Fjalimi i Albin Kurtit për dialogun në Kuvend

15:07 | 11 Qershor 2021
Arbresh.info

Albin Kurti shpalos fjalimin e sotëm të seancës plenare në lidhje me ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi, ku shprehu një sërë çështjesh që do të diskutohen.

 

”           I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca,

I nderuari kabinet qeveritar,

Të nderuar deputetë të Kuvendit,

Të dashur qytetarë,

 

Qeveria e Republikës së Kosovës ka propozuar këtë pikë të rendit të ditës në mënyrë që bashkërisht të analizojmë procesin e deritanishëm të bisedimeve me Serbinë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të diskutojmë rreth të arriturave e sfidave në implementim; të ballafaqojmë të njëjtat me pritjet tona dhe të miqve tanë ndërkombëtarë, të krahasojmë ato me raportimet që na janë bërë, dhe çka është më e rëndësishmja, të përpiqemi që së bashku nga mësimet e nxjerra të arrijmë në propozime e në përfundime që janë të vlefshme në rrugëtimin para nesh për angazhimin tonë në të ardhmen.

 

Zyra për Planifikim Strategjik pranë zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka përpiluar një dokument raport mbi ecurinë e deritanishme të procesit të bisedimeve me Serbinë dhe të njëjtin e ka shpërndarë në kutitë tuaja postare. Ky dokument na shërben si pikënisje për këtë analizë shumë të domosdoshme të këtij  procesi.

 

Dokumenti fillon me paraqitjen e kornizave nën të cilat ka filluar procesi i dialogut (rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e datës 9 shtator 2010) dhe mandati i Bashkimit Evropian si ndërmjetës mes palëve. Pastaj listohen marrëveshjet e arritura si në fazën e dialogut të quajtur teknik (mars 2011 – shtator 2012) ashtu edhe të dialogut politik (nga tetori i vitit 2012). Gjatë këtyre dy fazave janë nënshkruar një sërë dokumentesh, të cilat kanë marrë emërtime të ndryshme, e që jo domosdoshmërisht burojnë nga rëndësia e dokumentit apo fushës që e rregullon. Për dokumentet e nënshkruara (nganjëherë edhe të panënshkruara), publike apo edhe të pa publikuara ndonjëherë), janë përdorë terma të ndryshëm si: Marrëveshje; Konkluzione të dakorduara; konkluzione të kryesuesit; memorandume të mirëkuptimit; aranzhime, protokolle, udhëzues e të ngjashme. Zakonisht, në varësi të llojit të emërtimit, numri i marrëveshjeve të raportuara variron nga 15 e deri në 53 sosh.

 

Si rregull, shtjellimi i marrëveshjeve bëhet sipas dy këndvështrimeve: sipas fazave të dakordimit (marrëveshjet që lindin nga dialogu teknik dhe ato që janë rezultat i dialogut politik) apo sipas fushave që rregullojnë (MIK menaxhimi i integruar i kufirit; Liria e lëvizjes; tregtia/doganat; regjistrat civil, regjistrat kadastral; zgjedhjet në komunat veriore, telekomi, energjia, zyrat ndërlidhëse, policia, gjyqësia, mbrojtja civile; njohja reciproke e diplomave; vizitat zyrtare; asociacioni).

 

Nga këto marrëveshje janë pritur përfitime të mëdha për vendin, në fusha nga më të ndryshmet. Ishte pritur që si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjeve do mënjanoheshin ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë, do të shuheshin të gjitha strukturat paralele në veri të Kosovës paralelisht me integrimin e pjesëtarëve të minoritetit serb në administratën publike të vendit, do të avancoheshin proceset integruese të Kosovës si në rrafshin regjional ashtu edhe me Bashkim Evropian e NATO; e natyrisht se llogaritej edhe me përfitime ekonomike për qytetarët, e kishte aso që besonin se ai lloj i dialogut pa parime do të përfundonte me një marrëveshje paqeje me Serbinë. Kështu për shembull në një raport të datës 27.08.2015 të ministres për Dialog të Qeverisë së Republikës së Kosovës, asokohe zonjës Tahiri, thuhej mes tjerash që përfitimet ekonomike të Kosovës nga marrëveshja për kodin telefonik do të ishin të mëdha, që do kishte përmirësim të cilësisë së shërbimeve dhe ulje shumë të ndjeshme të kostos së operimit të ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës.

 

Përmes raportimeve që jo doemos reflektonin zhvillimet në terren krijohej një iluzion që dialogu kishte vendosur Kosovën dhe Serbinë në binarë të duhur të normalizimit dhe shtensionimit të situatës. Kjo pastaj pashmangshëm kishte ndikuar në ushqimin e idesë se mund të vazhdohej me trajtim të fragmentuar të problemeve, për çështje kryesisht të brendshme të Kosovës dhe shmangie të vëmendjes nga tema e madhe e marrëveshjes përfundimtare.

 

Kështu në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Dialogun e Brukselit në periudhën 2014-2018 (dorëzuar në qeveri në mes të janarit të vitit 2015) dhe në raportimet periodike të ministrisë për dialog në periudhën 2015-2017 mund të gjejmë formulime edhe si vijon:

 

“Është me rëndësi të theksohet se në të gjitha fushat ku janë arritur marrëveshjet e Brukselit, Serbia ka njohur pavarësinë e Kosovës, sepse marrëveshjet janë bazuar në juridiksionet e veçanta të secilit shtet dhe kanë qenë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.” (faqe 7 e programit).

 

Në planin e brendshëm raportohej për forcim të shtetit të Kosovës falë sukseseve të dialogut, shtrirjen dhe konsolidimin e sovranitetit shtetëror në veri.  Në raportin e vitit 2016 të ministrisë për dialog mes të tjerash konkludohet:

 

“Si rezultat i Marrëveshjeve të Brukselit, kemi arritur shuarjen e strukturave paralele të Serbisë në fushën e drejtësisë, shuarjen e strukturës ilegale të “mbrojtjes civile,” shuarjen e zyrave për dhënien e dokumenteve ilegale, ndërsa fillon zbatimi i marrëveshjes për heqjen e targave ilegale nga përdorimi dhe shuarja e zyrave, etj.”

Apo edhe tjetra:

 

“Qeveria konsideron se në saje të këtij procesi intensiv paqësor katër vjeçar, me ndërmjetësimin konsekuent nga ana e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e plotë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, me një të kaluar armiqësore janë duke u transformuar në një model evropian të bashkëpunimit”.

Te marrëveshja për asociacionin raportohej që pala serbe ishte dakorduar që asociacioni të themelohet krejtësisht në përputhje me  Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Po ashtu thuhej që asociacioni nuk ka karakter një etnik dhe kjo mbështetej me arsyetimin se në komunat që pritej të jenë pjesë e asociacionit jetonin edhe nacionalitete tjera përveç atij serb. Për të njëjtat marrëveshje pretendohej se i kanë dhënë fund ndarjes së qytetit të Mitrovicës, si dhe ndërtimeve ilegale të Serbisë në veri të vendit. E gjithë kjo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi mospërputhshmërinë mes dokumentit mbi asociacionin dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pas fundit të dhjetorit të vitit 2015.

 

Është me rëndësi të theksohet që pala serbe në vazhdimësi ka minuar përpjekjet e përbashkëta për sukses. Kjo vërehet te një pjesë e madhe e marrëveshjeve, si për shembull tek energjia, menaxhimi i integruar i kufirit, shuarja e strukturave paralele, liria e lëvizjes, vulat doganore, përfaqësimi rajonal e të ngjashme. Në shumicën e rasteve duke keqpërdorur skajshëm dykuptimësinë e ofruar brenda marrëveshjeve, por edhe mungesën evidente të kostos së mos përmbushjes së obligimeve të marra.

 

Ngecjet në implementim dhe përshtypja për ritmin shumë të ngadaltë dhe sfidues të normalizimit të raporteve, kishin krijuar një terren të frytshëm për degjenerim të rrezikshëm të agjendave paralele dhe të koordinuara të palëve negociuese. Përmes incidenteve në terren të kontrolluara, të koordinuara dhe me faza (fushata kundër pjesëtarëve të FSK nga komuniteti serb, vrasja e Oliver Ivanoviqit, devijimi substancial i procesit zgjedhor në 4 komunat në veri të Kosovës, arrestimi mbase i orkestruar i Gjuriqit, i cili u lirua pa asnjë gjobë në fund, treni i famshëm serbo-rus i nisur drejt Kosovës i mbuluar me parulla të papranueshme, shëtitjet në Ujman e të ngjashme), synohej pra me të gjitha këto, krijimi i përshtypjes që normalizimi mund të arrihet vetëm përmes ndarjes së Kosovës, e cila pastaj popullatës në Kosovë iu paketua si ide për shkëmbim territoresh. Kjo, e shoqëruar me takime edhe jashtë Brukselit në margjina të konferencave ose edhe pa to, dhe me deklarata të shpeshta me dykuptimësi, natyrisht se nënkuptonte goditje të madhe për kredibilitetin e procesit, kredibilitetin e ndërmjetësuesve e sidomos për parashikueshmërinë e kryenegociatorëve.

 

Në përgjithësi mund të thuhet që procesi i dialogut deri më tani është shoqëruar me disa veçori që mbase drejtpërdrejtë ose tërthorazi kanë pamundësuar arritjen e objektivave që burojnë nga mandati i rezolutës së asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në vijim dua të përqendrohem në disa prej tyre që besoj se janë më me peshë:

 

1.         Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e datës 9 shtator 2010, kishte marrë si pikënisje dy momente të rëndësishme: kërkesën e saj të tetorit 2008 drejtuar gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë mbi përputhshmërinë e deklaratës së 17 shkurtit 2008 me legjislacionin ndërkombëtar dhe pastaj vetë opinionin e kësaj gjykate që konstatonte se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje me të njëjtin legjislacion.

 

Pastaj kishte mirëpritur gatishmërinë e Bashkimit Evropian që të ndërmjetësojë mes Serbisë dhe Kosovës, d.m.th mes dy shteteve sovrane për tema që promovojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Do të thotë që mandati i Bashkimit Evropian kufizohet në këto tema me interes të ndërsjellë e jo për tema të brendshme të Kosovës.

 

Futja e mëvonshme në agjendë të bisedimeve të temave komplet të brendshme, deri edhe të tilla si për shembull dizejni i urës mbi lumin Ibër janë tejkalime të mandatit që ka buruar nga kjo rezolutë. Kjo bie ndesh edhe me vetë parimet e panegociushme 1, 3 dhe 4, si pjesë e platformës së palës kosovare për dialogun teknik ndërshtetëror të përpiluara në mars 2011 tek të cilat potencohej se statusi i Kosovës është i zgjidhur, se rregullimi i brendshëm është kompetencë sovrane e institucioneve shtetërore dhe që plani i Ahtisarit ishte platforma e të drejtave dhe garancive të komuniteteve. Nga ideja fillestare si e rezolutës së KB ashtu edhe parimeve të panegociueshme të palës kosovare të një procesi për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, procesi gradualisht është reduktuar në dialog mbi pozitën e vetëm një minoriteti në Kosovë si dhe për rregullimin e brendshëm në vend, ndërkohë që të drejtat dhe interesat e shqiptarëve të Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit nuk ishin përfshirë fare në agjendë.

 

2.         Pozicioni i ndërmjetësit si neutral ndaj statusit, ka rezultuar jo vetëm si i gabueshëm por edhe i dëmshëm. Fillimisht procesi i dialogut i është besuar Bashkimit Evropian nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, dhe në këtë kontekst fare nuk çon peshë se a ka vende në BE që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. Duke qenë se BE ka qenë vetëm lehtësues e jo palë direkte, atëherë pozicioni i Bashkimit Evropian është i parëndësishëm, por kur përdoret si pjesë përbërëse e procesit, atëherë neutraliteti shndërrohet në anësim, apo më mirë, neutraliteti ndaj statusit përkthehet si mosnjohje e statusit, duke krijuar pa nevojë pabarazi në tavolinë.

 

3.         Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë kishte filluar pa parime të nxjerra në mënyrë eksplicite, sidomos për pritshmëritë nga procesi. Kalimi nga strategjia “hap pas hapi” e Baroneshës Catherine Ashton, tek ideja e dakordimit për tema të mëdha politike, e më vonë edhe te nevoja për të nxjerrë në tavolinë marrëveshjen gjithëpërfshirëse, apo marrëveshjen ligjërisht obligative, në mënyrë implicite nënkuptojnë pranimin e qasjes së gabueshme në fazën paraprake. Madje edhe vetë procesi i “Normalizimit të marrëdhënieve” asnjëherë nuk është përkthyer në përmbajtje që do të duhej të kishte për të përmbushur kushtin e trajtimit si e tillë. Paradoksalisht edhe tani kur SHBA ka dalë publikisht me pritjen nga procesi i dialogut, e përkufizuar si njohje reciproke, mungon vullneti nga ana e Bashkimit Evropian për të dalë me listim eksplicit të elementeve të domosdoshme dhe pritjeve nga marrëveshja e quajtur finale. Arsyetimi që zakonisht haset në këtë kontekst është jo bindës.

Fakti se 5 shtete të BE nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk mund të përdoret si argument, por në fakt thërret për paracaktimin eksplicit të rezultatit përfundimtar. Shumica e vendeve mosnjohëse e kanë kushtëzuar njohjen e Kosovës me progresin në dialog, që mund të interpretohet si vijon: Angazhohuni në dialog për njohje nga Serbia, si parakusht për njohjen nga vendi ynë. Pra, kjo nënkupton se të njëjtat shtete e kanë të qartë se dialogu po zhvillohet për njohje reciproke. Kalimi i dialogut nga çështjet teknike mes dy shteteve në ato politike për çështje të brendshme të Kosovës e deri të ideja e shkëmbimit territorial e ka krijuar idenë se statusi i Kosovës është ende i pazgjidhur se Kosova ende nuk është tamam e pavarur. Kjo ka ndikuar direkt në ndaljen e njohjeve nga vendet që mund ta bënin këtë sepse si mund të të njoh një vend i cili e sheh se ti vetë je i angazhuar për zgjidhje të statusit e që rrjedhimisht e konsideron vetën jo të pavarur.

 

4.         Procesit të dialogut qartazi i mungon një horizont më preciz kohor, brenda së cilit do duhej të ecej drejt marrëveshjes përfundimtare. Vendosja e kornizave të tilla pastaj është përcaktuese e shpejtësisë në hapat e ndërmjemë. Mungesa e afateve kohore që pastaj është përkthyer në zvarritje, e ka lënduar procesin në mënyrë endogjene, meqë e ka ekspozuar të njëjtin ndaj ndryshimeve politike jashtë sferës së ndikimit të regjionit e nganjëherë edhe të BE-së.

 

Qëndrimet e tipit, tash është momenti për marrëveshje, tash është hapur një dritare e volitshme për t’u ngutur me procesin; tash është problematike sepse fillon cikli i zgjedhjeve nëpër qendrat e rëndësishme të vendimmarrjes, e bëjnë vetë procesin shumë të lëndueshëm dhe të paparashikueshëm. Por njëkohësisht krijojnë idenë se Kosovës po i ngutet të zgjidhë statusin e saj? Pse po ngutemi ne e përse duhet të ngutemi? Ne jemi vend i pavarur. Koha që kalon duhet ta ndryshojë realitetin në Serbi, duke sjellë pranimin për krimet e tyre e ta njohin pavarësinë tonë e jo të ndryshojë realitetin e Kosovës së pavarur. Pra pse të ngutemi? Kur është shpallur pavarësia askush nuk e ka menduar njohjen nga Serbia. Pse kjo varësi e Kosovës së pavarur nga njohja e pavarësisë sonë nga Serbia? Nuk është shpallur pavarësia në mënyrë që varësia e dikurshme nga Serbia të zëvendësohet me varësinë e shtetit tonë nga njohja e Serbisë.

 

5.         Dialogu është dëmtuar në masë edhe nga qasja asimetrike e vetë Bashkimit Evropian në ndërlidhjen e procesit të dialogut me avancimin drejt agjendës së integrimeve evropiane. Përderisa Serbia nuk ka asnjë pengesë në këtë proces dhe mund të vendosë lirshëm për momentin kur dëshiron të fillojë me konstruktivitet në dialog, e që lidhet me avancimin e brendshëm drejt BE, për palën kosovare integrimi diktohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga fakti se 5 shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e saj. Asimetria natyrisht se do eliminohej me bindjen e 5 shteteve mosnjohëse që të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Mirëpo presioni i BE-së do duhej të ishte mbi Serbinë nga 22 shtete që njohin Kosovën e jo mbi Kosovën që është në fund të procesit të integrimit e kushtëzohet nga 5 shtete. Pra 22 janë më shumë se 5, kurse kur je më afër anëtarësimit ke kërkesa më të mëdha. Mirëpo, po ndodhë e kundërta.

 

6.         Në raste të caktuara marrëveshjet janë shoqëruar edhe me paragrafë problematikë, joprofesional dhe në raste edhe kundërthënës, edhe me frymën dhe me standardet më të mira të vetë Bashkimit Evropian. Për shembull, në dokumentin e përpiluar me 16 shtator 2014, me titull “Konkluzionet rreth lirisë së lëvizjes dhe licencimit”, në pikën e parë të paragrafit të dytë thuhet që kompanitë që janë themeluar në komunat veriore para 17 janarit të vitit 2013 – që është data e nënshkrimit të marrëveshjes për mbledhjen e të hyrave doganore – nuk kanë fare nevojë të regjistrohen. Është problematike që me marrëveshje apo dakordim ndërkombëtar dhe në ombrellën e BE-së të promovohet apo sanksionohet mirëmbajtja e ekonomisë joformale. Është mirëmbajtur ekonomia joformale me marrëveshje ndërkombëtare.

Te marrëveshja e 25 gushtit 2015 me titull “Konkluzionet e ndërmjetësit të BE-së mbi implementimin e marrëveshjes së vitit 2013 për energjinë”, fillimisht vendoset afat 7 ditësh për regjistrimin e një operatori nga Serbia në komunat veriore të Kosovës, që është procedurë krejtësisht e parëndësishme, ndërsa për procedurën kryesore të licencimit pranë ZRRE nuk janë paraparë fare afate kohore. Kjo ka kontribuar në shtyrjen shumëvjeçare të implementimit nga ana e Serbisë. Në po të njëjtin dokument, specifikohet edhe emri i kompanisë që do të duhej të licencohet për furnizim me energji në komunat e veriut të Kosovës, edhe pse kjo bie ndesh me secilën rregullativë bazike ligjore të BE-së mbi konkurrencën. I është dhënë emri i kompanisë që fiton.

 

Te marrëveshja për përfaqësimin regjional të Kosovës, apo si njihet marrëveshja e fusnotës, vërehen tri deficite të mëdha: edhe pse e disenjuar për të rregulluar përfaqësimin regjional të Kosovës, në fjalinë e fundit të paragrafit 10, është përvjedhur edhe teksti që përfshinë fusnotën edhe në marrëveshjet bilaterale me Bashkimin Evropian; ndonëse paragrafi i 11 e cilëson këtë dakordim si të aprovuar me bazë të përkohshme, ajo mbetet në përdorim edhe pas afërsisht 10 viteve; dhe ndonëse arsyeja e vendosjes së fusnotës ishte fakti që 5 shtete të BE dhe Serbia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës apo Kosovën si Republikë, fusnota nuk i është vënë termit Republikë por emrit Kosovë. Fusnota i është vënë emrit Kosovë, jo fjalës Republikë.

Dëmi që është shkaktuar nga Qeveritë paraprake është se 22 shtete të BE-së që e njohin republikën tonë sot detyrohen t’i nënshtrohen vullnetit të 5 shteteve anëtare. Në njëfarë mënyre, sikletin dhe hallin që shumica e shteteve të BE-së e kishin me këto 5 shtete që nuk na njohin, ua hoqëm ne duke pranuar fusnotën për veten tonë. Kështu e hoqëm edhe presionin e brendshëm që mund të ushtrohej ndaj tyre nga shumica e vendeve anëtare. Ne ua kemi vështirësuar 22 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës që të bëjnë trysni mbi 5 shtetet mosnjohëse.

 

7.         Që në fillim të bisedimeve për çështjet teknike, ishte kristalizuar vullneti për pranimin e ambiguitetit në interpretim si një mundësi për lehtësimin e arritjes së marrëveshjeve. Kjo pastaj ka degjeneruar në interpretim krejt të ndryshëm të së njëjtës marrëveshje në Kosovë dhe në Serbi, në varësi të nevojave dhe interesave të brendshme. Probleme të tilla kemi në një pjesë të madhe të marrëveshjeve të arritura përfshirë këtu edhe marrëveshjen mbi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

Rast më kurioz kemi të marrëveshja, apo konkluzioni i ndërmjetësit të BE për energjinë të datës 25 gusht 2015, për të cilën znj. Tahiri në dokumentin e saj mbi përfitimet shtetërore të Republikës së Kosovës nga pakoja e marrëveshjeve të 25 gushtit 2015, konstaton sa vijon: “Në këtë marrëveshje, Serbia ka njohur denominimin Republika e Kosovës si dhe ka hequr dorë nga përdorimi i fusnotës në dokument, ku ka vënë nënshkrim edhe kryeministri i Serbisë”. E vërteta është se denominimi Republika e Kosovës, përdoret vetëm në faqen e dytë e cila nuk ka fare nënshkrime, dhe atë në pjesën e dokumentit të quajtur disclaimers, ku krahas vendit ku përmendet denominimi Republika e Kosovës, qëndron edhe kjo fjali: Serbia konsideron se në pajtim me legjislacionin vendor dhe ndërkombëtar apo rezolutën 1244, prona brenda territorit të Kosovës është në pronësi të Serbisë.

 

8.         Dialogut i kanë munguar mekanizmat më preciz të monitorimit të implementimit të marrëveshjeve, mekanizmat për identifikimin preciz të palës mosbashkëpunuese, si dhe mekanizmat për sanksionim eventual të të njëjtës.

Si përfundim, cilat duhet të jenë mësimet kryesore nga ecuria e deritanishme e procesit të dialogut?     

                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                 Është shumë me rëndësi që palët e përfshira në bisedime të dizajnojnë që në start komponentët e procesit që garantojnë konvergjencën drejt synimit përfundimtar. Kjo duhet të përfshijë kornizat makro mbi elementet përbërëse thelbësore të marrëveshjes (për shembull” njohjen reciproke, njohjen nga pesë shtetet e BE-së, anëtarësimin në KB; mbrojtja reciproke e të drejtave të komuniteteve respektive, mekanizmat zbatues dhe monitorues; afatet kohore, e të ngjashme).  Palët në tavolinë duhet të ndihen të barabarta në secilën fazë të bisedimeve. Marrëveshjet e arritura për çështjet e pazgjidhura duhet të kalojnë edhe testin e përshtatshmërisë me vetë normat ligjore dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian. Dhe, uniteti i brendshëm është i rëndësishëm për rritjen e pozicionit negociues të Kosovës.

Për fund më lejoni të them se është e rëndësishme që të ndërtojmë konsensus në këtë çështje. Siç mund ta vëreni, qeveria dhe unë si kryeministër, por edhe zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Dialog dhe Zhvillim jemi duke raportuar në kuvend e komisione ende pa filluar dialogu. Unë kam ftuar krerët e opozitës për të harmonizuar qëndrimet tona. Qasjen tonë ndaj dialogut e dini sepse atë e kam përsëritur tashmë disa herë. Unë po flas se cilat duhet të jenë parimet. Pranimi i realitetit të një Kosove të pavarur nga ana e Serbisë; pranimi i krimeve të Serbisë në Kosovë; barazia e përfaqësuesve dhe qytetarët si përfitues përfundimtarë janë parimet tona udhëheqëse në dialog.

Ajo për të cilën unë do të doja të kishim konsensus është që të mos e trajtojmë shtetin tonë si peng i mosmarrëveshjes me Serbinë sepse kjo është një urgjencë artificiale e cila ka bërë dëm të jashtëzakonshëm e po vazhdon të na bëjë ende. Le të sillemi e veprojmë ashtu siç jemi, deputetë e qeveritarë të republikës së Kosovës, shtet i pavarur e sovran.

Nuk i kemi borxh askujt, por na kanë borxh shumëçka.

Ju faleminderit. “

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme