Fillon asfaltimi i rrugës që lidh fshatrat Bajgorë- Kovaçicë- Vesekovc

15:38 | 16 Maj 2020
Arbresh.info

Komuna e Mitrovicës ka vazhduar edhe ditën e sotme me realizimin e projekteve kapitale në fushën e infrastrukturës.

Në vazhdën e kësaj, ka filluar asfaltimi i rrugës kryesore për në fshatin Kovaçicë të Shalës së Bajgorës, e cila më pastaj lidhet me rrugën e fshatit Vesekovc në Komunën e Vushtrrisë, e cila tashmë është asfaltuar.

Asfaltimin e kësaj rruge e ka përcjellur nga afër edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, të cilët janë shprehur të kënaqur me realizimin e këtij projekti madhor për këto dy fshatra, pasi e shkurton lidhjen e tyre, por edhe lehtëson lëvizjen mes dy fshatrave të dy komunave.

Përveç kësaj, kryetari Bahtiri ka potencuar se kjo rrugë ka rëndësi edhe për faktin se krijon perspektivë për jetë në këto anë, për kthimin e atyre që janë zhvendosur më parë dhe për zhvillimin e turizmit e të bizneseve në fushën e bujqësisë.

Më këtë rast kryetari Bahtiri u tha banorëve të Kovaçicës se ndihet i lumtur që tani e tutje nuk do t’i keni problemet e rrugës që i keni pas deri tash, dhe se komuna do të vazhdoj me përmirësimin e kushteve të tyre për jetesë aty, në mënyrë që ju të vazhdoni të jetoni në këtë vend të bukur e piktoresk”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Ndërsa drejtori Muja, tha se projekti për ndërtimin e kësaj rruge parasheh asfaltimin e 8.5 kilometrave të rrugës. Nga rruga kryesore që lidh Mitrovicën me Podujevën deri në Kovaçicë, përkatësisht deri në Vesekovc të Vushtrrisë ku lidhet me rrugën tashmë të asfaltuar, gjatësia e rrugës është 3,5 kilometra, ndërsa 5 kilometra të tjera do të asfaltohen brenda fshatit, duke i lidhur lagjet mes veti dhe me disa lagje të Bajgorës.

Vlen të përmendet se ky projekt është bashkëfinancim i Komunës së Mitrovicës me Ministrinë e Infrastrukturës./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme