Falja e vrasësit nga Presidenti kthehet në kërcënim për hakmarrje

12:27 | 15 Maj 2018
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë dy viteve të mandatit të tij me anë të dekretit për falje të të burgosurve kishte gëzuar dikë pa masë, por dikujt ia kishte shndërruar në ditën më të keqe, madje edhe më të keqe se kur e kishte varrosur babanë e saj të vrarë.

Në kohën sa kishte qenë ende adoleshente, Arbenita Arifi kishte mbetur pa baba. Asaj i ishte vrarë babai i saj, Agroni nga Ruzhdi Misini në vitin 2010, raporton Insajderi.

Vajzës që gjatë kohës sa kishte qenë në shkollën e mesme kishte mbetur pa baba, i ishte rikthyer dhimbja edhe një herë në vitin 2018. Kësaj radhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i kishte rikthyer asaj dhimbjen kur kishte vendosur ta falte vrasësin e babait të saj.

Më 10 prill të këtij viti, Presidenti kishte vendosur që t’ua falte një pjesë të dënimit 14 personave, ku në mesin e tyre edhe Ruzhdi Misinit që do t’ia falte dy vjet nga dënimi i tij me burgim prej 10 vjetësh.

Ky vendim i presidentit si dhe dënimet “e ulëta” për vrasje në Kosovë, po e nxisin Arbenitën që të hakmerret për vrasjen e babait të saj. Ajo nuk e sheh problem të rrijë 10 vjet në burg nëse hakmerret ndaj Misnit, i cili pritet të lirohet nga burgu pas tri viteve.

“Përderisa është ky ligj me këto dënime kështu kaq të ulëta, vallahin po. Për 10 vjet burg llaf nuk t’i bëjë”, kishte thënë Arifi.

Për Arbenitën, ky vendim i presidentit kishte qenë i njëjtë me atë të ditës kur e kishte varrosur babanë e saj, Agronin. Madje thotë se kur e ka dëgjuar vendimin e presidentit, është ndjerë edhe më e rënduar se në ditën kur është varrosur Agroni.

“U kanë njëjtë sikur atë ditë kur e kemi varrosur babën kur na ka shku, e kur e kemi marrë vesh se çfarë ka ndodhur, e njëjta u kanë, veç edhe ma keq. Jam kanë në polici edhe më thanë që ky është vendim i Presidentit dhe nuk ki çka me bo”, kishte deklaruar ajo.

Arifi javën e kaluar kishte ngritur padi ndaj Hashim Thaçit për faljen e një pjese të dënimit ndaj vrasësit të babait të saj.

Ruzhdi Misini i lindur në Dragash, aktualisht është duke qëndruar në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku sipas dekretit të Presidentit, atij do t’i falen dy vjet nga dënimi i tij me burg prej 10 vjetësh.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte marrë vendime edhe në të kaluarën për të falë të dënuarit me burg, në bazë të kompetencave të tij. Në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Thaçi kishte falur shtatë persona.

Për katër prej tyre Thaçi kishte marrë vendim që të lihen të lirë, duke iu falur të gjithë dënimin e mbetur, ndërsa tre të dënuarve të tjerë kishte vendosur që t’u falen katër, tri dhe dy vite nga vuajtja e dënimit me burg.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme