Fillon dëshminë dëshmitari i 61-të në prosecin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

11:24 | 6 Maj 2024
A Z

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 61-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili mban kodin 01978 në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari është me masa mbrojtëse dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesja e Prokurorisë së Specializuar, ai është arrestuar dhe ndaluar nga ushtarët e UÇK-së dhe gjatë dëshmisë së tij do të flasë për këtë çështje e po ashtu do të bëjë identifikimin e disa ushtarëve dhe të bashkëndaluarve.

“Dëshmitari 01978 është arrestuar dhe ndaluar nga ushtarë të UÇK-së në ambiente ndalimi të UÇK gjatë disa javën. Dëshmitari 01978 do të jep dëshmi rreth kushteve ndalimit, punën që kanë bërë të ndaluarit si dhe procesin e marrjes në pyetje dhe rrahjes që ka pësuar ai. Dëshmitari do të identifikojë disa ushtarë të UÇK-së dhe disa të ndaluar të tjerë të mbajtur bashkë me atë”, ka deklaruar përfaqësuesja e ZPS-së.

Pas leximit të përmbledhjes dhe pranimit të disa provave duke përfshirë dëshmitë e dëshmitarit të dhëna më herët, prokurorja ka thënë se nuk ka pyetje për dëshmitarin.

Me pyetje vazhdoi mbrojtja e viktimave, Maria Radziejowska, e cila kërkoi që të kalohet në seancë private e që kjo u aprovua nga trupi gjykues.

Sipas trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari është planifikuar që të zgjasë rreth tri orë.

Para nisjes së dëshmisë së dëshmitarit, trupi gjykues mori disa urdhra me gojë që kishin të bënin me prova materiale konkrete të dëshmitarëve që tashmë kanë dhënë dëshmi.

Po ashtu, gjyqtari, Charles Smith III, shprehu mirënjohje për palët në procedurë dhe punën që kanë bërë gjatë këtij procesi gjyqësor duke shtuar se mund të bëjnë punën e tyre edhe më mirë për një gjykim më të drejtë, efikas dhe më të shpejtë./rtk

Të ngjashme