Fillojnë punimet për modernizimin dhe përmirësimin e sistemit të ujitjes Radoniqi-Dukagjini

13:39 | 25 Nëntor 2024
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, morën pjesë sot në përurimin e nisjes së punimeve të projektit për modernizimin dhe përmirësimin e sistemit të ujitjes Radoni-Dukagjin.

Sipas njoftimit, projekti ka vlerë 9.15 milionë euro edhe është i financuar nga Komisioni Evropian dhe zbatohet nga Banka Botërore, shkruan Arbresh.info.

Ky projekt është dëshmi e rezultat i raportit të shëndoshë me partnerë tanë pasi që vetëm gjatë qeverisjes sonë, në sektorin e bujqësisë vlera e mbështetjes nga partneritetet ndërkombëtare është 51 milionë euro, tha kryeministri.

“Të investosh në rehabilitim dhe modernizim të strukturave të ujitjes do të thotë që 11,750 hektarëve të tokës bujqësore t’ua mundësosh rritjen e efikasitetit të menaxhimit të ujit. Njëherit përmes këtij projekti do të funksionalizohet sistemi i ujitjes Dukagjini, i cili aktualisht është jashtë përdorimit”, u shpreh më tej ai.

Ai theksoi se në buxhetin e vitit 2025 që u miratua në Kuvend javën që shkoi, për fushën e bujqësisë janë paraparë 90 milionë euro, e që së bashku me projektet e financuara nga partner ndërkombëtarë kjo shifër e tejkalon vlerën e 100 milionë eurove. Ky është viti i dytë me radhë që bujqësia do të ketë buxhet vjetor mbi 100 milionë euro.

E krahas buxhetit meritor për bujqësinë, kryeministri veçoi se për bujqit dhe fermerët i kemi thjeshtësuar procedurat burokratike në procesin e aplikimit për programet mbështetëse, dhe si rezultat kemi bujq e fermerë të lumtur e të kënaqur, dhe falë punës së tyre e mbështetjes sonë vitin e kaluar sipërfaqja e përgjithshme e tokës së punuar është rritur për afër 50% në krahasim me vitin 2019, viti i parë parapandemik.

Shefi për Bashkëpunim i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Johannes Madsenn Steinbaek, duke folur në emër të Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se ky projekt është i rëndësishëm si për Kosovën ashtu edhe për Bashkimin Evropian, sepse i përgjigjet disa prej sfidave kryesore me të cilat ballafaqohet sektori i bujqësisë në Kosovës./Arbresh.info/

Të ngjashme