Google ADS

Flasin dëshmitarët, ja çfarë ndodhi në ato momente në lokal

12:02 | 29 Korrik 2017
Arbresh.info

Dëshmitarët e kanë përshkruar si pamje të një skene të tmerrshme shpërthimin e restorantit në Velipojë nga rrjedhja e gazit dhe fluturimin e trupave të dy pronarëve nga dritaret në trotuar, shkruan “Panorama”.

Gjergj Lisi është një nga pushuesit që i dha ndihmën e parë pronarëve Besnik Zejnunit dhe djalit të tij Hektor Zejnunit, të cilët ishin të mbuluar nga flakët.

“Kam parë një person të shtrirë për tokë. Kam marrë 5-6 shishe ujë në një lokal dhe ia kam hedhur dhe filloi të merrte frymë sepse para se t’i hedhja ujë nuk merrte frymë. Më pas erdhi një infermiere, e cila edhe ajo dha ndihmën e saj. Jam ndjerë pak keq sepse më shumë kishte njerëz që po filmonin me celularë në dorë ndërsa nuk vinin për të dhënë ndihmën e parë. Kam parë dy vetë të shtrirë. Një djalë i ri që ishte në rregull sepse ishte i vetëdijshëm dhe merrte frymë ndërsa ai burri që ishte rreth 55 vjeç që i dhashë ndihmën e parë ishte në gjendje të rëndë”, u shpreh Lisi.

Ndërsa një pushues nga Kosova tregon se ai bashkë me familjen ndodhej brenda në restorant pak sekonda para shpërthimit.

“Sapo kam ardhur nga Kosova tani në Velipojë. Ne ishim në lokal dhe gruaja ime iku në një krah me fëmijët dhe unë në krahun tjetër.

Menjëherë pas ngjarjes kam hedhur pak ujë dy vajzave që ishin dëmtuar. Isha brenda lokalit kur nisi një lloj fishkëllime fillimisht.

Menjëherë kemi kapur fëmijët dhe i kemi nxjerrë jashtë. Ende pa i nxjerrë krejtësisht ka ndodhur shpërthimi i parë dhe për pak sekonda ka ndodhur shpërthimi i dytë. Njërin person e kam parë se si nga shpërthimi e ka gjuajtur për disa metra duke u dëmtuar rëndë besoj. Unë kisha prenotuar te hoteli dhe sapo kam marrë çelësat ka ndodhur shpërthimi”, tregon Islam Hyseni nga Kosova. raporton panorama

Kurse, Saida Spahija është një nga të plagosurat nga shpërthimi. Ajo ka marrë plagë të lehta dhe thotë se, ka shpëtuar mirë vetëm se u pozicionua në një vend ku nuk e arrinin flakët.

“Në momentin kur ka ndodhur shpërthimi unë isha te pista. Kur dëgjova shpërthimin u largova dhe shkova direkt te piceria, nga pjesa e picerisë sepse mendova se dyert e picerisë ishin të hapura, por në fakt më rezultuan të mbyllura. Në atë moment duke mos pasur nga të shkoj tashmë gjeta një qoshe mes muresh dhe u futa aty. Në ato momente filloi të më bllokohej fryma dhe fillova të ndjej djegie në trup. Pas pak minutash ndjeva se flakët po bien dhe nuk e di nga kam ikur dhe nga kam dalë. Një djalë më ka marrë një krah, më ka futur në makinë dhe më ka dërguar tek ambulanca në Velipojë”, tregon e plagosura. Senad Nikshiqi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme