Familjarët dhe shoqatat e personave të pagjetur po kërkojnë ndryshimin e legjislacionit që rregullon çështjen e personave të pagjetur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë, sepse e cilësojnë atë diskriminues, pasi i vë ata në pozitë të pabarabartë me kategoritë e tjera të dala nga lufta.
Prej më shumë se dy dekadash, familja e Agron Limanit po përjeton dramën e kërkimit për të atin, vëllain, xhaxhain dhe djalin e xhaxhait, që u vranë mesditën e 26 marsit 1999, së bashku me 104 të tjerë në masakrën e Krushës së Vogël dhe më pas trupat e tyre u zhdukën. Deri më tani, nga ata është gjetur vetëm i vëllai, Luani, ndërsa të tjerët janë në mesin e 65 të zhdukurve të kësaj masakre.
Ndërkaq, në skemën pensionale për personat e pagjetur ata janë trajtuar si dy dhe jo si katër të zhdukur. “Nëna ime e ka marrë një kohë të shkurtër pensionin e saj dhe një pension vetëm për babain, jo edhe për vëllain dhe këtë e ka marrë deri në vitin 2017, kur u vendos që një familje duhet të vendosë mes pensionit të vet ose atij për familjarët e zhdukur, pavarësisht sa familjarë të zhdukur ka”, thotë Limani.
Ai thotë se kjo formë e politikave pensionale është diskriminim dhe mungesë respekti për këtë kategori. “Mënyra se si trajtohet një familje që ka 3-4 të zhdukur është fyese. Është përbuzje, sidomos për gratë që kanë humbur burrat dhe janë kryefamiljare”, thotë Limani.
Limani, i cili drejton shoqatën për persona të pagjetur “26 marsi” thotë se nevojitet që ligji aktual, që rregullon këtë çështje, të ndryshohet ose të rikthehet skema e mëhershme pensionale për familjet e të pagjeturve.
Çështja e personave të pagjetur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë dhe e familjeve të tyre rregullohet me katër ligje, por ato jo vetëm që nuk rregullojnë krejtësisht statusin, të drejtat dhe nevojat e tyre, por një pjesë e dispozitave të tyre bien ndesh me njëra-tjetrën, duke e bërë të vështirë zbatimin e tyre në praktikë.
Një tjetër element që kundërshtohet nga familjarët dhe shoqatat e personave të pagjetur është shkalla e përqindjes për dy ose më tepër familjarë të pagjetur. “Është trajtim jo i barabartë tyre” thotë Limani.
Legjislacioni në fuqi i vë familjet e personave të pagjetur në pozitë të pabarabartë me kategoritë e tjera të dala nga lufta. Një familjar i personave të pagjetur civil merr 168 euro pension, ndërsa një familjar i një dëshmori merr 448 deri në 672 euro, nëse ka më shumë se një të zhdukur me status të dëshmorit.
Në vitin 2019, Qeveria e Kosovës ka miratuar një koncept-dokument me të cilin synon të ndryshojë ligjet që rregullojnë çështjen e të pagjeturve, të avancojë mekanizmat për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, të zgjidhë statusin e tyre dhe të familjarëve të tyre, si dhe të ruajë gjësendet e personave të pagjetur.
Sipas këtij dokumenti planifikohet që brenda vitit të parë të ndryshohen: Ligji për Persona të Zhdukur, Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të Tyre, si dhe Ligji për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Deri tani, qeveria nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt ndryshimit të këtyre ligjeve.
Familjarët ankohen kryesisht për dispozitat që rregullojnë pjesën ekonomiko-sociale të tyre. “Fakti që familjarëve u duhet të zgjedhin mes së drejtës për pension individual dhe atij familjar, si familjar i personit të zhdukur, është përçmim” thotë Limani.
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...