Google ADS

Fëmijët, viktima të luftës në Kosovë

14:13 | 10 Qershor 2019
Arbresh.info

20 vjet më parë, më 10 qershor 1999 përfundoi lufta në Kosovë. Një ekspozitë në Prishtinë i dedikohet fëmijëve që u vranë gjatë luftimeve.

“Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë!” Ky është titulli i një ekspozite të re, që është hapur së fundmi në Prishtinë. Me anë të saj përkujtohen më shumë se 1000 fëmijë të vrarë gjatë luftës në Kosovë, me fotografi dhe histori, si dhe sende personale. Xhaketa të vogla dhe këpucë, djepe të foshnjave ose lodra, me të cilat kanë luajtur fëmijët janë për t’u parë në këtë ekspozitë.

Prindërit e viktimave i kanë mbajtur këto gjëra të tyre deri më sot, si kujtim për fëmijët e tyre të vrarë. Ejup Çaraku nga fshati Poklek që ndodhet në afërsi të Prishtinës humbi katër anëtarë të familjes gjatë luftës. Dy djemtë e tij, Hasanin (12 vjeç) dhe Beratin (13 vjeç), gruan e tij Baftijen (30 vjeçe) dhe gruan e vëllait të tij Mihrijen (47 vjeçe). Të gjithë u vranë gjatë luftimeve. Kjo ekspozitë është shumë domethënëse për të, sepse kështu viktimat e luftës nuk i lihen harresës. “Unë e vlerësoj këtë ekspozitë si ide. Është mirë, sepse dikush mendon për fëmijët tanë dhe se diçka është bërë për t’i kujtuar ata. Ne ndjehemi të lehtësuar, edhe pse e dimë, se kjo nuk do t’i kthejë gratë dhe fëmijët tanë “, shprehet Çaraku.

Edhe fëmijët e Mejreme Kelmendit u vranë gjatë luftës. Është e dhimbshme të mbahen mend detajet e vdekjes së bijve të saj Besimit dhe Haxhiut, thotë ajo.Të dy ishin vetëm 12 dhe 10 vjeç. “Në këtë ekspozitë mund të shihni batanijen, me të cilën i kam mbuluar fëmijët e mi, dhe do të ishte më mirë nëse ato plumba do më kishin goditur mua, jo fëmijët e mi, kështu që nuk do të kisha për të parë fotot e tyre në këtë ekspozitë”, thotë ajo.

20 vjeçari Albin Morina, nëna e të cilit gjatë luftës në Kosovë ka ardhur si refugjate, ka ardhur posaçërisht për këtë ekspozitë në Kosovë. “Unë vetë e humba babanë tim në luftë. Nëna ime ishte shtatzënë me mua dhe unë nuk munda ta takoja dot as edhe njëherë të vetme. Është patjetër e mirë të kesh një ekspozitë të tillë për të parë se çfarë kemi përjetuar ne në luftë dhe të gjorët fëmijë të pafajshëm që kanë vdekur, edhe pse ata nuk kishin asnjë faj. Kjo të prek”, thotë Morina.

“Deri më sot, nuk ka asnjë memorial apo ditë përkujtimore për të kujtuar fëmijët që kanë humbur jetën”, thotë Dea Dedi nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Kosovë, e cila e organizoi ekspozitën. Gjithsej 1,024 fëmijë u vranë gjatë luftës, sipas të dhënave të qendrës. Ndërsa 109 fëmijë ende janë të zhdukur.

“Ne mendojmë se është e rëndësishme që fëmijët, të cilët u vranë ose u zhdukën në luftën e Kosovës të mos harrohen. Prandaj kontaktuam familjet e tyre për të marrë informacione për fëmijët, dhe u thamë atyre për ekspozitën dhe dëshirën tonë për të bërë diçka për t’i kujtuar ata. Familjet ishin shumë bashkëpunuese dhe të gatshme për të na ndihmuar dhe mbështetën idenë tonë.”

Gjetja e rrobave, gjërave shkollore ose vizatimeve të fëmijëve nuk ishte e lehtë, thotë Lea Dedi. Shumica e gjërave janë djegur ose kanë humbur në luftë dhe për shumë prindër kanë mbetur vetëm kujtimet. Përkujtimi i fëmijëve të vrarë është i rëndësishëm: “Njëzet vjet pas përfundimit të luftës, ne si shoqëri duhet të merremi me atë që ky vend ka përjetuar në mënyrë që kjo të mos ndodhë përsëri”. Ekspozita do të jetë e hapur deri në maj të vitit 2020 në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme