“Po punoj që ta shoh secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor të ecë në rrugën e reformave drejt Bashkimit Evropian, e për t’u siguruar që procesi është i pakthyeshëm”, deklaroi Federica Mogherini përpara nisjes së turit të saj në rajon, që e sjell në Shqipëri dhe e çon gjithashtu në Kosovë, Bosnje, Mal të Zi, Serbi e Maqedoni.
“Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten të një rëndësie kyçe në këtë kontekst”, shtoi shefja e diplomacisë evropiane. Përfaqësuesja e lartë e çështjeve të Jashtme dhe politikave të Sigurisë në BE e nis valën e vizitave në Podgoricë, ku do t’i drejtohet Parlamentit gjatë një seance të posaçme. Turi mbyllet më 4 mars me ndalesën në Tiranë.
Vizita e kryediplomates evropiane vjen në mesin e protestave të rrugës të organizuara nga Partia Demokratike dhe të reformës së rëndësishme në drejtësi, që blloku evropian kërkon ta shohë të përfunduar.
Një situatë e ngjashme, ndonëse në kontekst krejt tjetër, e pret edhe në Maqedoni, ku mbështetës të partisë në pushtet VMRO-DPMNE kanë dalë në rrugë kundër krijimit të një koalicioni qeverisës të LSDM-së me partitë shqiptare. Agjenda e ndalesës në Serbi ende nuk është bërë publike, por me shumë gjasë do të përfshijë diskutime mbi të ardhmen e dialogut Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja.
I gjithë rrugëtimi i Mogherinit, në fakt ndërmerret në një kohë tensionesh etnike dhe politike, që kërcënojnë – sipas ekspertëve, – minimin e proceseve integruese të rajonit, ndaj dhe vizita e saj duket se synon pikërisht qetësimin e tyre.
Putin paralajmëron se Rusia do të vazhdojë të testojë raketë...
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut shënojnë Ditën e Alfabetit
Aksident me fatalitet në Krushë të Madhe, vdes një këmbësor
Reagon për herë të parë Diana pas largimit nga Big Brother V...
Ylli i Barcelonës nuk do të rikthehet në aksion deri në fill...
Ndërprerjet e energjisë për shkak të motit, KESCO del me njo...