e viteve 90-ta do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim. Por, edhe pas ndryshimeve ky projektligj thuhet se e ngarkon buxhetin e Kosovës.

Në fillim përfituesit ishin ndarë në dy kategori: 5 dhe 10 vite, por pas miratimit të leximit të parë në Kuvend, komisioni për Arsim kishte vendosur që ta ndajë në 9 kategori.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë mbledhje në Komision kishte thënë se e kanë futur këtë projektligj në buxhetin e vitit 2019, por se kishte ngreh shqetësimet se ky projektligj e ngarkon buxhetin e Kosovës, shkruan lajmi.net.

E të njëjtin mendim ndan edhe Fondi Monetar Ndërkombëtarë (FMN), të cilët e kishin kundërshtuar fuqishëm këtë projektligj.

Në një përgjigje me shkrim për lajmi.net, Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Ruud Vermeulen, ka thënë se verzioni i fundit është më pak dorëlëshuar, por shton se ky projektligj vazhdon të mbetet shqetësues për ta.

Ai theksoi se në vend se të ofrohet pension jetësor, opsion më i mirë do të ishte ofrimi i një kompensimi të pandryshueshëm dhe unik, i cili do të paguhej në këste.

“Derisa verzioni më i fundit është më pak dorëlëshuar seç është propozuar më herët, duke e ulur koston fiskale, shqetësimet tona të mëhershme mbesin. Prapëseprapë, projektligji ofron pension të përhershëm me përfitime që lidhen me pagën bazë të mësimdhënësit dhe do të krijonte kërkesa të ngjashme nga grupet tjera. Kjo mund të krijojë ndryshim negativ në pensionet, sepse derisa do të rriteshin përfitimet, do të rriteshin edhe pagat, dhe kjo do të mundë të çojë në rritjet të mëtejme të përfitimeve kategorike, duke e minuar qëndrueshmërinë dhe ndershmërinë e sistemi të pensionit dhe socialit në Kosovë për këto arsyeje ne ende jemi të shqetësuar për këtë projektligj”, ka thënë Vermeulen.

Por, se si do të ndikojë ky projektligj në buxhetin e vendit, Vermeulen thotë se duke i përdorur shifrat e prezantuara në verzionin e mëhershëm të projektligjit, kostoja e plotë për vitin 2019 do të ishte jo më shumë se 8 apo 9 milionë euro, derisa shton se kostot pritet të rriten dhe ka mundësi të dyfishohen apo trefishohen në 10 vitet e ardhshme.

“Pa pasur informacione të detajuara rreth viteve të përvojës së mësimdhënësve në fund të viteve 1990-ta, është e vështirë ta vlerësosh ndikimin fiskal. Duke i përdorur shifrat e prezantuara në verzionin e mëhershëm të projektligjit, atëherë kostoja e plotë për vitin 2019 do të ishte jo më shumë se 8 apo 9 milionë euro, apo një e treta e kostos së vlerësuar në verzionin e mëhershëm, sipas një vlerësimi të thjeshtë kostot pritet të rriten edhe më tej me kalimin e kohës, dhe ka mundësi të dyfishohen apo trefishohen në 10 vitet e ardhshme, sepse më shumë mësimdhënës pensionohen dhe pagat rriten megjithatë, kostoja aktuale mund të jetë shumë më e lartë nëse e përfshijmë efektin domino në kategoritë tjera”, ka shtuar tutje Vermeulen.

Po ashtu shefi i FMN-së, kërkon që ky projektligj të rishkruhet në mënyre që të jetë i drejt për mësimdhënësit dhe taksapaguesit njollojë, duke shtuar se në këtë mënyre do të ofronte një kompensim të arsyeshëm që Kosova do të mund ta përballonte.

“Sipas mendimit tonë, ligji duhet të rishkruhet për të qenë i drejtë me mësimdhënësit dhe taksapaguesit njëlloj, duke ofruar një kompensim të arsyeshëm dhe me limit kohor që Kosova mund ta përballojë, duke marrë parasysh kompensimin që mësimdhënësit tashmë e kanë marrë për punën e tyre gjatë asaj kohe, si dhe pagat e mësimdhënësve të përshtatura me nivelin e aftësive të paguara gjatë asaj kohe apo ashtu, sistemi i pensionit të pleqërisë nuk është instrumenti i duhur për t’i kompensuar punonjësit e edukimit, në vend se të ofrohet pension jetësor, opsion më i mirë do të ishte ofrimi i një kompensimi të pandryshueshëm dhe unik, i cili do të paguhej në këste, në mënyrë që kostoja të shpërndahet në buxhete të shumëfishta”, shton me tej Vermeulen.

Vermeulen po ashtu shprehet i shqetësuar se miratimi i këtij projektligji do të ndikonte edhe në kategoritë e tjera, pasi siç shprehet ai, edhe grupet tjera do të mund të kërkojnë të njëjtën gjë.

“Dua të theksoj përsëri se shqetësimi për ndikimin që mund ta hapë ky vazhdon të ekzistojë, sepse në këtë mënyrë edhe grupet tjera mund të kërkojnë të njëjtën gjë. Kosova duhet të mendojë përsëri nëse duhet ta ketë prioritet kompensimin për të kaluarën apo përdorimin e resurseve të kufizuara që i ka për të investuar në të ardhmen e vet, duke ofruar edukim, shëndetësi dhe infrastrukturë më të mirë, për të arritur rritje më të lartë dhe të paanshme për të cilën ka nevojë vendi në mënyrë që t’i përmirësojë kushtet jetësore dhe ta adresojë nivelin tejet të lartë të papunësisë”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme