Mori udhëheqjen e komunës që dikur konsiderohej si fortesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe beson se edhe kolegët e tij në komunat tjera do të kenë fatin e njëjtë.
Bëhet fjalë për Podujevën që është mbajtur thuajse prej 20 vitesh nga kjo parti, shkruan portali arbresh.info
Është ky Shpejtim Bulliqi, dikur deputet i LDK-së tani kryetari i Komunës së Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një intervistë për portalin arbresh.info me të marrë detyrën e re, thotë se nuk mund të bëhen mrekulli për nëntë muaj, aq sa është mandati komunal.
“S’mund të bëjmë mrekulli për nëntë muaj por do të punojmë aq sa qytetarët llapjanë ta vërejnë ndryshimin”, thotë Bulliqi.
Ai rreth detyrës së re që ka marrë thotë se do të jetë sfidë, por se do të bëjë ç’të jetë e mundur që të vërehet se ka arritur ndryshimi në Llap.
“Po marr një përgjegjësi që ma kanë besuar qytetarët llapjanë kjo do të jetë sfidë dhe angazhim maksimal në realizimin e kërkesave. Jemi të vetëdijshëm që qytetarët tanë kanë nevojë të madhe, por besoj që bashkërisht me ekipin tim dhe me Asamblenë Komunale do t’ju dalim në ndihmë. E dimë që do të jetë sfidë në një periudhë të shkurtër. Ne s’mund të bëjmë mrekulli për nëntë muaj, por do të bëj që të vërehet që ka arritur ndryshimi në Llap”, thotë Bulliqi.
Bulliqi që në krye të Podujevës do të jetë vetëm për më pak se nëntë muaj, ka folur edhe për numrat e kësaj partie brenda Kuvendit Komunal.
Ndonëse e dinë që me asamblistët e saj do ta ketë të vështirë të mbajë premtimet e dhëna, ai ka treguar se mbështetje do të kërkojë tek partitë e tjera brenda kuvendit.
“Gjithsesi bashkëpunimi do të jetë me të gjitha partitë politike që janë në kuvendin komunal. Angazhimi do të jetë në një bashkëpunim të ngushtë më subjektet politike për të mirat e qytetarëve të Llapit. Besoj që të gjithë janë të interesuar që të realizohen kërkesat e llapjanëve pa dallime partie”.
Për marrjen e bastionit të LDK-së, Bulliqi tregon se ishin qytetarët llapjanë ata që ndryshuan.
E njëjtë si në Podujevë, Bulliqi pret që kolegët e tij partiakë të fitojnë edhe në komunat e tjera në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
“Ne se kemi rrëzuar asnjë bastion, qytetarët e Llapit e kanë bërë ndryshimin dhe besojmë që angazhimi ynë do të jetë edhe më tutje. Po e shohim që pluralizmi politik në Kosovë është ngritur. Besoj që shumë prej kolegëve të mi në vitin e ardhshëm do të kenë shansin që të fitojnë nëpër komunat e tjera”.
Ndryshe Shpejtim Bulliqi ka fituar zgjedhjet komunale të datës 29 nëntor në Komunën e Podujevës me 51.9 përqind të votave./V.Selimi/arbresh.info/
E akuzoi se ka pëlqim ndaj tij, Gresa shpërthen në lot nga X...
Grupi “Shkodra Elektronike” me një falënderim të veçantë për...
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...