Parlamenti Evropian ka debatuar sot në një seancë të jashtëzakonshme në Strasburg për situatën në Kosovë pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit nga grupi terrorist serb, e ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Po thuajse të gjithë pjesëmarrësit në debat e kanë dënuar sulmin terrorist të ndodhur 10 ditë më parë në fshatin Banjskë.
Në debat po marrin pjesë edhe përfaqësuesit e presidencës spanjolle dhe të institucioneve evropiane, derisa Janez Jenarçiq ka folur në emër të shefit për Politikë të Jashtme të BE-së, Joseph Borrell, pasi ky i fundit nuk ka pasur mundësi të shkojë në Strasburg ku po mbahet debati, pasi ndodhet ende në Ukrainë.
Parlamentarët evropianë i kanë vlerësuar shqetësim serioz përmasat e operacionit të grupit terrorist dhe sasinë e armatimit të konfiskuar.
Komisioneri evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiq, ka thënë se ky është alarm i fortë që situata në Kosovë është skajshmërisht serioze.
“Menjëherë atë të diel Përfaqësuesi i Lartë Borell ka thirrur kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq dhe ka nxjerrë një deklaratë ku kishte dënuar me termat më të fortë këtë sulm terrorist. Ai po ashtu ka kërkuar për rikthimin e qetësisë dhe stabilitetit, që sulmuesit të dorëzoheshin menjëherë dhe që 49 pelegrinët në Manastir të ishin të lirë të largoheshin. EULEX-i kishte arritur në vend të ngjarjes shpejt duke monitoruar operacionin policor. BE po i ndjek nga afër hetimet në vijim dhe pret që kryerësit e këtij sulmi të vihen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht duke përfshirë edhe në parandalimin e kontrabandimit përmes vijës kufitare”, ka thënë Lenarçiq.
Sipas tij në këto hetime është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga cilido veprim që do të mund të përshkallëzonte më tutje situatën.
“Në këtë kontekst, retorika nga Beogradi për sa i përket 24 shtatorit është tejet shqetësuese, po ashtu mënyra në të cilën është shpallur dita e zisë. Ajo që është e qartë tashmë në këtë fazë është që ky operacion tregon një armatim të rëndë ushtarak dhe përbën përshkallëzim madhor që shkon në kundërshtim me thirrjet e vazhdueshme të BE-së për depërshkallëzim në veri të Kosovës”, ka shtuar ai.
Lenarçiq ka thënë se shtensionimi i shpejtë është edhe më urgjent se sa ndonjëherë, ndërsa sulmuesit duhet të sillen para drejtësisë.
“Sulmi nuk duhet të shërbejë si arsyetim për të shmangur vëmendjen nga dialogu për normalizim. Po ashtu jemi të shqetësuar për grupimin ushtarak në jug të Serbisë. Mbajtja e shpejtë e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës mbete qenësore për të ndihmuar në shtensionim. BE i bënë thirrje të gjithë aktorëve politik edhe në Kosovë edhe në Serbi që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që do të çojë në zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës që të shmangin hapat përshkallëzues dhe që të mbështesin progresin në dialogun e mbështetur nga BE”, ka thënë ai.
Eurodeputetët kërkuan nga institucionet evropiane qasje më të ashpër ndaj Beogradit. Disa nga ata kërkuan edhe vendosjen e sanksioneve për shkak të sulmit terrorist, e të cilat, siç thuhet, së paku duhet të jenë të njëjta, nëse jo më të ashpëra sikur masat e BE-së ndaj Kosovës.
Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian tha se sulmi brutal dëshmon se nuk mund ta marrim lirinë si të garantuar në Evropë. Von Cramon shtoi se janë evidente lidhjet e Milan Radojiçiqit me Beogradin zyrtar.
Pas këtij debati të jashtëzkaonshëm, pritet që qysh gjatë muajit tetor të draftohet dhe miratohet rezoluta për situatën në Kosovë, në dritë të sulmit në Banjskë./rtk
Vdes një fëmijë 1-vjeçar në QKUK, ShSKUK-ja del me sqarim
“Ne të dy bashkë duhet të jemi”, Driloni bën hapin e parë dr...
Manchester City mposhtet nga Aston Villa
Deri në 1 orë e gjysmë pritjet për të hyrë në Kosovë nga Jar...
Abdixhiku thirrje mërgimtarëve për regjistrim për të votuar
Scholz: Akt i tmerrshëm i çmendur që të godet në zemër