Google ADS

Falsifikoi dokumente dhe shiti 30 prona, arrestohet një person në Mitrovicë

19:31 | 18 Janar 2023
E.H

Është arrestuar një person në Mitrovicë, i dyshuar për falsifikim të dokumenteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, i arrestuari me iniciale A.D., është dërguar në mbajtje për 48 orë ndërsa dyshohet për shitjen e 30 pronave, që i takonin komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian.

Vlera e një prone kapte vlerën nga 5 mijë e deri në 7 mijë euro.

Po ashtu bëhet e ditur se edhe tre të dyshuar të tjerë gjenden në kërkim policor.

“Në bazë të dëshmive të mbledhura dhe intervistave të zhvilluara, hetuesit policorë kanë ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit E.B. dhe A.D., kanë kryer veprën penale ‘falsifikim i dokumentit’. Me që të dyshuarit gjendeshin jashtë vendi, të njëjtit kanë qenë në kërkim policor deri sot, më 18.01.2023, kur i dyshuari A.D., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar), është ndaluar në Pikën e Kalimit Kufitar Jarinje, është intervistuar dhe me aktvendim nga prokurori është dërguar në ndalje deri në 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Vlen të ceket se: A.D. dhe E.B., dyshohet se kanë kryer veprat penale “falsifikim i dokumenteve”, ndërsa avokati B.K., dhe ndërmjetësuesi E.J., kanë kryer veprat penal “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet tutje në njoftim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme