Flet Nehat Thaçi| Vetëvrasjet në burgje shqetësuese, aktualisht katër të burgosur të infektuar me COVID-19

12:04 | 29 Gusht 2020
Arbresh.info

Nga marsi janë marrë një sërë masash në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe varësisht nga vendimet e Qeverisë së Kosovës, duke u bazuar edhe në përvojat globale dhe janë aplikuar masa që kanë treguar rezultat në nivel botëror.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, thotë se Kosova mund të mburret me menaxhimin e pandemisë në shërbimet korrektuese.

Deri tani 26 zyrtarë korrektues kanë qenë të infektuar, dhe aktualisht aktiv janë gjashtë.

Këto statistika, që nga fillimi i pandemisë, Thaçi thotë se tregojnë se sa kanë arritur të menaxhojnë situatën brenda burgjeve.

“Katër të burgosur kanë rezultuar pozitiv, dhe dy zyrtarë korrektues, njëri kuzhinier. Përveç që kanë dalë pozitiv, ata janë në një gjendje të mirë shëndetësore. Pasi ju ka skaduar libreza sanitare, ju është bërë edhe testi, dhe kanë rezultuar pozitiv”, është shprehur Thaçi.

Ai thotë se teste kanë bërë varësisht prej nevojës.

“Asnjëherë nuk kemi pas rast kur zyrtari korrektues ka rezultuar pozitiv dhe ka pasë kontakt me të burgosurit për shkak se gjatë gjithë kohës janë respektuar masat mbrojtjes”, deklaron Thaçi.

Në fillim të pandemisë janë ndaluar vizitat e familjarëve, avokatëve dhe vikendeve, por Thaçi thotë se kanë instaluar komunikimin virtual, dhe të burgosurit dy herë në javë kanë realizuar komunikim me Skype, dhe telefonata pa limit.

Pas uljes së rasteve të infektuarve, thotë se janë lejuar vizitat, për të gjithë familjarët që sjellin një dëshmi se kanë rezultuar negativ në testin për COVID-19.

“Masat mbrojtëse duhet të merren nga dy palët. Varësisht nga gjendja në terren, nëse numri i të infektuarve zbret, fillojmë edhe me lehtësime të tjera”, bënë të ditur Thaçi.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve të jashtme, rutina e të burgosurve brenda nuk ka ndryshuar, përveç lëvizjeve nga jashtë.

“Që duhet të kalojë në fazën e karantinimit 14 ditor. Përveç pajisjeve higjienike, edhe ushqimet janë duke u mbikëqyrur të jenë sa më kalorike”, thotë ai.

arbresh.info: Në shtet tjera ka ndodhur edhe pezullimi i burgimit për ca kohë, por a ka pasur kërkesa nga të burgosurit në këtë drejtim që kanë ardhur tek ju me një kërkesë të tillë?

Thaçi: Kërkesat kanë qenë të panumërta, por jam kujdesur që të gjejmë mënyrën se si të pezullojmë dënimet, apo për naj amnisti të përgjithshme, apo diçka të ngjashme. Me Presidentin kemi diskutu si të vazhdohet, prandaj është dashtë të marrim parasysh mundësinë nga paneli për lirim me kusht, falja e Presidentit, dhe pezullim të dënimit për shkaqe shëndetësore.

arbresh.info: A ka të burgosur me sëmundje kronike?

Thaçi: Ka patur të burgosur me sëmundje kronike, disa nga ta duhet të dërgojmë në dializë dy herë në javë, dhe këto janë vështirësitë që na u kanë krijuar nga fillimi i pandemisë. Por, deri më tani asnjë nga ta nuk ka është infektuar.

arbresh.info: A janë shtuar kontrollet mjekësore nëpër burgjet e Kosovës?

Thaçi: Kontrollet kanë qenë të vazhdueshme dhe të shpeshta, që kanë dhënë rezultat, që të kemi numrin në minimum të burgosurve të infektuar.

arbresh.info: Sa të burgosur aktualisht gjenden ne burgje?

Thaçi: 1433 të burgosur, përfshirë edhe të paraburgosurit.

arbresh.info: Sa janë të sigurta burgjet në Kosovë nga arratisjet e mundshme të burgosurve?

Thaçi: Burgjet e Kosovës janë më të sigurta në rajon, dhe mburremi në rajon, dhe nuk ka patur ikje, por as tentativë, përveç rastet nga spitalet. Kjo për shkak të menaxhimit të mira nga zyrtarët korrektues.

arbresh.info: Sa burgje janë me ushtrues detyre dhe kur do të zgjedhën drejtorët?

Thaçi: Shërbimi Korrektues nuk e ka një ligj të mirëfilltë dhe kemi bërë kërkesë në MAP. Është hapë konkursi, por nuk a përfunduar kurrë. Kemi katër raste që janë drejtorë, bëhet fjalë për dy zëvendës drejtor, drejtorin në Mitrovicë, Pejë dhe drejtorin e Burgut të Sigurisë së Lartë që janë zëvendësues të drejtorëve.

arbresh.info: Kohëve të fundit është shtuar numri i të burgosurve që kanë bërë vetëvrasje, pse ka ndodhur kjo dhe çfarë masa keni marr për t’i ndaluar ato?

Thaçi: Vetëvrasja është mjaftë shqetësues për ne, dhe shprehë ngushëllime familjarëve për të gjithë ata që kanë humbur më të dashurit e tyre në burg. 20 vjet kam punuar në fushën e sigurisë, dhe kamë parë vend ngjarjet ku kanë ndodhur vend ngjarjet. Marrim masa preventive në momentin që kemi indikacione për mundësinë e lëndimit të vetes, apo të ja marrë jetën vetes. Jemi në kërkim të studimit dhe ndihmës nga profesionist se si të bëjmë identifikimin e hershëm të personave që nuk kanë ndonjë indikacion dhe vendosin për një herë të ja marrin jetën vetes. Një ndër trajnimet dhe investimet kyçe do të jetë për këtë çështje.

arbresh.info: Sa vetëvrasje kanë ndodhur në 3 vitet e fundit nëpër burgjet e Kosovës?

Thaçi: Për 20 vitet e fundit, janë 18 raste të vetëvrasjeve. Ka indikacion të rritjes në tri vitet e fundit, me katër raste. Dhe vetëm gjatë vitit 2020 kemi dy raste, dhe të cilët nuk kanë shfaqë asnjë indikacion se mund të ja marrin jetën vetës.

/E.Ballazhi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme