Edhe pak muaj kanë mbetur deri në shënimin e Ditës Botërore të Autizmit.
Kjo ditë shënohet më 2 prill, por Kosovën e gjenë edhe këtë vit të papërgatitur në trajtimin e duhur të fëmijëve të prekur nga autizmi, shkruan portali Arbresh.info.
Kosova ende nuk ka statistika të sakta për numrin e fëmijëve me autizëm, por statistikat botërore flasin shumë.
Para 7 vjetësh në botë janë shënuar një në dyqind fëmijë të prekur nga autizmi, para 2 vitesh një në gjashtëdhjetë fëmijë.
Cen Krasniqi, kryetar i shoqatës “Autizmi”, thotë për Arbresh.info se kushtet për trajtimin e autizmit në Kosovë janë të pandryshueshme.
Sipas tij, shoqata në të cilën ai punon po mundohen ta tejkaloj këtë gjendje duke dërguar në Shqipëri ndër të tjera disa psikologë, në “Qendra për fëmijët me autizëm”, e udhëhequr nga Liri Berisha.
“Kjo qendër ka programe të ndryshme, ne si shoqatë i kemi dërguar njëzetë terapeistë, të cilët i kemi trajnuar atje dhe i kemi financuar si shoqatë, ata kanë pasur disa lirime për ne, mund të themi se tashmë kemi pak a shumë të trajnuar. Në këtë qendër trajnimi punohet me programin APA”, thotë Krasniqi.
Ai sqaron se cila ka qenë ideja më e mirë për trajtimin e autizmit tek fëmijët e prekur nga ky çrregullim.
“Mirëpo duke i pasur parasysh vështirësitë që kemi, janë shumë pak, ai thotë se ideja më e avancuar ka qenë që fëmijët të shkojnë në klasa të rregullta, të rrinë një kohë atje dhe vetëm në momente kur janë të shqetësuar të shkojnë në klasa për mësime plotësuese që është quajtur klasë e bashkëngjitur”, shton Krasniqi duke u shprehur i shqetësuar që Ministria po planifikon t’i shuaj këto klasa të bashkëngjitura.
“Ne nuk jemi për mosintegrimin e fëmijëve mirëpo duhet të krijohen kushte për integrimin e këtyre fëmijëve”, thotë Krasniqi.
Krasniqi i cili është edhe baba i fëmijës me autizëm ka përmendur edhe institucionet e vendit dhe thotë se nuk kanë ndonjë përkrahje simbolike.
Ai ka shtuar se Ministria e Arsimit për 2 vite në Ditën Botërore për Autizëm ka ndarë afër 2000 euro , dy herë për promovimin e saj, ndërsa edhe dy vite tjera ka premtuar por nuk ka ndarë asgjë.
I irrituar nga institucionet, Krasniqi përmend edhe komunën e Prishtinës e cila siç tha, ka premtuar një pllac për fëmijët me autizëm dhe me sindromin Down, mirëpo kjo gjë nuk u realizua kurrë.
“Për këtë qendër janë gjetur edhe donatorë të ndryshëm, psh: Shpresa Gjakli prej Amerikës, mjeke dhe nënë e fëmijës me autizëm i ka ofruar njëqind e pesëdhjetë mijë euro dhe shumë individë të tjerë kanë dhuruar, ka edhe të tjerë që ofrojnë edhe ndihmë për ndërtimin e kësaj qendre, tulla, blloka dhe materiale tjera ndërtimore”, u shpreh Krasniqi.
“Ajo që më ka irrituar shumë ka qenë para dy muajve në një asamble për Prishtinën, ku është ndarë buxheti dhe ata kanë parashikuar t’i ndajnë 180 mijë euro për qendrën për nevoja të veçanta, ajo qendër duhet të jetë për të gjitha moshat dhe për të gjitha kategoritë, kjo është vetëm me i “gjujt hi syve”, kur dihet se 7% në Kosovë i kemi me nevoja të veçanta”, tha ai.
I kontaktuar nga Arbresh.info, Arben Vitia, drejtor në Drejtorinë e Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, thotë se komuna e Prishtinës ka ndarë pllacin për fëmijët me autizëm dhe sindromin Doën dhe se lokacioni tashmë është i ditur.
Ai thotë se pllaci ka 22 ari dhe se për ndërtimin e objektit ka pasur shumë donatorë nga Amerika dhe Evropa që kanë shprehur vullnetin për ndihmë së bashku me shoqatën “Autizimi” dhe sindromin Down.
“Problemi i vetëm që ka mbetur është për kofinancim nga zyra ligjore në Prishtinë dhe zyra ligjore në Ministrinë e Mirëqenies Sociale. Sa i përket pllacit është ndarë dhe pritet që të dalë në Kuvend në javët në vazhdim, këto tashmë kanë mbetur vetëm çështje procedurale ”, tha Vitia.
Ai tha se ndërtimi i kësaj qendre është në bashkëfinancim edhe me shoqatat e autizmit dhe sindromit Down dhe se do të ndahen 180 mijë euro për këtë qendër.
Në Divizionin e Komunikimit me Publikun nga Ministria e Shëndetësisë thonë se autizmi është një çështje të cilës duhet kushtuar më shumë rëndësi si nga aspekti arsimor dhe edukativ, ashtu edhe nga ai mjekësor.
MSH- ja thotë se sa i përket aspektit mjekësor, së fundi ka pasur një bashkëpunim më të mirë midis shoqatave që merren me çështjen e autizimit dhe Ministrisë.
“MSH- ja konsideron se si problematikë ende nuk është adresuar sa duhet në planin profesional. Në këtë aspekt, përveç rritjes së bashkëpunimit me shoqatat që merren me çështjen e autizimit, përmes rritjes së kapaciteteve diagnostikuese në shërbimet shëndetësore, po provohet që të rriten mundësitë që diagnostikimit të hershëm të këtij problemi dhe problemeve të tjera”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Komunikimit me Media në këtë ministri.
Sipas kësaj ministrie, mundësitë janë të kufizuara tash për tash, për shkak të mungesës së resurseve profesionale dhe kapaciteteve që problemet e këtilla të detektohen qysh herët.
Ndërkaq sa u përket klasave të bashkëngjitura, për Arbresh.info ka folur Luljeta Kabashi, zyrtare në Ministrinë e Arsimit për klasa të bashkëngjitura.
Ajo thotë se Ministria e Arsimit në vitin 2014 ka hartuar një udhëzim administrativ, i cili do të bëjë një ndryshim nga klasat e bashkëngjitura te dhomat e burimeve.
Këto dhoma, siç tha ajo do të shërbejnë për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara për t’ju ndihmuar në gjithëpërfshirje sa më cilësore dhe se kjo është ideja e shndërrimit të këtyre klasave të ashtuquajtura klasa të bashkëngjitura në dhoma të burimeve.
“Së fundi ministria ka miratuar edhe një udhëzues për funksionalizimin e këtyre dhomave së shpejti do t’i dërgojmë komunave që ta kenë më të qartë shndërrimin e klasave në dhoma të burimeve, ato dhoma do të ekzistojnë për t’i shërbyer të gjithë mësimdhënësve që kanë nevojë të aftësohen dhe që merren me fëmijët me aftësi të kufizuara, konkretisht me fëmijë me autizëm, në mënyrë që mësimdhënësit të aftësohen sa më shumë për punën që e bëjnë”, është shprehur Kabashi.
Ajo thotë se sa iu përket trajnimeve, ata si Ministri kanë pasur të drejtën të japin trajnime në kuadër të Ministrisë mirëpo, tash trajnimet e kanë ndërruar formën pasi ato i japin shumë qendra burimore te cilat janë të specializuar për fëmijë me aftësi të kufizuara.
Sa i përket trajnuesve për fëmijët me autizëm thotë se janë në dijeni për mungesën e tyre.
“Kemi pasur trajnime të ndryshme në objektin e Ministrisë së Arsimit vetëm që mësimdhënësit të aftësohen për t’i njohur fëmijët me autizëm, mirëpo kjo nuk mjafton se spektri është shumë i gjerë, vështirësitë janë shumë specifike, çdo herë sjellin risi në proceset e trajnerëve dhe mësimdhënësve por edhe të njerëzve që merren me fëmijët me autizëm, siç janë terapistët e ndryshëm, psikologë të cilët kanë nevojë çdo herë t’i rifreskojnë të dhënat për fëmijët me autizëm” përfundon Kabashi./Arbresh.info/Z.Bekteshi.
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...