Familja tetë anëtarëshe e ish-ushtarit të UÇK-së, Fetah Dvoranit nga fshati Tërstenik i Drenasit është bërë me shtëpi të re.
Kjo familje është bërë me kulm mbi kokë falë donatorëve të cilët për një kohë të shpejtë arritën të grumbullojnë mjetet e duhura për të kompletuar shtëpinë, në të cilën do të jetojnë anëtarët e kësaj familje.
Fetahu si kryefamiljar tregon se që nga paslufta kanë jetuar në një shtëpi të improvizuar e cila nuk i ka plotësuar kushtet për banim.
Ai thotë se shëndeti i 6 fëmijëve është rrezikuar mjaftë, pasi që shtëpia e stërvjetëruar nuk ka poseduar as kushtet elementare për jetesë.
“E falënderoj Halil Kastratin, shoqatën bamirëse ‘Jetimat e Ballkanit’ dhe të gjithë ata donatorë të cilët na e ndërtuan këtë shtëpi dhe tash e tutje do të bëjmë një jetë të lumtur. Në atë shtëpi ka pasur minj dhe insekte tjera. Shëndeti i fëmijëve është dëmtuar nga pluhuri dhe myku”, thotë Fetahu.
Halil Kastrati, drejtor i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, tregon se këtë familje e kanë vizituar edhe më parë, andaj kanë vlerësuar se duhet të kërkohet forma për t’i dalë në ndihmë.
Ai thotë se meremetimi i kësaj shtëpie ka kushtuar më shumë se 7 mijë euro, të cilat i kanë siguruar nga donatorë të ndryshëm.
“Kësaj familje i kemi ndihmuar edhe më parë. Kemi vlerësuar se duhet të bëjmë diçka ngase shtëpia ku kanë jetuar ka qenë e pabanueshme. Ne kemi kërkuar ndihmë nga donatorët të cilët janë përgjigjur dhe arritëm që të kompletojmë këtë shtëpi që tani e tutje familja e Fetahut të jeton në kushte normale”, thotë ai.
Kastrati apelon tek të gjithë ata që kanë mundësi të përkrahin nismat e tilla që kanë për qëllim zbutjen e varfërisë tek familjet me gjende të rënd socio-ekonomike.
Shtëpia ka tri dhoma, banjë dhe korridor, ndërsa falë bamirësve ajo është e mobiluar komplet dhe që nga sonte kjo familje do të ketë mundësinë të banojë në të.
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?