FMN: Populli i Kosovës dhe ekonomia e saj janë goditur rëndë nga pandemia

18:26 | 8 Tetor 2020
Arbresh.info

Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka përpiluar deklaratën në fund të vizitës zyrtare.

Në përfundim thuhet se Kosova është goditur rëndë ekonomikisht nga pandemia, shkruan portali arbresh.info.

“Populli i Kosovës dhe ekonomia e saj janë goditur rëndë nga pandemia. Politikat fiskale dhe financiare kanë zbutur ndikimin e goditjes në ekonomitë familjare dhe biznese, ndonëse mungesa e konsensusit politik deri më tani ka parandaluar një reagim më të fortë të politikave. Rritja e lartë e rasteve të infektimeve në periudhën korrik-gusht e detyroi qeverinë që ta ngadalësojë rihapjen dhe të rivendosë masa të pjesshme të mbylljes, duke frenuar kështu rikthimin ekonomik fillestar. Fokusi i politikave afatshkurtra duhet të jetë në sigurimin që sistemi shëndetësor të mund ta përballojë efektshëm kërkesën jashtëzakonisht të lartë për shërbime shëndetësore, duke vazhduar me mbështetje të të ardhurave. Në këtë pasiguri mjaft të lartë, prioritet kryesore janë:

  • Politika fiskale duhet të vazhdojë t’i zbusë humbjet e të ardhurave për ekonomitë familjare dhe bizneset, ndonëse forcimi i modelit, targetimit dhe transparencës së masave është jetik për periudhën vijuese. Përderisa pezullimi i rregulles fiskale më 2020–2021 është i arsyetuar, ai duhet të kombinohet me një zotim të komunikuar qartas për rivendosjen graduale të tij, nëse rimëkëmbja ekonomike stabilizohet.
  • Nga ana tjetër, politikat financiare duhet të vazhdojnë të zbusin goditjen që kanë pësuar të ardhurat, pa rrezikuar stabilitetin e sektorit bankar.
  • Përderisa ruajtja e shëndetit të njerëzve dhe luftimi i recesionit janë prioritete afatshkurtre, pandemia ka përkeqësuar një numër sfidash para-ekzistuese strukturore. Adresimi i tyre vazhdon të jetë me rëndësi të madhe për rritjen e produktivitetit dhe për të siguruar që sukseset ndahen në mënyrë të barabartë.

Kosova është goditur rëndë nga Pandemia Pas një rritjeje të konsiderueshme të rasteve gjatë muajve korrik e gusht, rastet e reja të COVID-19 janë ulur ndjeshëm së fundmi. Përderisa sistemi shëndetësor ka reaguar mirë, kapaciteti i tij ishte testuar maksimalisht në kulmin e përhapjes, gjatë muajit gusht. Në frontin ekonomik, BPV reale parashikohet të pësojë rënie prej 7.5 për qind më 2020 dhe të kthehet me 6 për qind më 2021.1 Rënia e rritjes në shtetet ku kemi prani të madhe të diasporës së Kosovës (-6 për qind në 2020), si dhe kufizimet ndërkombëtare të udhëtimit do t’i kushtojnë Kosovës 6 pikë përqindjeje të BPV-së në të hyrat nga diaspora për vitin 2020. Kjo do të rëndojë efektin negativ në rritje nga rëniet e detyrueshme dhe vullnetare të lëvizjes brenda vendit dhe pasigurisë së shtuar.

Deklarata përmbyllëse përshkruan gjetjet preliminare të stafit të FMN në fund të vizitës zyrtare (apo ‘misionit’), në shumicën e rasteve në shtetin anëtar. Misionet realizohen si pjesë e konsultimeve të rregullta (zakonisht vjetore) në kuadër të Nenit IV të Neneve të Marrëveshjes të FMN-së, në kontekst të kërkesës për të shfrytëzuar resurset e FMN (huamarrje nga FMN), si pjesë e diskutimeve të programeve të  monitoruara të stafit, apo si pjesë e monitorimeve të tjera të stafit të zhvillimeve ekonomike./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme