Fisnik Ismaili: “Pazaret” me Veselin dhe Haradinajn do të vazhdojnë për të mirën e qytetarëve

18:18 | 23 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Po vazhdon përplasja ndërmjet deputetëve e aktivistëve të VV-së dhe atyre të PSD-së pasi që partia e Shpend Ahmetit e ndihmoi pushtetin ta kalojë ligjin për buxhetin e vitit 2019.

Kjo përplasje u forcua kur dje në publik dolën mesazhet e Dardan Sejdiut me ministrat e pushtetit dhe deputetët e shumicës.

U raportua për pazare.

E deputeti i PSD-së, Fisnik Ismaili, ka thënë se pazari ka qenë i mirëfilltë.

“Qe ku dallon “pazari” jonë, që quhet politikë e mirëfilltë për mirëqenien e secilit, me pazaret ordinere të të tjerëve, që bëhen për interesa vetanake, e spjegueme mrekullueshëm nga Dardan Sejdiu”, ka shkruar Ismaili pas reagimit të Kurtit se gjithë ata që po largohen prej VV’së po perëndojnë në prehrin e PDK’së.

Sipas tij, pazari i PSD-së me Veselin e Haradinajn prek pagat, shëndetësinë, bujqësinë e fusha të tjera që janë në interes të qytetarëve.

“ “Pazari” i parë ka të bëjë me Ligjin për paga, me theks të veçantë në kërkesat e sektorit të shëndetësisë! Kemi kushtëzuar votën tonë me leximin e dytë të këtij ligji, para votës në lexim të dytë për ndarjet buxhetore!”, ka shtuar ai.

Ka premtuar se pazaret e PSD’së do të vazhdojnë për ‘të mirën e qytetarëve’.

“Po, nuk do t’i ndali këto “pazare” për aq kohë sa jam në politikë!”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme