Google ADS

Flasin gazetarët: Këto janë institucionet më pak transparente

15:54 | 31 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Institucionet shtetërore apo edhe subjektet politike e deklarojnë si transparente punën e tyre karshi qytetarëve. Mirëpo në funksion të kësaj pune të akterëve të lartcekur, rëndësi të madhe ka raporti me mediat, i cili lë shumë për të dëshiruar. Edhe pse Kosova ka një ligj që i jep favore medias, mirëpo edhe ai sikur shumë ligje të tjera nuk zbatohet si duhet nga ata që janë më përgjegjësit për ta zbatuar.

Nuk janë të pakta rastet kur është dëshmuar se disa nga institucionet e shkelin atë ligj, duke u mbyllur për mediat ku si  pasojë e kësaj mbyllje në media paraqiten shkrime me gjysmë të dhëna  ose edhe me të dhëna të gabuara gjë që sjell dëm të madh në opinionin publik dhe pastaj edhe reagim të këtyre institucioneve.

Besnik Batusha kryeredaktor në portalin ‘lajmi.net’ ka thënë për Arbresh.info se akterët zyrtarë përgjigjen ose jo ndaj varësisht prej temës që trajtohet nga një medium.

“Kjo varet edhe nga tema që trajtohet. Nëse temat janë më të përgjithësuara, atëherë institucionet janë më bashkëpunuese, mirëpo nëse adresimet kanë të bëjnë me tema të ashtuquajtura “të nxehta”, atëherë neglizhohen edhe përgjigjet”, ka thënë ai.

Sipas tij gjatë këtij viti kryeministria ka qenë më e hapur me media.

“Është vështirë të thuhet saktësisht se cilat institucione kanë qenë më transparente gjatë këtij viti, por do ta veçoja kryeministrinë, sidomos në periudhën pas konstituimit të institucioneve të reja, respektivisht me portalin tonë, marrë parasysh se në shumicën e rasteve kemi marrë përgjigje. Po ashtu edhe Policia e Kosovës mund të thuhet se ka qenë bashkëpunuese me media, si dhe Ministria e Integrimeve. Sa i përket deputetëve, disa prej tyre janë bashkëpunues, por pjesa dërmuese të orientojnë në zyrat mediale të partive ose tek shefat e Grupeve Parlamentare”, ka thënë ai duke shtuar se transparenca e institucioneve është në të mirë të publikut.

“Gjithmonë urojmë që institucionet ta kuptojnë drejt rolin e medias dhe të jenë sa më transparent. Transparenca  e tyre është në të mirë të publikut fillimisht, por edhe në të mirë të vet institucioneve që të proklamojnë punën e tyre”, ka thënë ai.

Gazetari i të përditshmes ‘Koha Ditore’, Besnik Krasniqi theksoi se është e vështirë ta gjesh ndonjë institucion, për ta kualifikuar si transparent.

“Tendencën e mbylljes e sheh te secili. Nuk është demonstruar gatishmëri e vullnet për t’u hapur në raport me publikun dhe nuk janë të pakta institucionet që së fundmi, kanë treguar prirje për të qenë sa më pak transparente. Nëse mund ta veçoja dikë nga institucionet për gatishmërinë që të mos fshehë gjë nga publiku, është Institucioni i Avokatit të Popullit. Pra, një institucion pa pushtet. Të pushtetshmit mbyllen, sepse donë t’ia fshehin publikut një numër të madh vendimesh e veprimesh të cilat, normalisht se janë të dëmshme për publikun. Mund ta dini edhe ju, nga përvoja që keni në punën, se të tillat ne i zbulojmë vetëm në rrugë klandestine. Pra, qytetarët e Kosovës janë të privuar nga një prej të drejtave më bazike, që u garantohet me Kushtetutë, e që lidhet me të drejtën për të ditur për secilin veprim të njerëzve që i kanë zgjedhur”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit në shumicën e rasteve nga institucionet ka edhe kërcënime e shantazhe ndaj gazetarëve ose mediumeve.

“Ka shpërfillje e arrogancë poshtëruese, në shumë raste. Ka kërcënime e shantazhe. I fundit është ky i Kryeprokurorit të Shtetit që grupit të mediave ku unë punoj, pra Grupit Koha, ia bëri gjyqin publik, duke e pandehur se është pjesë e grupeve kriminale. Mediat çdo ditë përballen me kërcënime, shantazhe e linçime publike. Edhe me sulme tjera, po kështu. Shpërfillja nga eksponentët më të lartë të politikës, është lehtë e vërejtshme. Shumica e pyetjeve që ua adresojmë, nuk marrin përgjigje. Shumica absolute e kërkesave për qasje në dokumente publike, refuzohen. Plotë barriera të tjera bëjnë. Dhe, të gjitha këto janë në funksion të interesit të tyre që publiku të mos marrë vesh për abuzimin që ata bëjnë me pushtetin”, theksoi ai duke shtuar se vetëm normat që listojnë dënime të ashpra, mund t’i disiplinojnë zyrtarët.

“Shqiptarët janë optimistët më të mëdhenj në botë, nga shkaku që gjithmonë llogarisin se s’ka ku të shkojë më keq se që është puna tani. Në Kosovë ka mbyllje ekstreme të institucioneve. Na mbetet të shpresojmë për më mirë. Ligji për qasje në dokumente publike do të hapet në 2018-n, për t’iu nënshtruar ndryshimeve dhe plotësimeve dhe është rast i mirë që të bëhet presion maksimal, me qëllimin që ligji i ri të heq disa nga barrierat që pushteti na i ka vënë ne gazetarëve. Normat e reja duhet të parashohin sanksione për ata që fshehin informata. Vetëm normat që listojnë dënime të ashpra, mund t’i disiplinojnë zyrtarët”, nënvizoi ai.

Albert Ahmeti gazetar në televizionin  ‘Dukagjini’, tha se përgjithësisht niveli i transparencës së institucioneve nuk është i kënaqshëm.

Disa institucione apo dikastere të caktuara qeveritare janë bashkëpunuese me mediat. Në këtë aspekt për transparencë apo bashkëpunim ndaj medieve mund të përmenden Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e FSK-së, ndoshta edhe ndonjë ministri tjetër apo ndonjë institucion tjetër. Kurse ndër institucionet që bashkëpunojnë më së paku me mediat (të paktën nga përvoja ime dhe nga ajo sa ka informata prej kolegëve tjerë gazetarë) janë Zyra e Presidentit, Ministria e Punëve të Jashtme, dhe në masë të madhe edhe Zyra e Kryeministrit. Kjo e fundit po besoj që është diçka më mirë në këtë mandat qeverisës”, ka thënë ai për portalin arbresh.info.

Sipas tij do të duhej të rritej niveli i transparencës së institucioneve me mediat në funksion të fuqizimit të demokracisë.

“Po shpresojmë që në vitin 2018 do të rritet niveli i transparencës dhe bashkëpunimit të institucioneve dhe zyrtarëve të lartë shtetëror me mediat. Kjo është shumë e rëndësishme për fuqizimin e demokracisë në vend, pasi mediat luajnë një rol të rëndësishëm në këtë aspekt”, shtoi ai.

Petrit Çollaku, hulumtues në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës ka thënë për portalin arbresh.info se shumica e gazetarëve kanë deklaruar se kërkesat e tyre në qasje në dokumente publike janë refuzuar.

“Sipas intervistave me gazetarë qe i kemi mbajtur vjet dhe sivjet, shumica prej tyre kanë cekur se janë refuzuar në kërkesat e tyre për qasje në dokumente publike. Gazetarët kanë theksuar se dokumentet e kërkuara nga institucionet kanë të bëjnë me raportimet e tyre, me storjet e tyre. AGK ka reaguar në dy raste kur komunat kanë ndërprerë marrëdhëniet e komunikimit me mediume. Po ashtu, disa komisione parlamentare kanë diskutuar disa ligje për medie me dyer të mbyllura. Ne si AGK kemi reaguar gjithmonë kur ka pasur ankesa nga gazetarët për mostransparencë, neglizhim apo shantazhim ndaj atyre nga zyrtarët shtetërore”, ka thënë Çollaku.

Sipas raportit të AGK-së ‘Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve’, në disa raste, AGK është njoftuar për moslejimin e pjesëmarrjes së gazetarëve në ngjarjet e organizuara nga zyrtarët e qeverisë, për shkak të raportimit të mëparshëm kritik.

Po ashtu në këtë raport thuhet se një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen gazetarët është zbatimi i dobët i ligjit për qasje në dokumente publike.

“Edhe pse qeveria mburret se lejon qasje në dokumente publike, gazetarët e intervistuar dhe të anketuar pohojnë se institucionet shtetërore nuk i zbulojnë dokumentet publike të nevojshme për raportimin e tyre”, shkruan në raport.

Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se nuk ka vullnet politik që institucionet të funksionojnë në mënyrë transparente pasi që sipas saj ato përpiqen që të gjejnë arsye ligjore që të fshehin informacione nga gazetarët.

“Prokuroria e shtetit ngelet si institucioni që nuk respekton të drejtën e gazetarëve për qasje në informacione. Njëjtë, është situata edhe me disa gjykata, sidomos Gjykatën Themelore e Prishtinës. Qeveria nuk mban konferenca të rregullta për media dhe presidenca është poashtu ndër institucionet më të mbyllura. Gjithnjë e më shumë po vërehet një rritje e trendit të komunikimit përmes mediave sociale për t’i ikur ballafaqimit me gazetarë”, ka thënë ajo.

Sipas saj institucioni që ka lehtësuar punën e gazetarëve është Agjencioni Kundër Korrupsionit që vazhdon të mbajë online deklaratat e pasurisë së zyrtarëve.

“Kjo ia ka mundësuar gazetarëve të raportojnë për pasurinë enorme të politikanëve dhe lidhjet e tyre eventuale me biznesin. Në këtë aspekt, edhe Agjencioni për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës ofron të dhëna të plota për gazetarët e interesuar në historiatet e kompanive të ndryshme. Mirëpo, në përgjithësi viti 2017 ka qenë armiqësor ndaj gazetarëve. Për shkak të gjuhës fyese, ofenduese dhe shpifëse të njerëzve në pushtet, sidomos kryeministrit dhe disa deputetëve, është krijuar një ambient i vështirë për gazetarët. Kjo kulminoi me rrahjen e tre gazetarëve. Mbetet shqetësuese që prokuroria nuk i prioritizon hetimet kundër krimeve të kryera ndaj gazetarëve”, theksoi Kusari. /Valdete Berisha/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme