Mbi 300 mijë gjoba për mos respektim të masave anti-Covid janë shqiptuar ndaj qytetarëve të Kosovës në kohën e pandemisë.
Ishte obligative të mbahej, maska, të respektohej distanca gjatë kohës së pandemisë dhe të respektohej ora policore.
Në rast se nuk respektoheshin këto rregulla, Policia e Kosovës shqiptonte dënimin prej 35 deri në 200 euro.
Nëse gjoba paguhej brenda 14 ditëve, dënimi përgjysmohej, raporton arbresh.info.
Gjatë pandemisë Covid19, Policia e Kosovës ka shqiptuar hiq më pak 329 mijë gjoba për mosrespektim të masave anti-Covid.
“Policia e Kosovës ka shqiptuar për mosrespektim të masave anti-Covid-19 mbi 329.000 gjoba”, ka bërë të ditur policia përmes një përgjigje për arbresh.info.
Faljen e këtyre gjobave, po e kërkon Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD), e cila në qershor të vitit të kaluar kishte mbledhur mbi 11 mijë nënshkrime përmes një peticioni të nënshkruar nga qytetarët.
Nushi: Besojmë se me 26 ose 27 tetor do diskutohet në Kuvendin e Kosovës
Propozuesi i këtij projektligji, Nol Nushi nga PSD, për arbresh.info thotë se pas një kohe të gjatë ky projektligj do të shkojë në seancë parlamentare për votim.
Ai beson që ky projektligj do të diskutohet në kuvend javën e ardhshme.
“Besoj qe javën e ardhshme me 26 ose 27”, thotë Nushi
Ai pretendon se po vërehet një inat nga pushteti për faktin se ky projektligj është iniciuar nga PSD.
“Nga çka kam vërejtur, ekziston një inat i madh nga pushteti që një projektligj i tille po iniciohet nga PSD.”, shprehet ai për arbresh.info.
Nushi pohon se deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje kanë votuar kundër këtij projektligji edhe pse sipas tij nuk kishin asnjë argument.
Ai shpreson që kur ky projektligj të diskutohet në seancë, deputetët do të reflektojnë dhe të votojnë pro.
Tutje Nushi shprehet se vetëm duke u falur këto gjoba do të mund të korrigjohej kjo padrejtësi ndaj qytetarëve.
Ky projektligj tashmë është dorëzuar në Kryesinë e Kuvendit dhe pritet të futet në rend dite në Kuvendin e Kosovës.
Falja e qytetarëve të gjobitur për masat anti-Covid po përkrahet nga deputetët e opozitës.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku është pro votimit të këtij projektligji.
Ajo mendon se gjobat e shqiptuara duhet të falen.
‘Unë jam pro që të gjitha gjobat të falen. Në fillim qytetarët nuk kanë qenë të informuar për sëmundjen, ndërkohë kur janë vetëdijesuar i kanë mbajtur maskat”, është shprehur Bunjaku për arbresh.info.
Deputetja e LDK-së pohon se gjatë kohës së pandemisë njerëzit kanë qenë të ngarkuar dhe kjo është arsyeja pse atyre që kanë marr gjoba duhet t’iu falen.
“Edhe nëse janë dënuar për maska gjatë pandemisë, duhet të ishte marr parasysh që njerëzit kanë qenë të ngarkuar nga pandemia, dhe normalisht që duhet me u fal”, thotë Bunjaku.
Ndryshe nga opozita, deputetët e pozitës nuk shohin arsye për faljen e këtyre gjobave.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Ajo në një deklaratë për media tha se janë kundër projektligjit për faljen e gjobave për shkelësit e masave anti-COVID.
Sipas saj, askush nuk ka pasur të drejtë që me veprime të papërgjegjshme të përhap virusin dhe të shkaktojë rrezik të përgjithshëm.
“Askush nuk ka pas të drejtë që me veprime të papërgjegjshme ta përhapë virusin dhe të shkaktojë rrezik të përgjithshëm në popullatë”, tha ajo.
Ndryshe, ky projektligj i cili sipas organizatorëve përmban vetëm pesë faqe, u dorëzua për në Kuvend në qershor të vitit 2021.
Më datë 05.10.2022, projektligji që synon faljen e gjobave për shkelësit e masave të vendosura gjatë periudhës së pandemisë COVID-19 është proceduar në Kuvend pa përkrahjen e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Katër anëtarë votuan kundër këtij Projektligji, kurse tre pro.
Në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, pro faljes së këtyre gjobave votoi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, bashkëpartiakja e tij, Floretë Zejnullahu dhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ndërsa ish- ministri i Shëndetësisë, njëherësh edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ishte kundër këtij projektligji. /Kujtesë Berisha/arbresh.info/
Rriten me 20 për qind rastet e fruthit në botë
Sot fillon Fushata Globale ” 16 Ditët e Aktivizmit Kun...
Sot mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i C...
Autobusi del nga rruga dhe përfundon në humnerë, 17 viktima ...
Parashikimi i motit për sot në Shqipëri