Fillon mbështetja për 1,824 familje në kuadër të pilotimit të reformës së asistencës sociale

16:18 | 4 Nëntor 2024
E.G

Ka filluar mbështetja financiare për 1 mijë e 824 familje që në të kaluarën nuk kanë përfituar asistencë sociale për shkak të kritereve diskriminuese.

Sipas ministrisë, familjet e përzgjedhura kanë kaluar me sukses testin e mjeteve financiare dhe testin e aseteve, si dhe janë vizituar nga ekipet tona në terren, shkruan Arbresh.info.

“Anëtarët e aftë për punë nga këto familje duhet të regjistrohen në zyrat e punësimit në komunat e tyre brenda 30 ditë pune pas pranimit të njoftimit aprovues. Ky hap është i rëndësishëm, pasi përveç mbështetjes financiare, reforma parashikon aktivizimin e anëtarëve të aftë për punë në tregun e punës, pra parandalimin e varësisë së familjeve nga skema e asistencës sociale.”, thuhet në njoftim.

Familjet e përzgjedhura kanë pranuar njoftimet aprovuese së bashku me më shumë informata në llogaritë e tyre në eKosova gjatë ditës së sotme.

“Familjet me të cilat e kemi pasur të pamundur të kontaktojmë dhe të caktojmë vizitën në terren do të njoftohen që të përditësojnë kontaktin e tyre përmes llogarisë në eKosova.”, njofton ministria.

Ministria e Financave bën të ditur se ekipet po vazhdojnë të realizojnë vizita në terren, dhe gjatë muajve në vijim pritet që listës t’i bashkohen edhe familje të tjera./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme