Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe sot e ka përsëritur se ushtria e Kosovës do të jetë forcë profesionale, në përputhje me standardet e NATO-s, shumetnike dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit.
Pavarësisht deklaratave të shumta si kjo e të parit të vendit, transformimi i FSK-në në FAK po vazhdon të zvarritet me muaj, e u shty edhe më gjatë pas rrëzimit të Qeverisë Mustafa.
Lidhur me këtë, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama ka thënë se FSK-ja është e gatshme të përmbush detyrat që i takojnë kurdo që merret vendimi për transformim.
Ai ka theksuar për Indeksonline se tashmë FSK-ja i ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme dhe i ka përfunduar të gjitha planet se si e mendojnë transformimin në ushtri.
“Ne jemi në proces, presim që sa më shpejt që është e mundur të merret vendimi dhe t’i kryejmë obligimet e detyrat tona, por prapë po e them që kjo varet prej vendimit politik. Pra, varet nga qeveria dhe shteti i Kosovës sepse besoj që është në interes të shtetit dhe qeverisë së re krijimi i ushtrisë dhe kjo nuk diskutohet”, ka thënë Rama.
Ai është shprehur i bindur se Kosova do të bëhet me ushtri deri në fund të vitit ashtu siç kanë deklaruar disa herë krerët e shtetit.
“Shpresojmë dhe besojmë duke u bazuar edhe në deklarimet e presidentit dhe të tjerëve që ushtria do të bëhet gjatë këtij viti. E rëndësishme është t’i kryejmë detyrat tona në mënyrë që kurdo që merret vendimi të jemi të gatshëm t’i implementojmë planet tona dhe ta ndërtojmë ushtrinë siç duhet”, ka shtuar Rama.
Kujtojmë se gjatë muajit mars presidenti Thaçi, i dorëzoi kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në ushtri të Kosovës, mirëpo, pa ju ndërruar emri.
Kundër formimit të ushtrisë së Kosovës ishin shprehur unanimisht deputetët serb në Kuvend të Kosovës, të cilët kishin thënë se nuk do ta mbështetin një nismë të tillë. Edhe kandidatët serb për deputet në legjislaturën e gjashtë kanë paralajmëruar se do të bllokojnë formimin e ushtrisë dhe çdo nismë tjetër që është në dëm të Serbisë. /arbresh.info/