Ish-ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, tashmë i akuzuar për korrupsion në rastin “Stenta”, Ferid Agani ka mbrojtur marrëveshjet që ministria që ai udhëhiqte kishte lidhur me spitalet private për trajtim të pacientëve me sëmundje kardiovaskulare, pasi sipas tij, një gjë e tillë kishte bërë që të shpëtoheshin shumë jetë të qytetarëve.
Një deklarim të tillë, Agani e dha të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku ai së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e njohur si “Stenta 1”.
“Ka qenë vendim i Kuvendit të Kosovës që këto mjete të ndahen për qytetarët që janë në gjendje kritike për jetë. Me këto mjete, pra 4.5 milion të ndara për tre vite, në vetëm një vit është shpëtuar jeta e 320 qytetarëve të këtij vendi. Për mu si ministër, jeta e një qytetari ka peshë shumë më të madhe se paratë”, tha Agani, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Florije Salihu-Shamolli.
Kjo përgjigje e Aganit erdhi pasi që prokurorja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Salihu-Shamolli, e pyeti Aganin, nëse të gjitha paratë që kanë shkuar për spitalet private kishin mundur të shpenzoheshin në blerjen e aparaturave dhe investimi i tyre në spitalet publike, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Siç tha Agani, një kërkesë e tillë po të bëhej nga ana e tij si ministër, do të ishte kundërligjore dhe për të do të ndjekej penalisht pasi siç tha, ligji i buxhetit miratohet nga Kuvendi i Kosovës, dhe mjetet në fjalë ishin përcaktuar te kategoria e subvencioneve, në shumë prej rreth 5 milion euro në vit.
Se ku shkonin dhe si shpenzoheshin këto para të subvencioneve, Agani tha se ishin shtatë filtra brenda Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), që monitoronin shpenzimeve e këtyre parave.
“Bordi ekzekutiv për trajtimin jashtë institucioneve shëndetësore, Inspektorati Shëndetësor, Auditori i brendshëm, Auditori i Përgjithshëm, divizioni i sektorit privat, sekretari i përgjithshëm dhe pastaj ministri”, tha Agani.
Po ashtu, për shpenzimin e këtyre mjeteve, Agani tha se ka raportuar të paktën tre herë dhe në komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e buxhetit dhe financave.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Adem Vokshi, në lidhje me marrëveshjet që MSH kishte lidhur me spitalet private “IMH” dhe “Intermed EDA”, Agani tha se këto marrëveshje kanë pas bazë ligjore dhe marrëveshje të ngjashme siç tha, ishin nënshkruar edhe para ardhjes së tij si ministër.
Lidhja e marrëveshjeve me spitalet e lartcekura, Agani tha se nuk ka pas qëllim të krijimit të një pozite monopoli për ato spitale, por qëllimi sipas tij, ka qenë lehtësimi i procedurave të aplikimit të qytetarëve në MSH, rritja e përgjegjësisë së këtyre spitaleve ndaj qytetarëve dhe MSH-së, shtimi i bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat dhe atij publik, zhvillimi i mëtutjeshëm i shërbimeve jete shpëtuese dhe parandalimi i shpenzimeve të panevojshme të qytetarëve.
Në pyetjen e prokurores se a kanë pasur mundësi që edhe spitalet tjera të aplikojnë për tu bërë pjesë e marrëveshjes së tilla, Agani tha se qëllim nuk ka qenë arritja e kontratës publike me ndonjë spital privat por marrëveshje të bashkëpunimit dhe krejt procedura ka qenë e organizuar nga MSH.
“Nuk ka qenë garë, nuk është zbatuar ligji për prokurimi publik”, tha Agani.
Pretendimet e prokurorisë se me veprimet e Aganit dhe të akuzuarit Shabani, buxheti i Kosovës është dëmtuar për rreth 4.5 milion euro, i akuzuari Agani i quajti si pretendime plotësisht të pasakta pasi siç tha, këto para kanë qenë të dedikuara për atë qëllim.
“Pohimi se nuk kam marr ndërmarr masat e duhura për t’i siguruar furnizim e QKUK-së me material të nevojshëm është absolutisht i pasaktë. Dëshminë për këtë e ka dhënë edhe njëri nga zyrtarët e prokurimit që ka dëshmuar. Në mbledhjet e organizuara nga unë me të gjithë faktorët relevantë në ditët e para që kam marr detyrën ka qenë një shkresë nga sektori farmaceutik se në QKUK, në kardiologji ka skaduar afati i përdorimit të stendave në vlerë prej 270 mijë euro. Kjo ka qenë gjendja që unë e kam gjet”, tha Agani.
Marrëveshje sikurse me spitalet “IMH” dhe “Intermed EDA”, Agani tha se ishin nënshkruar edhe me institucione tjera shëndetësore, e jo vetëm ato që kishin të bëjnë me lëmine e kardiologjisë.
Kur u pyet nga ana e mbrojtësit të tij, avokatit Vokshi, për pjesën e aktakuzës ku thuhet se 23 pacientëve u ishin lejuar kompensime deri në 100 % të shumë së përgjithshme pa i plotësuar kushtet e nevojshme për këtë shumë, Agani tha se edhe për të ka qenë e befasishme kur kishte dalur një gjë tillë.
“Ky numër dhe për mu ka qenë i befasishëm. Asnjë informatë për ndonjë shkelje të mundshme nuk e kam pasur. Për përqindjet e kompensimeve, përgjegjës ka qenë bordi ekzekutiv”, tha Agani.
Kur u pyet nga prokurorja Salihu-Shamolli, se a kishte pasur ndonjë dilemë nga ana e ish-sekretarit Shabani në lidhje me këto marrëveshje me spitalet private, Agani tha se zyrtarisht me shkrim nuk ka pasur, kurse verbalisht tha se nuk i kujtohet nëse ka pasur.
Në pyetjen pasuese të prokurores, se a është dashur që spitalet private me të cilat janë nënshkruar marrëveshjet të plotësojnë ndonjë kriter, Agani tha se të njëjtat është dashur të jenë të licencuara.
E pas kësaj përgjigje të të akuzuarit, prokurorja e pyeti të njëjtin se a ka qenë në dijeni për një gjobë prej 5 mijë euro që i ishte shqiptuar spitalit “IMH” për shkak se një mjek i këtij spitali nuk kishte pasur licencë, por, Agani u përgjigj duke thënë se atij i intereson licenca e punës së institucionit kurse gabimet e mjekësve apo të ngjashme janë subjekt i dënimit nga inspektorati shëndetësor.
Tutje, ish-ministri e pranoi se i njeh të akuzuarit tjerë të përfshirë tashmë në rastin “Stenta 3”, Borche Petrovski dhe Lulzim Brovina, për të cilët tha se kanë qenë të specializuar dhe kanë ofruar shërbime në mënyrë legale.
Kur u pyet nga prokurorja se nëse kishte shkëmbyer SMS me Petrovskin, Agani tha se i njëjti e kishte vizituar njëherë në MSH, ku Petrovski i ishte ankuar se po i vonoheshin pagesat nga ana e MSH-së, kurse sa i përket komunikimit me SMS, Agani tha se nuk i kujtohet se kishte pasur një komunikim të tillë.
Kur u pyet nga prokurorja se a është dashur të shpallet tender në rastin konkret pasi sipas ligjit të prokurimit publik, për çdo mjet mbi 1000 euro duhet të shpallet tender, Agani tha se ligji ia ka ndaluar që për mjetet e alokuara në ligjin e buxhetit në kategorinë e subvencioneve dhe transfere të zbatohet ligji i prokurimit publik.
Përgjigja që Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), i kishte kthyer PSRK-së, në lidhje me atë se a kishte pasur nevojë për tender në këtë rast apo jo, Agani tha se ka qenë përgjigje shumë e përgjithësuar, pasi edhe pyetja që PSRK i kishte bërë ka qenë e përgjithësuar.
“Sikur pyetja te ishte bëre se a duhet qe paratë e subvencioneve t;i nënshtrohen prokurimit publik, përgjigjja do te ishte jo”, tha Agani.
Krejt në fund, prokurorja Salihu-Shamolli e pyeti ish-ministrin se a kishin filluar të bëheshin operimet në QKUK pas arrestimeve që kishin ndodhur në rastin “Stenta”, me Aganin që u përgjigj se arrestimet ishin bërë në vitin 2013 kurse operacioni i parë në zemër të hapur siç tha, ishte bërë në QKUK në mars të vitit 2013.
Përveç prokurores, i akuzuari Agani u përgjigj edhe në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Gani Shabani, avokatit Nikë Shala, pyetjet e të cilit, shumica lidheshin me të akuzuarin Shabani.
Siç tha Agani, sekretari i MSH-së, për punën e tij i përgjigjet ministrit dhe i njëjti është i obliguar që të zbatojë vendimet e ministrit.
Kur u pyet nga avokati Shala, se cili kishte qenë vlerësimi i tij për punën e ish-sekretarit Shabani, Agani tha se vlerësimi i tij kishte qenë pozitiv.
Tutje, në lidhje me trajtimin jashtë institucuioenve publike, Agani tha se ka qenë bordi ekzektuvi brenda MSH-së që ka vendosur, dhe ky bord emërohej dhe për punën e tij i përgjigjej ministrit por i njëjti nuk ishte pjesë e shërbimit civil të MSH-së.
Në lidhje me atë se kush e cakton vendin dhe shumën për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike, i akuzuari Agani tha se e drejta e zgjedhjes së spitalit i takon pacientit, i cili ka qenë i obliguar që para bordit të sjell dy pro fatura nga dy institucione shëndetzësore e pastaj bordi e zgjedh ofertën më të lirë.
Në pyetjet e avokatit Shala se ka ndodh që sekretari të lejoj mjete pa aprovimin e bordit ekzekutiv apo që ish-sekretari Shabani të ngrit apo ul shumën të cilën e ka aprovuar paraprakisht bordi, ish-ministri tha se sa është në dijeni ai, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Marrëveshje të ngjashme me këto për të cilat akuzohen Shabani dhe Agani, ky i fundit tha se ishin lidhur edhe gjatë kohës sa sekretar i MSH-së kishte qenë Ilir Tolaj.
Krejt në fund të seancës, kur nga ana e prokurores u pyet se a kishte pasur vërejtje nga inspektorati shëndetësor për dy spitalet që nuk kishin pasur licencë për ushtrimin e veprimtarisë disa mjekë në këto spitale, Agani tha se këto vërejtje i kishte parë por ato kishin qenë në tetor 2013, kurse marrëveshjet e bashkëpunimit ishin lidhur në vitet 2011 dhe 2012.
Ndryshe, për në seancën e së martës ishte ftuar nga gjykata që të dëgjohej edhe një përfaqësues i palës së dëmtuar, por, siç tha kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, pala e dëmtuar përmes një parashtrese, e kishte informuar gjykatën se nuk mund të marrin pjesë në seancë ndërsa në parashtrese theksohej se të njëjtit parashtrojnë kërkesë pasurore juridike.
Seanca e radhës ku do të bëhet marrja në pyetje e të akuzuarit Gani Shabani u caktua të mbahet më 26 mars 2019, ora 9:00.
Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani, të cilët nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt të këtij viti.
Në shqyrtimin fillestar të 26 shkurtit, po ashtu ishte bërë e ditur nga gjykatësja e këtij rasti, Shadije Gërguri, që të akuzuarit Agani dhe Shabani tash e tutje do të vazhdojnë të gjykohen veçmas nga të akuzuarit tjerë, të cilët do të gjykohen në dy procedura të tjera.
Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.
Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.
Sipas aktakuzës së PSRK-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 1 janarit 2011 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.
Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.
Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private “International Medicine Hospital (IMH)” dhe “Intermed EDA”, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.
Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik., mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private “IMH” dhe “Intermed EDA” shumën prej 4,555,553.00 euro.
Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.
Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...