Google ADS

Familjarët e 4 viktimave dyshojnë në versionin zyrtar për aksidentin

00:11 | 30 Nëntor 2018
Trina Galanxhi

Pas vizitës që kishin bërë për ngushëllime te familjarët në Prishtinë, disa anëtarë të një familjeje të Gjilanit nuk mbërritën të ktheheshin në shtëpi.

Rruga e tyre u pre në përplasje me një veturë që voziste ambasadoren e shtetit të Turqisë në Kosovë.

Pasditja e 16 nëntorit bëri që familja Shala nga fshati Ponesh i Gjilanit të nxjerrë nga shtëpia tri kufoma të familjes së ngushtë dhe një familjare më të largët.

Arife, Osman, Agron Shala dhe Elfete Rashiti vdiqën pas aksidentit disa në vendngjarje e disa pasi ishin nxjerrë nga vetura e shkatërruar e u ishte dhënë ndihma mjekësore.

Në këtë aksident u lëndua edhe ambasadorja turke, Kivilim Kilic e cila sipas doktorëve theu disa brinjë.

Disa ditë më pas, kjo familje nuk po gjen rehati në faktin se nuk dinë shumë për mënyrën e ndodhjes së aksidentit.

Bajram Shala, të cilit në aksident i vdiq vëllai, babai dhe gjyshja tha se nuk po i beson versionit të prokurorisë për atë se çfarë ka ndodhur atë të premte.

“Sa i përket qysh ka ndodhë aksidenti, në bazë të televizioneve kishe ka qenë ky vëllau në tejkalim. Sa i përket ky që ka qenë në tejkalim, unë e di qysh ka vozit vëllai, kurrë su ngutë, as dënim s’ka pasë prej policisë. Tash mujnë me thanë që ka qenë shpejt, unë atë se besoj edhe mu ma merr mendja që provat i mshefin, munohen me mbrojtë ambasadoren”.

“Prej ambasadës së Turqisë nuk u kanë kërkush, me na shprehë ngushëllime ose në vorrim me ardhë hiq”.

Duke qenë në mjegull të informatave, familja ka provuar të flasë me dëshmitarë të ndryshëm që sipas tyre i kanë treguar se çfarë kanë parë në orët kur ndodhi aksidenti.

“Ne si familjarë jemi obligu edhe jemi angazhuar për me gjetur edhe dëshmitar rreth rastit. Në këtë rast e kemi gjetë një dëshmitar, na ka tregu pak a shumë po edhe ai ka qenë i hutuar në ato momente. Ai dëshmitar ka qenë në ngjarje… sipas tij janë kanë tu vozit 60 km/h deri në  70 km/h na ka thanë që sa ka mujt me vrejtë të dy veturat e kanë hangër vijën e bardhë dhe aty ka ndodhur aksidenti”, tha Bajram Syla, familjar i viktimave

Imer Beka, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka treguar në detaje mënyrën se si ka ndodhur aksidenti sipas ekspertëve dhe të dhënave që ka grumbulluar prokuroria.

“Sipas rezultateve preliminare është vërtetuar se vetura Opel Corsa ka vozitur diku rreth 83 kilometra në orë kurse vetura e ambasadores ka vozitur 56 deri në 60 kilometra në orë. Aty është implikuar edhe një veturë. Sipas të gjitha gjasave tejkalimi ka qenë i pasuksesshëm dhe ka ardhur deri te shkaktimi i aksidentit

Familjarë e shokë të tjerë të djalit 25 vjeçar që humbi jetën në aksident, insistojnë se aj ka qenë vozitës i kujdesshëm.

“Me Agronin unë jam kanë i fundit që kam kontaktu. Vozitës ma të mirë sdi…”, tha Benjamin Ramadani, tezak i vozitësi të ndjerë.

Familja Shala thonë se janë ndjerë të diskriminuar edhe për mënyrën se familjarët e tyre të ndjerë janë trajtuar nga mjekë e persona të tjerë që mund ti kenë dhënë ndihmë të parë, në krahasim me diplomaten e fuqishme.

Ismete Shala, nëna e vozitësit të ndjerë kërkoi hulumtim të thellë mbi atë se cfarë ka ndodhur dhe si ka ardhur deri te humbja e familjarëve të saj.

“A veç ambasadorja osht njeri aa? S’ka shtet, s’ka kurgjo.. Deri n’pikën e fundit me hulumtu për ta se djali mu nuk um çohet mo, as burri. Djali i ri, ja kanë nalë jetën, në t’ritë e vetë, pa u knaqë kurrë”, tha ajo.

Kallxo.com ka provuar të marrë një qëndrim lidhur me këtë temë edhe nga ambasada turke mirëpo ata nuk i janë përgjigjur pyetjeve të dërguara në emailin publik deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme