Eurodeputetja e raportuesja për liberalizimin e vizave me Kosovën në Parlamentin Europian Tanja Fajon shpjegon për Deutsche Welle hapat e mëtejshëm pas dritës së gjelbër të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave.
Deutsche Welle: Komisioneri europian për migrimin, Dimitris Avramopoulois bëri të ditur së fundmi në Bruksel se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna për liberalizimin e vizave. Çfarë nënkupton ky vendim pozitiv për Kosovën tani?
Tanja Fajon: Komisioni Europian njeh dhe vlerëson përpjekjet e autoriteteve të Kosovës. Ky është një hap shumë pozitiv dhe i rëndësishëm për Kosovën. Me ofrimin e dritës finale të gjelbër, Komisioni hap rrugën e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Ky konstaton qartë, se Prishtina përfundimisht i ka përmbushur kushtet e mbetura. Tani topi është në duart e Parlamentit Europian dhe qeverive të vendeve të BE për ta pranuar këtë. Unë i uroj të gjithë përgjegjësit në Kosovë dhe shpresoj sinqerisht, se Prishtina do të vazhdojë të sjellë rezultate të mira.
A mendoni se mund të dalin pengesa të tjera gjatë këtij finishi?
Unë pres që qeveritë e vendeve të BE të reagojnë me përgjegjshmëri. Pra që të ndjekë rekomandimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave me qytetarët e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. E njëjta gjë vlen edhe për Parlamentin Europian.
Ka gjasa që ndonjë vend anëtar të mund të bllokojë këtë liberalizim?
Nuk ka më arsye për justifikime apo vonesa. Nga ana tjetër këshilla ime për politikanët e Kosovës është të vazhdojnë përpjekjet e tyre dhe dialogun me Brukselin dhe kryeqytetet e BE për të marrë mbështetje të fuqishme dhe besimin e tyre. Ky është çelësi për suksesin. Kosova nevojitet të ruajë kredibilitetin dhe të ndërtojë aleanca të fuqishme me vendet e BE dhe institucionet e saj.
Si e prisni vendimin e Parlamentit Europian?
Në Parlamentin Europian, unë si raportuese për liberalizimin e vizave me Kosovën do ta japë për votim vendimin menjëherë pas pushimeve të verës në Komitetin LIBE (Komiteti i Parlamentit Europian për Çështjet e Lirive Civile, Drejtësisë dhe të Brendshme). Në javën e fundit të gushtit, unë pres që kolegët të ndjekin rekomandimin tim. Ne kemi punuar shumë në këtë drejtim dhe çdo hap është i rëndësishëm. Nëse gjithçka zhvillohet siç është planifikuar, ne do ta kemi votën në plenum me shumë gjasa në shtator. Kjo është ajo që dëshiroj e synoj. Kosova e meriton liberalizimin e vizave, veçanërisht të rinjtë meritojnë perspektiva më të mira.
Kur mendoni do të jetë pas kësaj data më e mundshme e udhëtimit të qytetarëve të Kosovës pa viza në zonën e Shengenit?
Çdo hap është i rëndësishëm, siç e thashë. Jemi shumë afër raundit final. Kjo nënkupton të shtojmë forcat të gjithë, por së pari e sidomos me plotësimin e të gjitha kritereve. Kjo është garancia më e mirë për të siguruar udhëtimin e lirë pa viza të qytetarëve të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur. Dëshira ime personale është, që të mund të themi në fund të këtij mandati të Parlamentit Europian dhe në fund të mandatit tim si raportuese për liberalizimin e vizave për Kosovën se ia dolëm mbanë. Kjo do të ishte një situatë, ku të gjitha palët kanë fituar.
Tanja Fajon është eurodeputete socialdemokrate sllovene në Parlamentin Europian dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian për çështjen e liberalizimit të vizave.
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...