Flamurtari – Vëllaznimi, fituesi vendoset në tavolinë

15:29 | 23 Tetor 2017
Arbresh.info

Ndeshja e ndërprerë e javës së 11-të e Vala Superligës së Kosovës ndërmjet KF Flamurtari – KF Vëllaznimi, regjistrohet me  rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Vëllaznimi.    

Ky vendim vjen nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës, pasi që ndeshja u ndërpre në minutat shtesë.

Ky është vendimi i KD të FFK-së

Komisioni i Garave i Vala Superligës në futboll në përbërje Ismet Ahmeti, Isuf Ajeti dhe Sahit Kelmendi, me rastin e regjistrimit e ndeshjeve të javës së 11-të në Vala Superligë shqyrtoi tërë materialet e deponuara dhe konform nenit 58 të Propozicioneve të Garave e nxori këtë:

V E N D I M

Ndeshja e ndërprerë e javës së 11-të e Vala Superligës së Kosovës ndërmjet KF Flamurtari – KF Vëllaznimi, regjistrohet me  rezultat zyrtar 3:0 në favor të KF Vëllaznimi.

A R S Y E T I M

Komisioni i Garave me rastin e regjistrimit të ndeshjes KF Flamurtari – KF Vëllaznimi e vlefshme për javën e 11-të të Vala Superligës së Kosovës, konstatoi se ndeshja është ndërprerë në kohën shtesë 90+ për shkak se në momentin e barazimit të rezultatit të ndeshjes në fillim një shikues ka hyrë në fushë dhe ka goditur lojtarët e KF Vëllaznimi me shkop, pastaj kanë hyrë edhe disa shikues të tjerë dhe është krijuar një rrëmujë para portës së Vëllaznimit dhe gjyqtari e ka ndërprerë ndeshjen për shkak të situatës së krijuar, andaj Komisioni i Garave konform nenit 51, paragrafi 1 të Rregullores Disiplinore e regjistron ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 në  të mirë të KF Vëllaznimi.

Nga theksimet e lartshënuara u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi.

KËSHILLË JURIDIKE:

Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në afatin prej 8 (tetë) ditëve, nga dita e pranimit të Vendimit, Organit të shkallës së dytë (Komisionit për ankesa, sipas procedurës së paraparë me Propozicione e Rregullore të FFK-së). Publikimi bëhet në faqen zyrtare të FFK-së, dt. 23.10.2017.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme