Google ADS

Fletarrestet e Rusisë, reagon Sveçla thotë se nuk është brengë e tij

12:36 | 4 Mars 2024
E.G

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se Rusia ka lëshuar fletarrest ndërkombëtar për disa zyrtarë të njësive elite të Policisë së Kosovës.

Ministri ka thënë se janë informuar zyrtarisht për fletarrestin ndërkombëtar ndaj komandantit të njësisë speciale, Besart Ahmeti. Sipas tij, nga Rusia nuk pritet asgjë mirë, por kjo siç ka thënë Sveçla, nuk është brengë e tij e as Ahmetit.

“Prej Rusisë nuk pritet asgjë mirë, Besarti është mirë… e dimë, e kemi informatën zyrtare por nuk është ajo brenga as e imja, as e Besartit”, deklaroi Sveçla.

Fletarrestet e Rusisë ndaj pjesëtareve të Policisë së Kosovës vijnë pak muaj pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë dhe si kundërpërgjigje ndaj flet-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i për kryekriminelin serb të veriut, Millan Radojiçiq dhe disa pjesëmarrës të tjerë në sulmin terrorist në Banjskë.

Megjithëse pretekst është marrë pjesëmarrja e tyre në vitet e fundit në aksionet e Policisë për vendosjen e rendit dhe ligji në veri të Kosovës, përfshirë arrestimin e një shtetasi rus më 2019, për barrikadat në veri.

Me lëshimin e këtij fletarrestimi, Rusia ka kërkuar që këta zyrtarë policorë kosovarë të futen në listën e kërkimit të INTERPOL-it./rtk/

Të ngjashme