Google ADS

Fillon pikturimi i trafostacioneve përmes artit grafik në Prishtinë

16:25 | 31 Gusht 2020
L G

Një vepër arti do t’ua tërheqë vëmendjen të gjithë kalimtarëve nga trafostacioni i KEDS-it që gjendet në Ulpianë. Kjo, pasi trafostacioni është shndërruar tashmë në një objekt modern me pamje ultra urbane nga artistët ndërkombëtarë përmes artit grafik.

E gjitha është pjesë e një projekti Art n’trafo që po e bëjnë bashkarisht KEDS, Komuna e Prishtinës dhe organizata e artistëve, Q’art.

Në kuadër të këtij projekti po bëhet pikturimi i 10 trafostacioneve në Prishtinë, me synimin që në një të ardhme të afërt ai të rritet në 20 të tillë.

Qëllimi është që trafostacionet të shndërrohen në objekte urbane, duke i dhënë jetë dhe gjallëri lagjeve ku ata janë të alokuar.

KEDS fillimisht po bën përgatitjen e tyre përmes lyerjes së plotë për pikturim nga artistët ndërkombëtar dhe vendor. Pastaj artistët janë të lirë të jetësojnë veprat e tyre varësisht nga inspirimi i tyre.

KEDS ka siguruar edhe materialet për vizatim për artistët e angazhuar nga Q’art, përderisa për artistët është duke u përkujdesur edhe Komuna e Prishtinës.

Kjo nuk është iniciativa e parë për pikturimin e trafostacioneve nga KEDS. Projekte të tilla janë zhvilluar edhe para disa muajve ku janë ngjyrosur dhe pikturuar disa trafo, duke ndikuar direkt në modernitetin përmes pamjeve urbane që ofrojnë.

KEDS, duke qenë pjesë e këtyre projekteve, shpreh vendosmërinë dhe gatishmërinë që të luajë rol të madh edhe në aktivitetet e Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës, që ndikojnë direkt në kualitetin e jetës së komunitetit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme