Familja e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, i cili kishte ndërruar jetë në burgun e Prizrenit, do të lejojë edhe zhvarrosjen e trupit të tij. Ekspertiza për rastin e Deharit do të mbahet në Zvicër, e për të Qeveria i ka ndarë 50 mijë euro. 15 muaj pasi që është bërë kërkesa për këtë hetim, Prokuroria Themelore në Prizren ka autorizuar qendrën, shkruan Gazeta Express.
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi tha për Gazetën Express se me qëllim të gjetjes së të vërtetës do të lejohet çfarëdo lloj ekspertize që kjo qendër konsiderohen se është e nevojshme.
“Prindërit e Astrit Deharit kanë njoftuar se nëse Instituti i Mjekësisë Ligjore kërkon eventualisht zhvarrosjen e trupit të pajetë të Deharit, këta në interes të drejtësisë do ta pranojnë edhe këtë, pa marrë parasysh së është e rëndë për familjen”, deklaron ai.
Fillimisht, rasti do të shkojë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Zvicër, të cilën e ka zgjedhur familja e të ndjerit e pastaj për llojin e hetimeve do të njoftohet prokurori i rastit, Ministria e Drejtësisë, si dhe familja.
Gashi ka deklaruar se Prokuroria Themelore në Prizren ka nxjerrë tashmë vendimin me të cilin autorizohet kjo qendër për hetime të pavarura.
“Më në fund pas 15 muajsh nga kërkesa e familjes Dehari, Prokuroria Themelore në Prizren ka nxjerrë vendim me të cilin ka autorizuar Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës, që të ndërmarrë veprime të pavarura hetimore në rastin e Astrit Deharit”, tha ai.
Në seancën e djeshme të Kuvendit nga deputetët e Vetëvendosjes u debatua për këtë rast me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Tahiri deklaroi se pas zotimit të kryeministrit Haradinaj për hetim ndërkombëtar të këtij rasti, ai u ka kërkuar organeve përgjegjëse që të nisin punën.
Ndarja e shumës prej 50 mijë eurosh për ekspertizën ndërkombëtare për rastin “Dehari”, ishte njëri nga vendimet e para të Qeverisë “Haradinaj”, por tash e 5 muaj kur këto mjete u ndanë, hetimet nuk kanë filluar ende.
Me kërkesë të familjes, Gashi kishte kërkuar nga Ministria e Drejtësisë, që familja Dehari të ketë kopje të dokumenteve që janë dërguar te Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, si dhe te prokurori i Prokurorisë Themelore, Metush Biraj.
Ndërsa, në kërkesën dërguar në Prokurori, përmes avokatit mbrojtës, familja kërkoi që të kenë të gjitha kopjet e dokumenteve dhe provave që do të dërgohen në institutin në Zvicër.
Sipas kërkesave kjo po bëhej me qëllim që të sigurohen se aty do të kryhen hetime të pavarura, si dhe super ekspertiza mjeko-ligjore.
Kujtojmë që Kuvendi kishte miratuar një rezolutë, sipas të cilës familja e Astrit Deharit mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së ose SHBA-së dhe Qeveria do të kujdesej për të gjitha shpenzimet.
Prindërit e Astrit Deharit thanë se ishin përcaktuar ajo të kryhej nga ekspertë zviceranë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicër.
Fillimisht, kjo kërkesë ishte refuzuar nga Qeveria e kaluar me arsyetimin se Zvicra nuk është vend i BE-së.
Raporti i autopsisë kosovare, i bërë menjëherë pas vdekjes së Deharit, rezultoi se vdekja e tij kishte ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga dëmtimet e vetëshkaktuara, të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme.
Astrit Dehari, aktivist i Vetëvendosjes, vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit të kaluar, teksa po mbahej në lidhje me sulmin e gushtit 2016 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës./Gazeta Express/
“Edhe katër investime të mëdha në stadiumet e futbollit” – Ç...
Musliu: Faton Peci e Fitore Pacolli bashkëpunëtorë në manipu...
Zyrtari i LDK-së thotë se Fitore Pacolli ia dha 100 mijë eur...
David: Barcelona ka qenë ekipi me të cilin jam rritur, ëndrr...
Çfarë e bën ecjen kaq të mrekullueshme për shëndetin tuaj?
Vullneti: Edi është 100% tipi i Xhenetës