Google ADS

Fillon investimi 10-milionësh në “Termokos”

14:08 | 29 Shtator 2020
Arbresh.info

Më shumë se 12 000 konsumatorë të ngrohtores së qytetit “Termokos” do të pajisen me njehsorë të mençur të kalkulimit të shpenzimeve të ngrohjes, duke ua mundësuar përdoruesve të rrjetit të paguajnë sipas konsumit e jo me metra katrorë si deri më tani.

Ky investim është bërë i mundur falë bashkëpunimit të inicuar muaj më parë, e që sot u formalizua me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK) dhe N.P. “Termokos”, në prezencë edhe të nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli.

Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, MFK dhe “Termokos” zotohen për bashkëpunim në implementimin e projektit “Prishtina HeatSave”, që ka për qëllim faturimin në bazë te konsumit duke krijuar një sistem modern të faturimit për “Termokos”.

Petrit Selimi, drejtor Ekzekutiv i MFK, u shpreh se ky investim i radhës i MFK është fokusuar në modernizimin e “Termokosit” duke futur njehsorë në banesat e Prishtinës. Sipas eksperiencës së qyteteve tjera që kanë implementuar këtë investim, pritet deri 30% kursim të energjisë termike, gjë që mundëson zgjerimin e mëtutjeshëm të rrjetit në lagje ku aktualisht “Termokosi” nuk shërben.

“Ky projekt po realizohet në periudhën kur kërkesa për shërbimet e ngrohjes janë në nivel shumë të lartë dhe ky projekt mundëson faturimin bazuar në energjinë e shpenzuar çka nënkupton faturim real dhe kursim të energjisë”, tha kryeshefi i Termokosit, Arsim Fetahu.

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli, falënderoi në emër të Komunës donatorët si MCC, por edhe ata nga BE dhe Gjermania që po investojnë në zgjerimin e modernizimin e “Termokosit”. Energjia termike ndikon jo vetëm në zbutjen e faturave të rrymës, por edhe në përmirësimin e kualitetit të ajrit prandaj kjo marrëveshje dhe këto investime janë prioritet për Komunën, shtoi Pacolli.

Muajin e kaluar, MFK, “Termokos” dhe Komuna e Prishtinës kanë filluar me fazën e parë të implementimit të projektit “Prishtina HeatSave”, me ç’rast ekipet profesionale realizuan hulumtime teknike dhe sociale në apartamente dhe shtëpi individuale konsumatore të “Termokosit”, raporto EO.

Aktiviteti për Matjen e Ngrohjes Qendrore (DHM), mbështetur nga Millennium Challenge Corporation (MCC), është njëri nga aktivitetet kryesore në kuadër të Projektit “Peizazhi i Energjisë së Qëndrueshme” i Programit të Pragut, që ka për qëllim ta ulë shfrytëzimin e energjisë në amvisëri dhe të kalohet në burime joelektrike dhe më të pastra të ngrohjes nëpërmjet:

Pilotimit të llojeve të ndryshme të stimujve dhe të modaliteteve për t’i inkurajuar amvisëritë që të investojnë në masa me kosto efektive dhe kursim të energjisë (p.sh. izolimi, rezistenca ndaj motit, etj.).
Pilotimi i njehsimit të ngrohjes qendrore dhe i tarifave në bazë të konsumit në mënyrë që të vlerësohet ndikimi në efikasitetin potencial që do ta mundësonte zgjerimin e sistemit./Arbresh.info/

Të ngjashme