Demarkacioni me Malin e Zi nuk është i vetmi kusht për të cilin institucionet kosovare duhet të punojnë për t’i hequr vizat. Pa luftimin e korrupsionit, shpresa për heqjen e vizave mund të mbetet vetëm një ëndërr e kosovarëve. Tanja Fajon, raportuesja për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën në Parlamentin Europian, në një intervistë për Express e ka bërë të qartë se cila është rruga që duhet ta ndjekin institucionet e vendit.
“Mos e harroni luftën kundër korrupsionit”, kjo është çfarë Tanja Fajon ua kujton autoriteteve vendore, kur flet për rrugën drejt heqjes së vizave. Ndonëse nuk e mohon se është bërë progres në përmbushjen e këtyre kërkesave, ajo e bën shumë të qartë se Demarkacioni me Malin e Zi dhe luftimi i korrupsionit, mbeten kushtet e fundit që duhen plotësuar.
Ish –gazetarja sllovene thotë se Prishtina duhet t’i bindë të gjitha qeveritë e BE-së që është e angazhuar dhe e gatshme për të marrë këtë hap shumë të qartë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Unë e di mirë se është një proces i gjatë dhe i kërkuar nga të dy palët, por do të mbetem mbështetëse e fortë për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thotë Fajon për Gazetën Express.
Kjo europarlamentare vlerëson se vendimi për Marrëveshjen e Demarkacionit është në duart e të gjithë politikanëve përgjegjës në vend. Ajo shpreson se Kosova mund të bëjë një hap më tej në këtë çështje, siç e quan ajo, shumë të ndjeshme dhe komplekse.
“Çdo lajm pozitiv nga Kosova lidhur me zbatimin e kushteve të mbetura do të përfitojë përpjekjet e mëtejshme të vendit drejt regjimit pa viza për njerëzit e saj”, thekson Fajon.
Ligjvënësit në Kuvendin e Kosovës së shpejti do ta kenë në tavolinat e tyre marrëveshjen e shënimit të kufirit me Malin e Zi, derisa shpresat se ajo do të kalojë janë shumë të pakta.
Kjo pasi AAK, Vetëvendosje dhe Nisma vazhdojnë ta kundërshtojnë versionin e kaluar. Derisa i paqartë ende është qëndrimi i Listës Serbe.
Duke e komentuar mundësinë e dështimit të kësaj marrëveshjeje, Fajon thotë se Kosova tashmë ka humbur shumë kohë dhe duhet gjetur zgjidhje për këtë.
“Unë nuk mund dhe nuk dua të paragjykoj pasojat e mundshme. Shumë kohë ka humbur tashmë. Kosova duhet të gjejë marrëveshje të gjerë për përmbushjen e çështjeve të hapura dhe të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj që të jetë gati për heqjen e vizave sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë i kam këshilluar shumë herë politikanët e Kosovës që të punojnë ngushtë me Brukselin dhe të bashkojnë përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve më të mira për të gjithë”, ka shtuar ajo.
Por, Fajon thotë se e kupton frustrimin e njerëzve në Kosovë që duhet të presin në radhë të gjata përpara konsullatave. Për këtë, ajo kërkon që të punohet sa më shumë që që qytetarëve kosovarë t’iu jepet liria e lëvizjes.
“Ne duhet ta ndryshojmë këtë për të mirën e njerëzve, bashkëpunimin ekonomik dhe politik. Ne kemi nevojë për lajme pozitive nga Kosova. Do të bëj gjithçka në fuqinë time për të siguruar që nevoja për liberalizimin e vizave për Kosovën mbetet e lartë në rendin e ditës në Parlamentin Evropian dhe në institucionet e tjera të BE”, thekson Fajon.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës tashmë e ka proceduar në Kuvend marrëveshjen me Malin e Zi, së bashku me raportin e Komisionit për Demarkacionin të cilin e formoi kohë më parë Ramush Haradinaj për të dëshmuar se, sipas tij, Kosova humb tokë me marrëveshjen ekzistuese./Gazeta Express/
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/fajon-per-express-demarkacioni-dhe-lufta-kunder-korrupsionit-jua-heqinvizat-472057/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...