Nëntori i vitit 2016, ndryshoi gjithçka për familjen Vojvoda nga fshati Llaushë e Skënderajt, kur Policia e Kosovës arrestoi djalin e tyre Leotrimin, si të dyshuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm.
Që nga ajo kohë, familja Vojvoda thotë se po etiketohet si “familje e terroristit”.
Në aksionin e 16 nëntorit, Policia e Kosovës kishte arrestuar 18 persona si të dyshuar për planifikimin një sulmi terrorist ndaj ekipit të futbollit të Izraelit në ndeshjen që do të zhvillohej kundër Kombëtares së Shqipërisë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Prej 18 të arrestuarve, 9 prej tyre u dënuan me 35 vjet burgim.
Ndërkaq, Leotrim Vojvoda, 23-vjeçar, u dënua me 5 vjet burgim, me akuzën se nëpërmjet aplikacionit Telegram, me dashje ka pranuar thirrjen e Lavdrim Muhaxherit, komandantit të pjesëtarëve nga Kosova që luftuan përkrah organizatës militante Shteti Islamik (IS), për t’i sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit në Shkodër.
Ai tani po vuan dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë në fshatin Dyz të Podujevës.
Vëllai i Leotrimit, Bekimi, i cili drejton biznesin familjar të përpunimit të llamarinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se është shumë e vështirë kur shumë njerëz të thonë “familje e terroristit” apo “familje e Shtetit Islamik”.
Ai thotë se arrestimi i vëllait të tij, që ishte student i Shkencave Kompjuterike në Prishtinë, i ka dëmtuar shumë si familje.
“Neve na ka shkatërruar psikikisht dhe moralisht. Tash, ne dalim në qytet edhe si familje na shikojnë njerëzit me një sy të keq, edhe pse nuk kanë bazë. Neve si familje na është hedhur një hije e zezë. Një hije e zezë pa asnjë argument. Por, në opinion njerëzit nuk e dinë kush je. Them se 90 për qind të njohin, por disa nuk dëshirojnë as ta dinë të vërtetën, por ka dalë në media dhe thonë – qe familja e terroristit”, thotë Bekim Vojvoda.
Përveç në rrethin ku jetojnë, dënimi i Leotrimit, thotë Bekimi ka ndikuar edhe në punën e tyre.
“Ka pasur raste që ka dashur njeriu (klienti) të na thërrasë për t’i kryer punë, kur e ka kuptuar kush jemi, na ka refuzuar. Këto që na i kanë bërë, vetëm shpresoj Zoti na i paguan se këtë hije të zezë që na e kanë vënë, është zor të kompensohet”, thotë Vojvoda.
Ai thotë se vëllai i tij është i pafajshëm dhe nuk është terrorist.
“Nuk i përkrahim këto organizata terroriste, edhe nuk ka të bëjë vëllai ynë me këtë aktakuzë që i është ngarkuar”, thotë Bekim Vojvoda.
Avokati mbrojtës i Leotrim Vojvodës, Skënder Musa, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk është dëshmuar që klienti i tij të ketë kryer veprën, për të cilën edhe është dënuar.
“Krejt procesi ka pasur mangësi, që nga faza e hetimeve në Polici dhe në Prokurori, pasi që nuk ka pasur prova materiale që kanë dëshmuar se Leotrimi ka marrë pjesë në ndonjë formë apo ka tentuar të kryejë këtë vepër penale, për të cilën është shpallur fajtor. Nuk është paraqitur asnjë provë e vetme gjatë gjithë procesit gjyqësor si në shkallë të parë, ashtu edhe në shkallë të dytë”, thotë avokati Musa.
Pasi i shpalli fajtorë në maj të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës, ua kishte ulur dënimin të dënuarave për nga një vit.
Gjykata ka vërtetuar se ata kanë udhëtuar në qytetin e Shkodrës, ku kanë fotografuar stadiumin e qytetit dhe më vonë ata planifikonin të kryenin sulme ndaj ekipit futbollistik të Izraelit dhe tifozëve të tyre. Sipas Gjykatës, ata planifikonin të përdornin eksploziv dhe armë të tipit kallashnikov.
Në bodrumin e njërit nga të pandehurit, policia kishte gjetur eksploziv të llojit Triaceton Triperoksid (TATP). Eksploziv i njëjtë është përdorur edhe në sulme tjera në Paris dhe Bruksel.
Më shumë se 400 qytetarë të Kosovës, kryesisht të rritur, kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar në anën e të ashtuquajturit Shteti Islamik. Më shumë se 70 prej tyre janë vrarë, ndërkohë që shumë gra dhe fëmijë vazhdojnë të mbesin në atë zonë.
Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015 ku çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje