Google ADS

Fjalimi i plotë i kryeministrit Kurti në Kuvend

14:03 | 2 Shkurt 2023
A Z

Në të gjitha takimet e deritanishme të organizuara me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian dhe këshilltarët e lartë të vendeve partnere e mike të QUINT-it, unë kam potencuar në vazhdimësi përkushtimin tonë që sa më shpejtë që është e mundur të arrijmë dakordimin final rreth propozimit franko-gjerman apo më mirë të themi të Bashkimit Evropian e të mbështetur nga Franca dhe Gjermania, të prezantuar tek ne me 9 shtator të vitit 2022.

Këtë propozim ne e shohim si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe jemi të interesuar të punojmë sa më intensivisht që i njëjti të finalizohet dhe nënshkruhet nga palët. Andaj, kërkojmë nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, z. Josep Borrell që sa më parë të ftojë në takime të rregullta, të shpeshta në mënyrë që të avancojmë drejt finalizimit. Unë si gjithnjë deri më tani jam i gatshëm që me konstruktivitetin maksimal të kontribuoj në gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme dhe po ashtu të sigurohemi për mekanizma që garantojnë implementim të plotë të saj.

Pika e 10-të, e fundit e propozimit të BE-së për marrëveshje bazë, i dedikohet zbatimit të marrëveshjeve të deritanishme në procesin e dialogut të Brukselit, dhe në kuadër të këtij neni do të trajtohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme, përfshirë edhe ajo e 19 prillit 2013. Çfarëdo tentative që nene të caktuara të marrëveshjes bazike të nxirren dhe të promovohen si nene ekskluzive apo parakushte për ecje përpara, janë sa të pakuptimtë aq dhe joproduktive.

Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet të garantojë edhe të drejtat e komuniteteve pakicë dhe mekanizmat përkatës institucionalë. Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat por i mbron ato si vlerë themelore e i ruan ato si pasuri shoqërore. Normalizimi i jashtëm i marrëdhënieve duhet t’i kontribuojë normalizimit të brendshëm të shteteve.

Sa i përket marrëveshjes së 19 prillit 2013 në Bruksel, ky është qëndrimi im dhe i qeverisë që unë e drejtoj:

Asociacioni i Komunave i dalur në parim nga marrëveshja e Brukselit Thaçi-Daçiq apo marrëveshja e parë e parimeve siç njihet ndryshe, si një mekanizëm i tillë, mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës, me këto kushte:

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013./arbresh.infi/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme