Pas pesë vjetësh zvarritje, më në fund Xhamia Qendrore do të ndërtohet në kryeqytet. Së paku kështu u premtojnë myslimanëve kandidatët në garë për kryetar të Komunës së Prishtinës.
Gati të gjithë kanë thënë për Gazetën Fjala se leja për ndërtimin e kësaj xhamie do të jepet menjëherë, pasi që ta marrin drejtimin e komunës.
I vetmi që nuk flet asgjë është kryetari i tanishëm, Shpend Ahmeti, në mandatin e të cilit nuk u realizua premtimi për fillimin e punimeve të këtij objekti fetar.
Ndërkaq, kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arban Abrashi thotë se do të përmbushin atë që ka nisur partia e tij pesë vite kur kishte ndarë parcelën në lagjen dardania afër objektit të PTK-së.
“Në momentin që do të marr detyrën e kryetarit të Prishtinës, në harmoni me ligjin dhe planin e ndërtimit, do të lëshoj leje për ndërtimin e xhamisë qendrore në Prishtinë”, është shprehur Abrashi për Gazetën Fjala.
Edhe Lirak Çelaj nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se ka dalë disa herë me qëndrim pro ndërtimit të kësaj xhamie, pasi që i plotëson të gjitha kushtet për ndërtim.
“Do ta jap lejen për ndërtimin e xhamisë së Madhe, sapo të vije në pushtet. Dihet se unë kam dalë disa herë pro ndërtimit të kësaj xhamie, pasi që i plotëson të gjitha kushtet dhe ne nuk do ta pengojmë ndërtimin e saj”, ka thënë Çelaj.
Premtim të njëjtë ka dhënë edhe kandidati i AAK-së, Arbër Vllahiu.
“Që në ditët e para të qeverisjes në Komunën e Prishtinës, leja për ndërtimin e Xhamisë Qendrore, do të jepet”, ka thënë Vllahiu për Gazetën Fjala.
Pro dhënies së lejes për ndërtimin e Xhamisë Qendrore është edhe kandidati nga Aleanca Kosova e Re, Selim Pacolli mirëpo pas rishikimit të hapësirës ku është planifikuar ndërtimi i saj.
“Leja për ndërtimin e xhamisë do të jepet, por duhet rishikuar pozicionin se ku do të ndërtohet ky objekt i kultit fetar.”
Pacolli thotë se me ardhjen e tij në pushtet për ndërtimin e xhamisë në atë hapësirë, do t’i bëj bashkë Fakultetin e Ndërtimtarisë, Fakultetin e Arkitekturës dhe Shoqatën e Arkitektëve që të rishikohet vendi se ku do të ndërtohet, pasi që nuk u ngjan objekteve përreth.
Por ndryshe nga kundërkandidatët e tij, Pacolli nuk jep ndonjë afat kohor se kur do të jepet leja për ndërtim
“Nuk mund të caktoj afat kohor se kur do të jepet leje për ndërtim, pasi që nuk dihet se sa do të zgjat rishikimi i vendit për ndërtimin e këtij objekti”, ka thënë Pacolli për Gazetën Fjala.
Në prezantimin e programit të tij për kryeqytetin ai ka shkuar edhe më larg me premtime për komunitetin musliman se kundërkandidatët e tij.
Pacolli ka premtuar që të zhvendosë Universitetin e Prishtinës për ti lëshuar rrugë një qendre islame përballë katedrales në Prishtinë.
Arkitektët: Gjithçka është në rregull me planin e xhamisë
Ndërkohë ish-kryetari Shoqatës së Arkitektëve të Kosovës, Valdet Osmani ka thënë se lokacioni për ndërtimin e xhamisë është përcaktuar me Planin Zhvillimor Urban .
“Lokacioni është përcaktuar me Planin Zhvillimor Urban dhe me vendim të komunës, prandaj sa i përket procedurës ligjore i plotëson kriteret”, ka thënë Osmani.
Ndërsa sa i përket arkitekturës, Osmani ka thënë për Gazetën Fjala se kushtet ndërtimore për ndërtimin e kësaj xhamie që janë kërkuar nga komuna janë çështje shijesh.
“Sa i përket arkitekturës nuk ka kërkesa dhe kushtet ndërtimore të kërkuara nga komuna , rrjedhimisht është qështje shijesh dhe në këtë rast varet nga investitori.
Osmani ia lë fajin komunës për mosdhënien e lejes, pasi që ai thotë se janë përmbushur të gjitha kriteret për ndërtim.
“Komuna ka dështuar në këtë drejtim dhe zyrtarët kanë keqpërdorur me pozitën sepse kemi të bëjmë vetëm me përmbushje të kritereve ligjore dhe rregullative e që në këtë rast plotësohen për ndërtimin e xhamisë”, ka thënë Osmani për Gazetën Fjala.
Tërnava: Për ndërtim pritet vetëm leja
Ndërtimi i Xhamisë Qendrore sipas planifikimeve është dashur që të fillojë në tetor të vitit të kaluar.
Madje edhe vet kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava kohë më parë pati deklaruar se ndërtimi i xhamisë së re në Prishtinë parashihet të fillojë më 4 tetor, pasi paratë janë siguruar dhe se problem është vetëm leja.
“Paratë për ndërtimin e xhamisë janë donacion nga Turqia, i njëjti burim që ka financuar edhe ndërtimin e xhamisë në Tiranë. Problem është vetëm leja. Ata nuk munden të na e caktojnë neve se si do të duhet të duket projekti. Atë projekt e ka zgjedhur populli, siç po thuhet tani, e ka zgjedhur sovrani”, ka thënë Tërnava.
Ndërtimi i Xhamisë Qendrore parashihet që të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe më parë BIK-u, për ndërtimin e saj kishte kërkuar edhe përkrahje materiale nga qytetarët e Kosovës dhe kishte hapur disa xhirollogari në banka të vendit.
Peticion për ta ndalur ndërtimin
Jo shumë kohë më parë një kërkesë për ndalimin e procesit të dhënies së lejes për objektin fetar në lagjen Dardania, u ishte drejtuar Bashkësisë Islame të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Këshilltarëve të Kuvendit Komunal në Prishtinë.
Ky peticion fillimisht ishte nënshkruar nga 30 persona, pasi sipas tyre, xhamia e cila pritet të ndërtohet nuk është në harmoni me objektet e zonës dhe se objekti nuk është në përputhje me kriteret e konkursit.
Këtë peticion, Bashkësia Islame e ka quajtur të kotë dhe ka thënë se projekti për ndërtimin e xhamisë është votuar nga vetë qytetarët.
“Kërkojmë nga Bashkësia Islame e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Institucionet Qendrore që këto procese ti bëjnë në përputhje me planin rregullues të lagjes, me transparencë të plotë karshi qytetarëve dhe në përputhje me kriteret e paracaktuara të konkursit. Së këndejmi, ne si nënshkrues të këtij dokumenti, nuk jemi kundër ndërtimit të xhamisë në këtë parcelë të Prishtinës, por jemi gjithsesi të interesuar për një proces ligjor, gjithëpërfshirës dhe profesional për kryeqytetin tonë. Përderisa Prishtina është në fazë të përmirësimit të infrastrukturës së saj, në respektim të ligjeve dhe të harmonizimit të planeve dhe rregullave, kërkojmë që ato të aplikohen pa përjashtim edhe në procesin e ndërtimit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë”, thuhet ndër të tjera në peticionin për ndalimin e ndërtimit të xhamisë, drejtuar Bashkësisë Islame të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Institucioneve Qendrore.
Gjesti përshëndet familjen e tij, ka një premtim për ta
Therja me thikë në Lipjan, lëndohen katër persona – policia ...
Balluku: Shehaj politikë për të mbrojtur bizneset personale,...
Arrestohen tre zyrtarë të Federatës se Karatesë, dyshohet se...
Shkatoi telashe në bordin e një anije, 35 vjeçari vdes pasi ...
AUV shton kontrollin e mandarinës, pa dallim origjinën e tyr...