Google ADS

Fejzullah Rexhepi propozohet për kryetar të Gjykatës Supreme

18:44 | 18 Maj 2023
E.H

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 309-të, të mbajtur të enjten, ka propozuar për dekretim gjyqtarin Fejzullah Rexhepi, për kryetar të Gjykatës Supreme.

Propozimi e tij për këtë pozitë, erdhi pasi i njëjti mori 7 vota të anëtarëve të Këshillit.

Në këtë pozitë, ka kandiduar edhe gjyqtarja Mejreme Memaj, e cila deri më tani ka ushtruar detyrën ushtrueses së detyrës së kryetares së Gjykatës Supreme, mirëpo e njëjta nuk mori votat e mjaftueshme nga anëtarët e Këshillit për t’u zgjedhur në këtë pozitë. Ajo mori gjithsej 3 vota.

Ndryshe, në prezantimin e raportit nga Komisioni Vlerësues, kryesuesi i Komisionit për Vlerësimin e kandidatëve, anëtari Vilard Bytyqi, tha se gjyqtarja Mejreme Memaj ka marrë 75 pikë nga komisioni, ndërsa gjyqtari Fejzullah Rexhepi 81.67 pikë.

Sipas tij, në këtë llogaritje janë përfshirë pikët nga intervista dhe pikët nga vlerësimi i koncept-dokumentit.

I njëjti shtoi se asnjëri prej kandidatëve nuk ka parashtruar ankesë lidhur me vlerësimin e komisionit.

Dekretimin e tij në këtë pozitë, pritet ta bëjë Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Ndryshe, deri tek zgjedhja e gjyqtares Memaj në pozitën e ushtrueses së detyrës, kishte ardhur pas dorëheqjes së ish-kryetarit të Gjykatës Supreme, gjyqtarit Enver Peci.

Më poshtë gjeni të bashkëngjitur biografinë e Fejzullah Rexhepit, i propozuar për kryetar të Gjykatës Supreme, të publikuar në ueb-faqen zyrtare të kësaj gjykate.

Fejzullah Rexhepi, në vitin 2010 u emërua gjyqtar në Gjykatën Komunale në Ferizaj, detyrë të cilën e mbajti deri në fund të 2012-ës.

Prej 1 janarit të vitit 2013 deri më 1 shtator 2015, ishte gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Ferizaj.

Ndërsa, më 1 shtator 2015 është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën e Apelit, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil.

Në shtator të 2020-ës, është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Supreme./BetimipërDrejtësi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme