Faton Bislimi ka bërë të ditur se do të kandidojë për pozitën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në kuvendin e dhjetë që do të mbahet më 19 nëntor.
Me anë të një postimi në Facebook, Bislimi tha se beson fuqishëm në LDK-në e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare të trasuara nga Presidenti Rugova, përcjell Arbresh.info
Mes tjerash, Bislimi theksoi se këtë vendim e ka marrë si gatishmëri për t’i shërbyer familjes së madhe të LDK-së, por dhe si përgjigje për ata që kanë humbur shpresat në LDK.
Postimi i plotë:
Sot, kam njoftuar Kryesinë e LDK-së në Prishtinë, përmes një shkrese zyrtare, se në bazë të Nenit 8.1, Nenit 16.2 dhe Nenit 25, të Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kam vendosur që në Kuvendin e Dhjetë të LDK-së që do mbahet më 19 nëntor 2023, do të paraqes para delegatëve kandidaturën time për Kryetar të LDK-së
“Unë besoj fuqishëm në LDK-në e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare të trasuara nga Presidenti Rugova.
Ky vendim imi vjen jo vetëm si vazhdimësi e angazhimit tim për vendin dhe gatishmërisë për t’i shërbyer familjes së madhe të LDK-së së vërtetë, por edhe si përgjigje ndaj krejt atyre që kanë filluar të humbin shpresën për një LDK që kishin dashur e kanë aspiruar, si dhe atyre që asnjëherë nuk rreshtën së përkrahuri vizionin e përpjekjen time për LDK-në”.
Siç e pata theksuar edhe në letrën time të dorëheqjes nga Kryesia e LDK-së më 24 maj 2023 (e cila nga eksponentë të caktuar u mundua të paraqitej rrejshëm si dorëheqje e imja nga LDK-ja), unë kam vazhduar të kem vizion të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vlerave rugoviste, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë. Si atëherë, ashtu edhe tani, unë zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të; dhe mbi të gjitha, LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve! Për këtë LDK, ofroj gjithëçka nga vetja ime!
Dorëheqja ime nga Kryesia ishte akt moral dhe paralajmërim i drejtpërdrejtë që rruga që kishte zgjedhur LDK-ja nën këtë udhëheqësi ishte e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themeltare dhe idealet kombëtare për të cilat do duhej të qëndronte LDK! Tani që po i afrohemi Kuvendit të Dhjetë Zgjedhor, po afrohet edhe momenti i mundësisë së rikthimit të LDK-së tek këto vlera e ideale!
Në një kohë kaq kruciale për shtetin tonë, LDK-ja ka rol esencial dhe historik, ashtu siç kishte në të kaluarën kur ishte bërë kurriz i ruajtjes së qenjes kombëtare shqiptare në Kosovë, si dhe themel i procesit të shtetndërtimit, lirisë e pavarësisë. Sukseset më të mëdha e më meritore të LDK-së janë shënuar kur ajo është udhëhequr nga dashuria vetmohuese për shtetin.
Sot, janë të panumërt njerzit e mirë të LDK-së që ndjehen të papërfaqësuar nga LDK e anatemuar jo vetëm ideologjikisht por edhe praktikisht. Ka një armatë të tërë aktivistësh e kontributdhënësish – që nga kohët më të vështira – që janë të pakënaqur me drejtimin e LDK-së e tanishme. Ka shumë figura emblematike që asnjëherë nuk iu dha as respekti dinjitoz e i merituar.
Unë besoj në vlerat e përbashkëta që duhet të ofrojë LDK-ja. Besoj dhe angazhohem për secilin që e sheh LDK-në si strumbullar të zhvillimeve pozitive për shtetin dhe kombin. Besoj në vendin meritor dhe vlerësimin adekuat që duhet dhënë për secilin që nuk kurseu asgjë nga vetja për të mirën e vendit përmes LDK-së. LDK-ja e vërtetë është ndërtuar e mbajtur nga puna vullnetare e aktivistëve të saj, nga kontributdhënësit e përkrahësit pa asnjë kusht, nga ai mësuesi e ajo mjekja që punonin pa kompenzim, nga ai ushtari i lirisë që luftën e bënte për shtet e jo për pushtet, nga ata mërgimtarët tanë që ndanin jo vetëm kafshatën e gojës por edhe gjithëcka tjetër që u kërkohej, vetëm e vetëm për ta mbajtur në këmbë idenë e shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës. E kjo ide ishte frymëzimi i krejt Kosovës. Kjo ide e lirisë e pavarësisë, anipse fillimisht dukej e pamundur, u bë realitet, u arritë nën lidershipin e Presidentit Rugova dhe njerëzve më intelektualë e të urtë të kohës, disa prej të cilëve, fatkeqësisht, u likuiduan mizorisht nga dorë e zezë antikombëtare edhe pas agut të lirisë.
LDK nuk rritet e ringritet duke anashkaluar, përjashtuar, e përbuzur, por duke përbashkuar, respektuar, e mirënjohur secilin që ndanë besimin për të.
Derisa të panjohurat e së nesërmes na sjellin dilemat e tanishme, e kaluara na jep mësimet. Të frigohemi nga shpërfaqja e bindjeve tona të përzemërta është të mohojmë vetën. Të ruajmë të mbyllura në vete qoftë kontradiktat apo edhe dashamirësitë është devijuese ndaj progresit njerëzor e po ashtu edhe politik. Në dallime e kundërshti nuk duhet ligështuar; përkundrazi, duhet frymëzuar. Të definohemi nga ajo që na përbashkon është shumë më frutdhënëse sesa nga ajo që na dallon. Unitet në dallime – është vlera më e rëndësishme e busollës së orientimit tim politik. Andaj, 19 nëntori është shanci, ndoshta edhe i fundit, për ruajtjen e LDK-së se vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare. Për secilen e secilin që përnjëmend ka besuar e beson në këto vlera e ideale, zgjedhja do jetë e lehtë atë ditë. Vetëm një LDK e tillë do të mund të sfidojë në mënyrë triumfaliste narrativën e atyre që përmes populizmit të skajshëm e pseudonacionalizmit kapën majat e pushtetit. E ky është shërbimi më i madh që do i bënim vendit, shtetit dhe gjeneratave të ardhëshme.
Bashkë, ia dalim. Po, mundemi! Mundemi sepse askush e asgjë nuk është më e fuqishme se bindja e besimi.
Ju falëmnderit!
Rama në Londër: Nisëm ligjore për të regjistruar fëmijët e s...
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Driloni, Anisës: Po tutem që të shikoj
Zelensky kërkon më shumë sisteme për mbrojtje ajrore të Ukra...
Rama në Britani e Madhe: Emocion kuqezi pak minuta përpara t...
Tenderët njëburimor, Murati: Përqindja më e madhe ka qenë më...