Një skemë e afateve për palët negociuese të Kosovës e Serbisë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ose Bashkimit Evropian mund të sjellë një rezultat përfundimtar. Rusia mund të jetë vëzhguese, por jo edhe pjesëmarrëse aktive.
Dhe Bashkimi Evropian duhet përfundimisht të kushtëzojë integrimin e Serbisë, me njohjen e pavarësisë brenda kufijëve ekzistues, shkruan arbresh.info.
Këto janë disa nga përfundimet rreth këtij procesi që i deklaron për portalin arbresh.info, David Phillips, drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në Neë York.
“Axhenda për dialogun Kosovë-Serbi duhet të adresojë çështjet thelbësore. Normalizimi nuk është përcaktuar kurrë. As normalizimi nuk është vendosur si objektivi përfundimtar i bisedimeve, vlerëson David Phillips.
Ai thotë se vetëm përfshirja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia brenda kufijve ekzistues të Kosovës, mund të dërgoj të një normalizim të dy vendeve.
“Normalizimi duhet të përfshijë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia brenda kufijve ekzistues të Kosovës. Serbia duhet të braktisë të gjitha përpjekjet për të penguar përpjekjet e Kosovës për të fituar një njohje më të madhe globale. Targat dhe diplomat janë të rëndësishme, por dialogu duhet të adresojë statusin e Kosovës”.
Phillips: Rusia vëzhgues, por jo edhe aktive në negociatat Kosovë-Serbi
David L. Phillips, ka folur edhe lidhur më mundësin e inkuadrimit të Rusisë në këtë proces.
Sipas tij, Rusia është një aktor i keq dhe roli i saj duhet të jetë i kufizuar.
Deri sa thekson se arkitektura duhet të përfshijë një rol më të fuqishëm për SHBA-të së bashku me ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak.
“Arkitektura duhet të përfshijë një rol më të fuqishëm për SHBA-të së bashku me ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak. Formati i Vjenës është një referencë e dobishme. Disa argumentojnë se një rol më i dukshëm prej SHBA-ve do të kërkonte pjesëmarrje më të madhe të Rusisë. Unë e hedh poshtë atë nocion. Rusia mund të jetë vëzhguese, por jo pjesëmarrëse aktive për shkak të paragjykimit të saj ndaj Serbisë dhe qëllimeve të këqija ndaj Kosovës. Rusia është një aktor i keq, roli i të cilit duhet të jetë i kufizuar”.
David Phillips: Afatet përqendrojnë negociatorët në një zgjidhje
E për zvarritjen e përfundimit të këtij dialogu, drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut, e ka një emër.
Sipas tij, Lajçak duhet të përsërisë publikisht se kandidatura e Serbisë për BE do të ngecë derisa Beogradi të normalizojë marrëdhëniet me Prishtinën.
“Afati kohor duhet të përfshijë një afat të caktuar. Negociatat nuk mund të jenë të hapura. Kemi mësuar nga ndërmjetësimi i Senatorit George Mitchell në Marrëveshjen e së Premtes së Mirë për Irlandën e Veriut se një afat i fundit ndihmon në përqendrimin e mendjeve të negociatorëve dhe mund të nxjerrë një rezultat. Serbia ka qenë bllokuesja. Lajçak duhet të përsërisë publikisht se kandidatura e Serbisë për BE do të ngecë derisa Beogradi të normalizojë marrëdhëniet me Prishtinën. Nëse Serbia refuzon të bashkëpunojë, bisedimet për pranimin e saj në BE duhet të pezullohen”, ka përfunduar ai për arbresh.info.
Kujtojmë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, ka filluar në korrik pas 20 muajsh bllokim.
Pa kaluar as dy muaj në mes dy vendeve u arrit një marrëveshje ekonomike, jo në Bruksel por në Shtëpinë e Bardhë në praninë e presidentit amerikan Donald Trump./V.Selimi/arbresh.info/
Kurti paralajmëron për sulme të reja nga Serbia: Pritet të n...
Medon Berisha flet pasi është kthyer në një titullar të padi...
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...