Google ADS

Flet Kadri Kastrati| Gjerë e gjatë për zhvillimet që i paraprijnë anëtarësimit në NATO

09:07 | 7 Maj 2022
S D

Ish-Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, thotë se Kosova si synim strategjik e ka anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Posaçërisht sipas tij, në këtë kohë kur Ukraina dhe Rusia janë në luftë dhe siguria globale ka ndryshu në botë, dhe Kosova me anëtarësimin në NATO do të ketë siguri maksimale.

“Kosova si synim strategjikë e ka që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian e posaçërisht në NATO, tash pasi që lufta dhe siguria globale ka ndryshu në botë. Edhe për NATO-n do të ishte mirë për shkak se komplet Ballkani Perëndimor do të ishte në NATO dhe projekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik i NATO-s do të përmbushej. Për Kosovën është interesant sepse kur të jesh pjesë e NATO-s siguria e Kosovës do të jetë maksimale”, deklaron Kastrati në një intervistë për arbresh.info.

Sipas tij ushtria e Kosovës ka qenë e gatshme të anëtarësohet në NATO qysh para 3-4 viteve.

“Ushtria e Kosovës ka qenë e gatshme qysh para 3-4 viteve që të jetë në NATO sepse ka kapacitete të saja për të përmbushur nevojat e NATO-s jo në aspektin e shkuarjes në vijë të parë të frontit në misione luftarake, por ka aftësi tjera që i përmbush mjaftueshëm për të qenë anëtare e NATO-s”, vlerëson Kastrati.

Ai shton se Kosova ka marrë pjesë edhe në një mision jashtë vendit në kuadër të Gardës Kombëtare të Ajoves vitin e kaluar dhe ka qenë e suksesshme.

“Kosova ka marrë pjesë në një mision jashtë vendit vitin e kaluar dhe ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme në kuadër të Gardës Kombëtare të Ajoves, në kuadër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm të marrin pjesë në çdo mision qoftë paqeruajtës, qoftë humanitar që udhëhiqet nga NATO, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara”, thotë gjenerali në pension, Kadri Kastrati.

Por, ai shton se janë ende katër vende anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Janë katër shtete në NATO të cilat nuk e kanë njoftë Kosovën, Spanja, Rumunia, Greqia, Sllovakia dhe për të qenë anëtare e NATO-s duhet që të gjitha shtetet duhet të votojnë që e pranojnë një shtet të ri në NATO”, shtoi ai.

Sipas tij përshpejtimi i marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë apo njohja reciproke do të ndihmojnë që pengesat nga shtetet të cilat janë pjesë e NATO-s dhe që nuk e kanë njoftë Kosovën të eliminohen.

Kadri Kastrati tregon se çfarë mund ta përshpejtojë antarësimin e Kosovës në NATO.

“Anëtarësimin e Kosovës në NATO nuk mund ta përshpejtojë asnjë grup punues, asnjë ministër, e as vet qeveria pasi është proces i cili i ka procedurat dhe hapat e veta dhe ky grup nuk mund ta përshpejtojë, apo të sjell diçka pozitive, por pozitive do të sjellë situata e cila është në botë nga lufta në Ukrainë, por edhe Rusia e cila po mundohet të sjell një destabilim, dhe kjo vetvetiu e përshpejton anëtarësimin e Kosovës në NATO.”

“Nuk ka asnjë pengesë që Kosova të jetë antare e Nato-s brenda pesë viteve sepse pritet që edhe marrëveshja me Serbinë të përfundonte brenda këtij viti.”/Fjolla Bajraktari/arbresh.info/

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në video:

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme